METODOLOGJIA E TRAJTIMIT Të NJERëZVE Të BIDATIT DHE PARALAJMëRIMI KUNDëR TYRE, NJOHJA E CILëSIVE Të BIDATçIJVE DHE KURTHEVE Të TYRE

Shejkh Ubejd el-Xhabiri rreth Refuzimit të Kundërshtimeve dhe Gjykimit të Kundërshtarëve

 

Dhe poashtu kërkohet që studentët e dijes, Ehli-Suneti, ta shfaqin Sunetin në sjelljet e tyre dhe në marrëdhëniet me të tjerët ashtu siç shfaqet në ibadetin që i bëjnë Allahut Subhanehu ue Te’ala; dhe prej Sunetit është është se Ehli-Suneti e refuzojnë gabimin dhe nuk e pranojnë atë, e refuzojnë atë me argumente në mënyrë që Suneti të mbetet i pastër.

Kështu që, kur gabimi është i hapur dhe nis të përhapet, atëherë ata e refuzojnë atë haptazi. Por nëse gabimi ishte i fshehtë mes një personi dhe shokut të tij, atëherë shoku i tij e këshillon atë sepse ky personi i fundit, domethënë ai që ka gabuar fshehtas, ai i bën dëm vetëm vetes së tij, prandaj ata e këshillojnë në fshehtësi për atë gjë që është mes tyre dhe atij.

Dhe dijeni, Allahu ju bekoftë, se Ehli-Suneti bën dallim midis njerëzve për sa i përket gabimeve. Kështu, nëse ai që gaboi është prej Ehli-Sunetit, atëherë ata refuzojnë gabimin dhe nuk ia pranojnë atë, por gjithsesi ata e ruajnë respektin për të dhe e ruajnë shenjtërinë e tij (si Person i Sunetit) dhe nuk e poshtërojnë e as nuk bëjnë tahdhir kundër tij (nuk i paralajmërojnë të tjerët që të ruhen nga ai) ngase ai është një Sunij nga radhët e tyre, ai është një prej tyre, prej Ehli-Sunetit. Megjithatë, ai bëri një gabim, prandaj është obligim refuzimi i gabimit të tij me argumente që janë të mjaftueshme dhe me dëshmi të fuqishme. Ndërsa kur gabimi vjen nga një Bidatçi, nëse ai që gaboi është Bidatçi, ndonjë i Devijuar nga radhët e Pasuesve të Epsheve (Ehlul-Ehua), atëherë ata e refuzojnë gabimin e tij dhe bëjnë tahdhir kundër tij dhe bidatit të tij.

Pyetje: Është një pyetje që përsëritet shpesh këtu në Britani në lidhje me Xherhin dhe Ta’dilin dhe sikurse e dini, janë disa studentë të dijes apo disa që pretendojnë se kanë dije, të cilët mendojnë se kanë të drejtë për të bërë Xherh edhe sikur me vete të kenë një Xherh Mufesser (nga Dijetarët).

Shejkh Ubejd el-Xhabiri: Në të vërtetë, duhet bërë dallim, Allahu ju bekoftë, mes refuzimit (radd) të fjalës dhe kritikës (xherh) ndaj personit që e tha atë fjalë. Për sa i përket refuzimit të fjalës, kjo është një çështje mjaft e gjerë. Çdogjë që kundërshton Librin dhe Sunetin refuzohet, i hidhet poshtë atij që e tha atë dhe nuk i pranohet, kushdo qoftë ai. Megjithatë, për sa i përket xherhit (kritikës apo gjykimit) ndaj atij që tha këtë fjalë kundërshtuese… atëherë për këtë mos u ngutni, Allahu ju bekoftë. Por, unë po ua theksoj dhe ju e dini insha`Allah, se ne pasha Allahun jemi këshillues për ju dhe pasha Allahun ua duam të mirën ashtu siç duam për fëmijët tanë që janë pasardhësit tanë dhe ashtu siç duam edhe për vetet tona; dhe ne tregojmë interes për bashkimin e fjalës tuaj dhe kemi frikë se mos përçaheni. Kthehuni tek njerëzit e dijes, kthejini çështjet tuaja tek njerëzit e dijes, tek ata të cilëve mund t’u besoni fenë dhe amanetin tuaj.

Selefiu është njeri, ndonjëherë ai harron, ndonjëherë ai gabon, ndonjëherë ai është injorant (për disa çështje), mund të dalin nga ai disa çështje, e ndonjëherë ai nevrikoset. Kështu që ju mund të bëni xherh (kritikë, gjykim) mbi fjalën “se kjo fjalë bie në kundërshtim me Sunetin”, “se ky veprim bie në kundërshtim me Sunetin”, “se kjo fjalë është fjalë e Bidatçijve”. Asgjë nuk mund ta ndalojë këtë nëse keni fik’h dhe nëse keni Sunetin, kuptimin e Sunetit; ju e dini se kjo thënie bie në kundërshtim [me Sunetin].

Si për shembull, nëse hatibi shpjegoi në minber se isteua është mbisundim ose tha se isteua është të pohosh apo të vërtetosh marrjen (e pushtetit) nga Ai. Atëherë, ti je i aftë që ta refuzosh atë dhe mund të thuash se kjo është thënia e Mu’atilëve (refuzuesve, mohuesve të Cilësive të Allahut). Ose që kjo është e Esh’arive dhe ky është bidat dhe te’uil (interpretim, shpjegim i gabuar), se el-Isteua (Ngritja e Allahut mbi Arsh) është një cilësi nga cilësitë e Allahut dhe ky është interpretim i gabuar i saj. Sidoqoftë, për sa i përket gjykimit të këtij personi se ai është Bidatçi i devijuar, atëherë këtu s’duhet të nxitoheni. [1] Ai duhet të këshillohet dhe duhet t’i sqarohet gabimi kurse ju duhet të konsultoheni me njerëzit e dijes, me ata të cilëve u zini besë. E sa të shumtë janë ata njerëz ndaj të cilëve është bërë xherh i nxituar dhe ai (që gaboi) u kthye (nga gabimi i tij). Ai thotë: “Pse… pasha Allahun gabova, përderisa kjo thënie bie në kundërshtim me Akijden e Selefëve, unë tërhiqem që tani (nga gabimi). Prandaj mos u nxitoni me xherhin që u bëni njerëzve. Po.

Fundnotë:
[1] Kështu pra, nuk lejohet të ngutesh në shpalljen e njerëzve bidatçij vetëm për shkak të një gafe apo gabimi që bëjnë ata në fjalët apo veprat e tyre. Por, ashtu siç këshilloi edhe Shejkhu, duhet medoemos që të korrigjosh, të këshillosh, të bësh durim dhe të kesh zemër të hapur ngase janë të shumtë ata njerëz që kur e kuptojnë se kanë gabuar dhe këshillohen e korrigjohen, ata tërheqin nga gabimi pasi që e marrin vesh se gabuan. Prandaj, nuk është me vend që të nxitohemi në gjykimin me tebdij’ (që ta shpallim bidatçi).

Përktheu: Alban Malaj

 

← Kthehu në faqen kryesore
Aa
بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ

Kategoria

Duke ngarkuar...