Autor: Shejkh ‘Abdul-Latijf el-Kurdij
Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=151119
![]()
Filloj me Emrin e Allahut.
Të gjitha lavdet janë për Allahun, lavdërimet dhe paqja qofshin për të Dërguarin e Allahut, si dhe për Familjen e tij, Shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasojnë atë.
E më pas:
Vërtet, është bërë më i shpeshtë kohët e fundit akuzimi i Selefizmit kinse ai është i njëjtë me ISIS dhe se vetë ISIS është një pjellë Selefije-Uehabije. Dhe ky akuzim vjen nga tre grupime:
Grupimi i parë: janë armiqtë e Islamit, ata që thurin komplote kundër tij dhe duan t’i përziejnë letrat dhe ta godasin Selefizmin – i cili është Islami i vërtetë – me akuzën kinse nga ai dolën militantët e ISIS, ndërkohë që ata e dinë që janë gënjeshtarë në këtë akuzim që bëjnë.
Grupimi i dytë: janë adhuruesit e varreve në veçanti dhe bidatçijtë në përgjithësi, të cilët dështuan në përballjen e tyre me davetin e vërtetë Selefij, prandaj u mbështetën tek përhapje e pështjellimeve dhe shpifjeve.
Grupimi i tretë: janë disa njerëz të rëndomtë, të cilët janë ndikuar nga dy grupimet e para.
Me qëllim që të mos ketë fitne, mora përsipër që të sqaroj dallimet thelbësore që janë mes ISIS dhe Selefizmit, që kush jeton, të jetojë në argument të qartë, e kush shkatërrohet, të shkatërrohet në argument të qartë. Dhe suksesi është nga Allahu.
1 – Selefijt nuk i bëjnë qafira (mosbesimtarë) udhëheqësit e Muslimanëve, edhe nëse ata bëjnë zullume e gjynahe, për sa kohë që nuk shfaqin kufër të qartë. Dhe mosbërja tekfir mbi ta nuk do të thotë që Selefijt besojnë se çdo gjë që bëjnë udhëheqësit është e saktë dhe se çdo urdhër dhe vendim i tyre ëshë i drejtë në peshoren e Sheriatit. Përkundrazi, ne themi se ka gjëra që pranohen dhe ka gjëra që u hidhen poshtë. Kurse ISIS i bëjnë qafira udhëheqësit dhe besojnë se ata janë më të këqij se ata që janë qafira në origjinë.
2 – Selefijt besojnë se është obligim bindja ndaj udhëheqësve, përveç në gjërat që janë mosbindje ndaj Allahut. Mirëpo mosbindja ndaj tyre në gjërat që janë mosbindje ndaj Allahut nuk e bën të lejuar kryengritjen ndaj tyre, porse është detyrë që ata të këshillohen sa të jetë e mundur, me urtësi dhe edukatë. Kurse ISIS në parim nuk i konsiderojnë ata si udhëheqësa dhe as nuk besojnë në obligueshmërinë e bindjes ndaj tyre, porse besojnë që ata janë taguta dhe e bëjnë obligim kryengritjen ndaj tyre.
3 – Selefijt besojnë se gjaku i udhëheqësve është i paprekshëm. Kurse ISIS besojnë se derdhja e gjakut të të gjithë udhëheqësve është hallall.
4 – Selefijt nuk bëjnë tekfir mbi policinë, mbi ushtrinë dhe mbi forcat e sigurimit në vendet Islame, si dhe besojnë se gjaku i tyre është i paprekshëm. Kurse ISIS bëjnë tekfir mbi policinë, mbi ushtrinë dhe mbi forcat e sigurimit, si dhe besojnë se derdhja e gjakut të tyre është hallall.
5 – Selefijt besojnë se shtetet Islame sot janë toka Islame. Kurse ISIS besojnë se të gjitha këto shtete janë toka të kufrit.
6 – Selefijt besojnë se lufta që po bëjnë ekstremistët në këto vende është shkatërrim dhe nuk është xhihad sheriatik. Kurse ISIS besojnë se lufta që po bëjnë ata kundër qeverive Muslimane dhe popujve Muslimanë është xhihad.
7 – Selefijt besojnë se është prej Sunetit që të lutesh për udhëheqësit që të keni mirësi, rregullim, drejtim dhe sukses në gjykimin me Sheriatin e Allahut. Kurse ISIS e bëjnë obligim që të lutesh kundër tyre e jo në të mirë të tyre, si dhe besojnë se udhëheqësit janë qafira, prandaj si mund të bëhet dua në të mirë të qafirave, që ata të kenë sukses punimin me Sheriatin e Allahut?!
