KOMENTIM HADITHESH

Shpjegim i hadithit “Ditën e Gjykimit toka do të shndërrohet në bukë që hahet…” – Ibën Haxher el-Askalanij, Muhamed ibën Salih el-Uthejmin, Muhamed Alij Adem el-Ethjubij

Transmetohet nga Seid el-Khudrij, radijAllahu anhu, se Pejgamberi ka thënë: “Ditën e Kijametit toka do të bëhet një bukë e vetme të cilën i Lartmadhërishmi do ta shndërrojë me Dorën e Tij, ashtu si e përgatit ndonjëri prej jush bukën e tij kur është në udhëtim. Kjo bukë do të shërbejë si mikpritje për banorët e Xhenetit.” Transmetojnë Bukhariu (6520) dhe Muslimi (2792).

تَكُونُ الأَرْضُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ خُبْزَةً وَاحِدَةً، يَتَكَفَّؤُهَا الْجَبَّارُ بِيَدِهِ، كَمَا يَكْفَأُ أَحَدُكُمْ خُبْزَتَهُ فِي السَّفَرِ، نُزُلاً لأَهْلِ الْجَنَّةِ

________________

? Hafidh ibën Haxher el-Askalanij, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Nga ky hadith përfitohet se besimtarët nuk do të ndëshkohen me uri gjatë qëndrimit të gjatë në Ditën e Gjykimit, por përkundrazi Allahu me fuqinë e Tij do ta zbusë tokën, saqë njerëzit do të hanë prej saj pa ndonjë mundim dhe shqetësim duke e marrë atë nga poshtë.”

Fjala “…Kjo bukë do të shërbejë si mikpritje për banorët e Xhenetit…” do të thotë për ata që do të hyjnë në Xhenet.” [1]

? Muhamed ibën Salih el-Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Pra, kjo do të jetë si mikpritje për banorët e Xhenetit. E gjithë kjo tregon për fuqinë e Allahut. Kjo tokë që është sot e cila përbehet nga balta, rëra, etj., Ditën e Gjykimit do të shndërrohet në ushqimin më të mirë.” [2]

? Muhamed Alij Adem el-Ethjubij, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Ky hadith përmban një sërë dobish:

E para: Këtu tregohet krijimi i çuditshëm i Allahut, të Pastrit nga çdo mangësi dhe të Lartësuarit, ku Ai do ta ndryshojë tokën duke e kthyer atë në bukë prej së cilës do të hanë njerëzit e Xhenetit.

E dyta: Këtu tregohet se çfarë do të bëjë Allahu për besimtarët; Ai do të përgatisë për ta një mikpritje ashtu si priten mysafirët. Ky është kulmi i mikpritjes dhe nderimit…” [3]

…………….

[1] Fet’hul-Barij (15/15)

[2] Sherhu Sahih el-Bukharij, 8/430

[3] El-Bahru el-Muhitu eth-Thexhaxh fi Sherhi Sahih el-Imam Muslim bin Haxhaxh, vëll. 20, fq. 357

 

Përktheu: Jeton Shasivari

← Kthehu në faqen kryesore
Aa
بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ

Kategoria

Duke ngarkuar...