Autor: Ibën Kajjim el-Xheuzijeh
Burimi: El-Feuaid, fq. 59
Dobi:
Allahu i Lartësuar ka thënë:
وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا
“Ata që bëjnë përpjekje (xhihad) për (të arritur kënaqësinë) Tonë, Ne me siguri se do t’i udhëzojmë ata në rrugët Tona.” el-‘Ankebut, 69
Allahu, i Pastri nga çdo mangësi, e ka lidhur udhëzimin me xhihadin. Pra, njerëzit që kanë udhëzim më të plotë janë ata që më së shumti bëjnë xhihad. Xhihadi më i obliguar është xhihadi me shpirtin, xhihadi me epshin, xhihadi me shejtanin dhe xhihadi me dunjanë. Ai që bën xhihad për hir të Allahut kundër këtyre katër gjërave, Allahu e udhëzon në rrugët e kënaqësisë së Tij, të cilat rrugë shpijnë në Xhenetin e Tij. E ai që e braktis xhihadin, ka për të humbur nga udhëzimi aq sa e lë pas dore xhihadin.
El-Xhunejdi ka thënë (duke e komentuar këtë ajet): “Ata të cilët bëjnë xhihad kundër epsheve të tyre për hir Tonin duke u penduar, pa dyshim se Ne do t’i udhëzojmë në rrugën e sinqeritetit.”
Nuk ka mundësi të bëjë xhihad kundër armikut të tij jashtëm vetëm se ai që bën xhihad kundër këtyre (katër) armiqve të brendshëm. Ai që i mposht këto armiqtë të brendshëm, e ka mposhtur armikun e tij të jashtëm, ndërsa atë që e mposhtin armiqtë e brendshëm, është mposhtur edhe nga armiku i jashtëm.
Përktheu: Jeton Shasivari