8 – Selefijt nuk derdhin mundin e tyre në grushte shteti, në revolucione e demonstrata, sepse qëllimi i tyre është nxjerrja e njerëzve nga errësira për në dritë, nga adhurimi i robërve për në adhurimin e Zotit të robërve, nga zullumi i feve të tjera për në drejtësinë e Islamit. Dhe këtë e bëjnë nëpërmjet këshillimit të sundimtarit dhe të sunduarve, si dhe duke thirrur tek Allahu me urtësi dhe këshillim të mirë dhe duke debatuar në mënyrën më të dobishme. E nuk është qëllimi i Selefijunëve që të marrin votat e njerëzve dhe të arrijnë karriget e pushtetit. Kurse ISIS besojnë se duhet të derdhin mundin e tyre në grushte shteti, në ndërrimin e qeverive nëpërmjet demonstratave dhe revolucioneve është obligim sheriatik, kurse ajo që bëjnë Selefijunët, si thirrja në Teuhid dhe Sunet dhe ruajtja e sigurisë së vendit, kjo sipas tyre është irrxha, tradhëti dhe ata janë shërbëtorë të sulltanëve.
9 – Selefijt besojnë se lufta (në Rrugë të Allahut) do të mbetet deri në Ditën e Kijametit, mirëpo kjo bëhet kur të plotësohet kushtet dhe kërkesat e saj dhe nuk ka asnjë pengesë. Kërkesa e saj është se kur bëhet fjalë për xhihad mbrojtës dhe xhihad sulmues, për të larguar pengesat nga rruga e thirrjes tek Allahu nëpër botë. Kurse kushtet që duhet të plotësohen janë: fuqia dhe mjaftueshmëria shpirtërore dhe siguria nga ndonjë fitne më e madhe. Kurse pengesat e luftimit janë: dobësia e Muslimanëve dhe mos-përgatitja e tyre nga ana shpirtërore, si dhe shkaktimi i dëmeve më të mëdha nga luftimi ose mos-arrijtja e dobive. Kurse ISIS pretendojnë se kuptimi i fjalës “Luftimi do të jetë i vazhdueshëm” është që mos i japësh luftës peshën që i takon. Kështu që, nëse ata nuk gjejnë ndonjë qafir që i lufton, atëherë vrasin Muslimanin dhe jo-Muslimanin që jeton në vendet Islame me marrëveshje, madje ajo që po shohim sot është se ata po vrasin njerëzit e Islamit dhe po i lënë idhujtarët.
10 – Selefijt i urdhërojnë njerëzit që t’i përmbahen bindjes ndaj udhëheqësve të tyre dhe që të mos rebelohen kundër tyre, se xhemati sheriatik është bashkimi i Muslimanëve në Islam, nën udhëheqjen e presidentit Musliman të shtetit dhe se rebelimi kundër këtij bashkimi është tradhëti, devijim dhe injorancë. Kurse ISIS i urdhërojnë njerëzit që t’i përmbahen vetëm bindjes ndaj udhëhëheqësit të ISIS, si dhe të rebelohen kundër udhëheqësve të shteteve Islame, sepse xhemati sipas tyre është vetëm xhemati i tyre, andaj kush del nga xhemati i tyre, bëhet hallall derdhja e gjakut të tij.
11 – Selefijt e bëjnë haram vrasjen e atyre jo-Muslimanëve që futen në shtetet Islame me marrëveshje dhe garanci. Kurse ISIS e bëjnë hallall gjakun e tyre dhe e bëjnë obligim vrasjen e tyre.
12 – Selefijt besojnë se ligjet e nxjerra nga njerëzit janë dy llojëshe: janë ato që e kundërshtojnë ligjin e Allahut, të cilat janë të refuzuara dhe janë kufër, kurse ai që i ka nxjerr dhe gjykon me to mund të jetë qafir ose mund të jetë zullumqar ose fasik (i pabindur ndaj Allahut); ose janë ato që nuk e kundërshtojnë ligjin e Allahut, siç janë ligjet administrative, të cilat i shërbejnë robërve dhe vendit, dhe ky lloj i ligjeve nuk është fare prej Xhahilijetit dhe kufrit, madje duhet t’u përmbahesh këtyre ligjeve – dhe Allahu e di më së miri –. Kurse ISIS besojnë se të gjitha ligjet e nxjerra nga njerëzit janë prej Xhahilijetit, janë devijim dhe kufër i madh, dhe se kush gjykon me to bëhet qafir me kufër të madh.
