Autor: Shejkh Rabij ibën Hadij el-Medkhalij
Burimi: “El-Ixhabatul-Xhelijjeh ‘anil-Kadaja el-Menhexhijjeh” fq. 48
Pyetja e tetëmbëdhjetë: Pyetësi thotë: Disa të rinj në vendin tonë thonë: “Nëse shohim një person që e shan Allahun apo tallet me Sunetin apo përdhos Mus’hafin duke qenë në dijeni dhe e bën këtë qëllimisht, ne nuk e bëjmë atë kafir derisa të vij një dijetar dhe t’i tregohet atij, kështu ai të gjykojë mbi të me kufër, por ama të tjerë përveç dijetarit nuk gjykojnë mbi të me kufër,” pra cila është…?
Shejkh Rabij: Këto çështje janë të qarta që s’kanë nevojë për argument. Këto janë prej çështjeve të qarta që nuk janë të nevojshme për një dijetar. A të mos falem derisa të ma lejojë mua namazin një dijetar (të më thotë se e ke obligim, sh.p.)?!
A të mos jap zekat derisa të më urdhërojë një dijetar për të dhënë zekat dhe të mos e bëj haram alkoolin përveç se të më thotë një dijetar se është haram?!
Këto janë gjëra të qarta që nuk kanë nevojë për fetvanë e një dijetari. Pra, nëse ti e dëgjon një njeri që shan Allahun, atëherë ne themi: “ai është kafir,” apo ai që përdhos Mus’hafin duke qenë në dijeni dhe e bën qëllimisht – siç e the ti – apo tallet me Islamin. Kjo u takon ‘auamëve (Muslimanëve të thjeshtë) që ta bëjnë kafir.
Pyetësi: A ta specifikojmë atë (duke bërë tekfir të veçantë – tekfir mu’ajjen)?
Shejkh Rabij: Po! E specifikon atë. Ka çështje të fesë që janë të njohura domosdoshmërisht, ato i din injoranti, njeriu i thjeshtë (‘ammij), Jehudiu, i Krishteri, të gjithë e dinë se këto janë prej Islamit. Kështu që, justifikimi me injorancë është për çështje të holla, kurse gjërat që s’kanë nevojë për argument dhe që janë të shkoqitura, për këto nuk ka justifikim me injorancë.
Një njeri që jeton në këtë vend (Arabi Saudite) apo në Algjeri dhe thotë: “Unë nuk e kam obligim namazin apo se alkooli nuk është haram!” Këto janë gjëra që dihen dhe ky njeri është kafir, e ka bërë të lejuar haramin dhe i ka mohuar gjërat që janë të njohura domosdoshmërisht në fe.
Pyetësi: E sa i përket kërkimit të ndihmës (istigatheh) nga dikush tjetër përpos Allahut (d.m.th çfarë gjykimi ka ai person që i kërkon ndihmë dikujt tjetër pos Allahut, sh.p.) o Shejkh?
Shejkh Rabij: Disa njerëzve ka mundësi që t’u fshihet Istigathe-ja, sepse njerëzit e devijimit dhe shirkut i kanë pështjelluar ata (duke iu futur dyshime), por nuk kanë mundur t’i pështjellojnë ata për sa i përket namazit, nuk kanë mundur t’iu pështjellojnë për sa i përket alkoolit (që është haram), dhe nuk kanë mundur t’i pështjellojnë në lidhje me shumë çështje që janë haram, ndërsa për istigathe-n kanë futur shumë dyshime dhe kanë ardhur me shumë pështjellime.
(Jusuf) en-Nebhanij shkroi një libër që e quajti “Sheuahidul-Hakk fi Xheuazil-Istigatheti bi Sejjidil-Khalk”, libër në të cilin e lejon shirkun dhe e zbukuron atë. Në këtë libër ai ka ndryshuar kuptimin e ajeteve të Kuranit dhe ka sjellë shumë dyshime dhe hadithe të shpikura. Këtë libër e kanë përkrahur dijetarët e Ez’herit dhe kanë shkruar se: “ky libër është i vërtetë (hak) dhe se ajo që përmban ai është Teuhid,” ndërsa ai libër është i mbushur me shirk. Kështu njerëzit e lexojnë një libër të këtillë dhe e lexojnë atë duke e mësuar te një filan që është prej thirrësve të së pavërtetës (d’uatul-batil), dhe kështu mashtrohen nga këto dyshime, dhe bëhen të fshehta për shumë njerëz.
Por çështja e namazit, feja e Allahut – Subhanehu ue Te’ala – dhe sharja ndaj Tij (që është haram) – Tebareke ue Te’ala –, këto çështje i di çdonjëri (që nuk lejohet ta shash Allahun apo fenë, etj, sh.p.).
Pyetësi: A bëhet ai kafir?
Shejkh Rabij: Sqaroja atij. Sillja argumentet dhe pas ngritjes së argumentit dhe heqjes së dyshimeve, e bën kafir atë nëse ai nuk tërhiqet.
Pyetësi: D.m.th ai thotë: “Unë kam mësuar nga shejkhu im”?
Shejkh Rabij: Thuaji atij: “Ke mësuar nga shejkhu jot dhe e ke mësuar këtë nga shejkhat e tu dhe e ke studiuar atë, por atë që ke mësuar dhe studiuar nga shejkhu jot është gabim.” Polemizo me të dhe sqaroje.
Pyetësi: E pas sqarimit o Shejkh?
Shejkh Rabij: Nëse ia sqaron atij argumentin dhe ia ke hequr dyshimin, ndërsa ai ngul këmbë në to, atëherë ai është kafir pa fije dyshimi.
Përktheu: Jeton Shasivari