Autor: Shejkh Usameh el-Utejbi
Burimi: http://m-noor.com/showthread.php?t=16987
![]()
Lavdërimi i takon Allahut, lëvdata dhe shpëtimi qoftë për të Dërguarin e Allahut.
Më tej:
Kur vdes robi Musliman, i ndërpriten veprat e tij, përveç disa gjërave të cilat mbeten duke sjellë shpërblime e sevape edhe pas vdekjes së tij. Prej atyre gjërave janë:
1. Dija e dobishme me të cilën i mësoi njerëzit dhe nga ajo dije përfitojnë njerëzit pas vdekjes së tij.
2. Lëmosha e rrjedhshme (sadakatun xhaarijeh) e çfarëdo lloji qoftë ajo.
3. Fëmija e devotshëm i cili lutet për të (prindin e vdekur), kërkon falje për të, jep lëmoshë për të, dhe bën vepra të mira të cilat janë transmetuar në Sheriat se pranohen për të vdekurin, siç janë Haxhi dhe Umreja.
Muslimani është i urdhëruar që të sillet mirë me prindërit dhe të jetë bamirës ndaj tyre. Kjo është detyrë Sheriatike që nuk ndërpritet me vdekjen e prindërve, përkundrazi, sjellja e mirë ndaj tyre vazhdon edhe pas vdekjes së tyre. Nga kjo mirësjellje dhe respekt i ynë ndaj baballarëve dhe nënave tona – o ju Muslimanë – është që të mundohemi duke bërë lutje për ta gjatë jetës së tyre dhe pas vdekjes së tyre.
Kjo është një nga gjërat madhështore që tregojnë për madhështinë e Islamit, simbolet e tij, përmasat e thellësisë së Islamit për lidhjen midis baballarëve dhe nënave me bijtë e tyre. Po ashtu tregon për madhështinë, rëndësinë e lidhjes familjare, sjelljen me zemërgjerësi, dhe t’u japësh atyre nga pasuria aq sa ke mundësi.
Fëmija, qoftë mashkull apo femër, është nga fitimi i dy prindërve të tij, sepse ata dy e edukuan dhe meqë ata ishin shkak i udhëzimi të tij, shpërblimi i veprave të tij i kthehet edhe atyre dyve. Po ashtu, nga ajo që merr pjesë në ngritjen e gradave të prindërve në xhenet është duaja dhe kërkimi i faljes për prindërit.
Transmetohet nga Ebu Hurejra – radijAllahu anhu – se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:
“Vërtetë Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar do ta ngrejë gradën e një robi të devotshëm në xhenet, e ai do të thotë: “O Zot! Prej nga më erdhi kjo?” Ai do t’i thotë: “Për shkak të kërkimi të faljes së birit tënd për ty.”
Dhe në një transmetim tjetër thuhet: “Për shkak të lutjes së birit tënd që e bëri për ty.”
Këtë hadith e ka transmetuar Imam Ahmedi, Ibën Ebi Shejbeh, Ahmed bin Munië, Bezari, Taberanij në “el-Eusat ue ed-Dua,” si dhe të tjerë, dhe zinxhiri i tij është i mirë. Es-Sahihah (1598).
Seid bin Musejjeb – rahimehullah – ka thënë: “Thuhej se njeriu ngrihet (në grada në xhenet) për shkak të lutjes së birit të tij pas vdekjes së tij (babait), dhe ai u lut duke i ngritur duart drejt qiellit.”
Transmeton Maliku në “el-Muetta,” Shafiu në “el-Um,” dhe Ibën Ebi Shejbeh me zinxhir të saktë.
Transmetohet nga Amër bin Dinar – rahimehullah – se Ibën Umeri – radijAllahu anhuma – nuk donte të martohej, kështu që Hafsa – radijAllahu anha – i tha atij: “Martohu sepse nëse të lind një fëmijë dhe jeton pas vdekjes tënde, ai do të lutet për ty.”
Transmeton Shafiu në “el-Um,” Ibën Sad në “et-Tabakat,” dhe Bejhakiu me zinxhir të saktë.
O Allah! Fali prindërit dhe nënat tona dhe mëshiroji ata. Ngrijua gradat e tyre në librin “Ilijjin” dhe bëji ata banorë të Firdeusit dhe atë që është gjallë nga ata, bëje të jetojë me iman, udhëzim dhe bindje dhe forcoje derisa të të takojë Ty.
Allahu është më i Dituri.
Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë për Pejgamberin tonë Muhamedin.
Përktheu: Jeton Shasivari