13 – Selefijt besojnë se patja e lidhjeve për çështje të dynjasë mes shteteve Muslimane dhe shteteve qafire nuk është haram, për sa kohë që kjo lidhje nuk përmban marrëveshje që bien ndesh me Sheriatin, si dhe besojnë se përkrahja dhe ndihmimi i idhujtarëve kundër Islamit dhe Muslimanëve është kufër. Kurse ISIS e bëjnë haram çdo lloj lidhjeje midis Muslimanëve dhe qafirave dhe gjykojnë se kjo është prej ndihmimit të idhujtarëve dhe se kjo lidhje është kufër.
14 – Selefijt besojnë se është e lejuar mirësjellja ndaj qafirit që nuk të lufton për fenë tënde dhe as të bën padrejtësi në çështjet e tua të dynjasë, bazuar në Fjalën e Allahut të Lartësuar:
لَّا يَنۡهَىٰكُمُ ٱللَّهُ عَنِ ٱلَّذِينَ لَمۡ يُقَٰتِلُوكُمۡ فِي ٱلدِّينِ وَلَمۡ يُخۡرِجُوكُم مِّن دِيَٰرِكُمۡ أَن تَبَرُّوهُمۡ وَتُقۡسِطُوٓاْ إِلَيۡهِمۡۚ إِنَّ ٱللَّهَ يُحِبُّ ٱلۡمُقۡسِطِين ﴿٨﴾
“Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët.” [el-Mumtehineh, 8]
Kurse ISIS besojnë se nuk lejohet mirësjellja me çdo lloj qafiri dhe nuk mbahet drejtësi me ta.
15 – Selefijt besojnë se parimi: “Kush nuk e deklaron qafir qafirin ose dyshon në kufrin e tij, edhe ai është qafir”, zbatohet mbi ata që janë qafira në origjinë dhe mbi murrtedët, ata të cilët i ka shpallur qafira Allahu dhe i Dërguari i Tij, kurse ata Muslimanë që bien në ndonjë prej gjynaheve ose në ndonjë formë të kufrit nuk shpallet qafir dhe po ashtu ai që nuk e bën qafir atë nuk shpallet qafir. Gjithashtu ky parim nuk zbatohet mbi atë që nuk bën qafir atë që e kanë shpallur qafir Khaurixhët ekstremistë padrejtësisht. Kurse ISIS besojnë se çdokush që nuk e bën qafir atë që ata e kanë bërë qafir, edhe ai vet ka bërë kufër, në të njëjtën mënyrë.
16 – Selefijt nuk e bëjnë qafir Muslimanin që i bën qafira ata, porse bëjnë qafir vetëm atë që e ka bërë Allahu dhe i Dërguari i Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe nuk e refuzojnë gabimin me gabim, as tekfirin me tekfir, porse e refuzojnë bidatin me Sunet, gabimin me atë që është e saktë, padrejtësinë me drejtësi dhe gjynahun me atë që është bindje ndaj Allahut. Pra, Selefijt i frikësohen Allahut për atë (person) që nuk iu frikësua Allahut kur i bëri zullum atyre. Kurse ISIS i bëjnë qafira Selefijt dhe besojnë se ata janë murrtedinë (kanë dalë nga Islami) dhe i kërcënojnë me prerje koke.
17 – Selefijt janë sebep i rendit dhe i sigurisë; ata i qetësojnë njerëzit që janë të ndezur nga entuziazmi dhe emocionet dhe u mësojnë atyre se si t’i shërbejnë Islamit dhe si ta ndihmojnë atë. Këto ata i bëjnë në përputhje me metodologjinë e Pejgamberëve. Kurse ISIS janë sebep i kaosit dhe fitneve; ata i nxisin të rinjtë mendjelehtë e të vegjël në moshë si të bëjnë gjakderdhje, i mësojnë si t’i nxjerrin Muslimanët nga Islami dhe si t’i therin sipas metodologjisë së Khauarixhëve.
18 – Selefijt drejtohen nga dijetarët edukatorë, të rrënjosur në dije e të mirënjohur. Kurse ISIS drejtohen nga injorantët.
19 – Selefijt janë mëshirë e udhëzues për njerëzimin. Ata janë njerëzit më të ditur rreth hakut dhe më të mëshirshmit për njerëzimin. Kurse ISIS kanë ardhur për t’i therur Muslimanët dhe janë njerëzit më të ashpër kundër tyre.
20 – Selefijt u kanë bërë dobi Muslimanëve, e kanë nxjerrë në pah bukurinë e Islamit dhe e kanë bërë atë të dashur për zemrat e njerëzve. Kurse ISIS e kanë shëmtuar namin e mirë të Muslimanëve dhe e kanë bërë Islamin që ta urrejnë zemrat e njerëzve.
21 – Selefijt besojnë se jo çdokush që bie në kufër bëhet qafir. Kurse ISIS besojnë se çdokush që bie në kufër bëhet qafir.
