Poezia El-Haijjeh e Ibn Ebij Dauud es-Sixhistanij – rahimehullah – rreth Akijdes së Ehli-Sunetit dhe Xhematit
![]()
1 – Kapu pas Litarit të Allahut dhe ndiqe Udhëzimin,
E mos u bëj Bidatçi, që të arrish Ngadhënjimin,
2 – Le të jetë Feja jote Kur’ani dhe Suneti i Pejgamberit,
Kështu do të shpëtosh e do të arrish cakun e Fitimit,
3 – Mos thuaj Fjala e Mbretit tonë është krijim,
Se kështu besuan të Devotshmit që folën qartë pa dyshim,
4 – Mos ji si ata që për Kur’anin s’mbajnë qëndrim,
siç thanë ithtarët e Xhehmit, tek kjo bënë lëshim,
5 – E mos thuaj recitimi i Kur’anit është krijim,
Ngase Fjala e Allahut bëhet e qartë me shqiptim,
6 – Dhe thuaj Allahu do ta shfaqë Veten e Tij haptazi,
sikur Hëna e plotë që s’fshihet, do të duket Zoti yt qartazi,
7 – Ai s’është i lindur e nuk ka lindur fëmij,
Asgjë s’është si Ai, i Lartësuar është i Madhërishmi,
8 – E me të vërtetë këtë gjë e mohon Xhehmi,
Por për këtë që themi hadithin e qartë dëshmi e kemi,
9 – E transmetoi Xheriri nga fjalët e Muhamedit,
Andaj thuaj siç tha ai, të jesh në rrugën e shpëtimit,
10 – Dy Duart e Tij, Xhehmiu gjithashtu i mohon,
Por të Dy Duart e Tij janë të hapura, përherë dhuron,
11 – Dhe thuaj zbret Imponuesi çdo natë pa pyetur si,
I Lartësuar është Ai, i Vetmi që meriton çdo lavdi,
12 – Zbret në qiellin e Dunjasë, nga Bujaria e Tij dhuron pafundësisht,
Atëherë kur çelen portat e qiellit dhe hapen tërësisht,
13 – Thotë: A ka ndonjë që kërkon falje, që Unë ta mëshiroj,
A ka ndonjë që kërkon mirësi e furnizim, Unë t’i dhuroj,
14 – E transmetuan këtë njerëz, hadithi i të cilëve u pranua,
Mirëpo humbi ai që i përgënjeshtroi, dhe u poshtërua,
15 – Dhe thuaj: njerëzit më të mirë pas Muhamedit janë padyshim,
dy mëkëmbësit e tij të parë, pastaj Uthmani, ky është më i miri qëndrim,
16 – Dhe i katërti, më i miri pas tyre është Aliu,
të cilin e shoqëroi e mira dhe me të ngadhënjeu,
17 – Pastaj janë njerëzit, gradën e të cilëve askush nuk e dyshon,
Janë mbi Devet e Firdeusit që shkëlqejnë kudo shkojnë,
18 – Se’idi, Sa’di, Ibn ‘Aufi dhe Talha,
Amiri i Fihrit dhe Zubejri i cili ka shumë lëvdata,
19 – Ashtu edhe A’ishah, Nëna e Besimtarëve,
dhe Dajën tonë, Mu’auijen nderoje, të arrish cakun e mirësive,
20 – Dhe Ensarët me Muhaxhirët që shtëpitë e tyre i lëshuan,
Me ndihmën që i dhanë Pejgamberit nga Errësira e Zjarrit shpëtuan,
21 – Dhe pas tyre Tabi’unët, ata që i ndoqën në mirësi,
mbahu pas fjalëve dhe veprave të tyre, do të shpëtosh me lehtësi,
22 – Dhe për të gjithë Sahabët fjalët më të mira thuaj,
Mos u bëj kritikues i tyre, mos i përfol e mos i shaj,
23 – Zaten, Shpallja e Qartë ata i ka vlerësuar,
në suren el-Fet`h, në shumë ajete Sahabët janë lavdëruar,
24 – Dhe për Kaderin e Allahut ji më se i bindur,
ai është shtyllë e Fesë, e gjithë kjo Fe mbi të është ngritur,
25 – E Nekirin dhe Munkerin me injorancë mos i moho,
As Haudin me Peshoren, andaj merre këtë këshillë e mos refuzo,
26 – Thuaj: Allahu i Madhërishëm me Mirësinë e Tij do të nxjerr,
Trupat e shkrumbuar, të zhuritur në Zjarr,
27 – Hidhen në Lumin e Firdeusit, me ujin e tij ringjallen,
siç mbin fara që mbart rryma e ujit ashtu do të këndellen,
28 – Sigurisht, i Dërguari i Allahut për robërit do të ndërmjetësojë,
Dhe vërtetë dënimi i varrit është hak, kush mund ta mohojë,
29 – Dhe mos e bëj qafir namazliun edhe pse gjynahe bën,
Se të gjithë bëjnë gjynahe, e Zoti i Arshit i fal dhe i mëshiron,
30 – Dhe mos beso ashtu si Khuarixhët, se atë besim,
E ndjek pasuesi epshit, ai që shkon në rrënim e poshtërim,
31 – E mos u bëj Murrxhij që luan me fenë e tij,
E s’ka dyshim se me Fenë tallet ai Murrxhij,
32 – Dhe thuaj: Imani është fjalë dhe nijet dhe punë,
sikurse Pejgamberi qartazi e ka thënë,
33 – Nga gjynahet pakësohet dhe nga bindja shtohet,
Dhe në Peshoren e asaj Dite Imani rëndohet,
34 – Dhe qëndro larg mendimeve dhe fjalëve që thonë njerëzit,
Se fjala më e pastër e më e qartë është ajo e Pejgamberit,
35 – E mos u bëj si ata që me fenë e tyre luajnë,
Kurse Dijetarët e Hadithit i shajnë e i gjuajnë,
36 – E Nëse mbas këtij besimi fortë do të lidhesh,
do të jesh në mirësi kur ngrysesh e kur gdhihesh.
Përktheu: Alban Malaj