22 – Selefijt janë njerëzit që qëndrojnë më së shumti larg ekstremizmit dhe tekfirit. Kurse ISIS janë nga ekstremistët e tekfirit.
23 – Thirrja e Selefijve qëndron më larg se çdo thirrje tjetër nga ekstremizmi, sepse metodologjia e saj bazohet në tekstet e Shpalljes, të cilat kanë ardhur me rrugën e mesme dhe pikërisht kjo është metodologjia e Sahabëve – radij-Allahu ‘anhum – dhe e atyre që i pasojnë ata me mirësi, deri në Ditën e Llogarisë. Kurse thirrja e ISIS është ajo që qëndron më pranë ekstremizmit, sepse metodologjia e tyre bazohet tek pararendësit e tyre, Khauarixhët e hershëm, si dhe bazohet në librat e ekstremistëve bashkëkohorë, siç janë librat e Sejjid Kutbit dhe Meududit.
24 – Thirrja e Selefijve është përmirësim për sunduesin dhe të sunduarit, në aspektin e fesë dhe të dynjasë. Kurse ISIS as Islamin nuk e ndihmuan, as armikun nuk e thyen, as fenë nuk e zbatuan dhe as dynjanë nuk e rregulluan.
25 – Thirrja e Selefijve është rruga e vetme që i jep lavdi Muslimanëve dhe i poshtëron armiqtë e tyre, qafirat dhe mushrikët, por që të bëhet me urtësi dhe dije. Kurse thirrja e ISIS është ajo që më së shumti i poshtëron Muslimanët dhe u jep lavdi armiqve të tyre, mushrikëve dhe ateistëve, si dhe i tërheq ata drejt vendeve Muslimane që t’i pushtojnë.
26 – Selefijt e ndajnë Teuhidit në tre kategori: Rububijeh, Uluhijeh dhe el-Esmaa ues-Sifat. Kurse gjëja më e rëndësishme në Teuhid sipas ISIS është ai që ka shpikur zotëria i tyre, Sejjid Kutbi, që e quajti “Teuhid el-Hakimijeh”, nëpërmjet të cilit bëjnë tekfir mbi të gjithë udhëheqësit e Muslimanëve.
27 – Qëllimi i Selefijve është që t’u mësojnë njerëzve kush është Zoti i tyre, që ta adhurojnë Atë dhe të largohen nga shirku. Kurse qëllimi i ISIS është që të nxisë njerëzit kundër udhëheqësve të tyre dhe t’i rekrutojë ata në radhët e tyre kundër udhëheqësve.
28 – Selefijt i lidhin Muslimanët me Muhaxhirët, me Ensarët dhe me dijetarët edukatorë. Kurse ISIS i lidhin njerëzit me ideologët tekfirijunë kutbijunë. Edhe nëse pretendojnë se janë pasues të Selefëve (të parët e devotshëm të Muslimanëve), në të vërtetë selefët e tyre janë khauarixhët dhe jo Sahabët dhe dijetarët edukatorë.
29 – Selefijt largojnë sherrin dhe fitnet nga Muslimanët. Kurse ISIS e tërheqin sherrin dhe fitnet tek Muslimanët.
30 – Selefijt thërrasin tek Allahu me dituri të sigurtë dhe me urtësi, prandaj ata janë begati dhe mirësi për Muslimanët. Kurse ISIS veprojnë me injorancë dhe pa urtësi, prandaj ata janë fatkeqësi dhe sprovë e madhe për Muslimanët.
31 – Thirrja e Selefijve fillon me dëlirje dhe edukim (et-Tesfijeh uet-Terbijeh): dëlirje të besimit të Muslimanëve nga shirku, nga mohimi dhe deformimi i Cilësive të Allahut, nga përngjasimi dhe barazimi i Cilësive të Allahut me cilësitë e krijesave të Tij, që ata të edukohen me Teuhidin, që ta pastrojnë Allahun nga çdo gjë që i mvishet Atij, që ta madhërojnë, ta lartësojnë dhe t’i nënshtrohen Allahut të Lartësuar, si dhe që ta pasojnë të Dërguarin e Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –. Kurse thirrja e ISIS fillon me hakimije, që të përleshen për pushtet dhe që të vrasin këdo që del në rrugën e tyre. Ata nuk i kushtojnë rëndësi dëlirjes dhe edukimit të Muslimanëve.
Shkroi: Ebu ‘Abdil-Hak, Dr. ‘Abdul-Latijf Ibën Ahmed el-Kurdij
Më datë: 28 Dhjetor 2014
Përktheu: Alban Malaj
Më datë: 27 Mars 2015