Nga dijetari bujar, dr.Salih Ibn Feuzan el-Feuzan
Silsiletu Sherhu-Resail [fq. 168-174]
![]()
Të gjitha falenderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të Botëve, dhe paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin tonë Muhamed dhe mbi Familjen dhe Shokët e tij.
إِنَّ اللَّهَ لَا يَسْتَحْيِي أَن يَضْرِبَ مَثَلًا مَّا بَعُوضَةً فَمَا فَوْقَهَا ۚ فَأَمَّا الَّذِينَ آمَنُوا فَيَعْلَمُونَ أَنَّهُ الْحَقُّ مِن رَّبِّهِمْ ۖ وَأَمَّا الَّذِينَ كَفَرُوا فَيَقُولُونَ مَاذَا أَرَادَ اللَّهُ بِهَٰذَا مَثَلًا ۘ يُضِلُّ بِهِ كَثِيرًا وَيَهْدِي بِهِ كَثِيرًا ۚ وَمَا يُضِلُّ بِهِ إِلَّا الْفَاسِقِينَ
الَّذِينَ يَنقُضُونَ عَهْدَ اللَّهِ مِن بَعْدِ مِيثَاقِهِ وَيَقْطَعُونَ مَا أَمَرَ اللَّهُ بِهِ أَن يُوصَلَ وَيُفْسِدُونَ فِي الْأَرْضِ ۚ أُولَٰئِكَ هُمُ الْخَاسِرُونَ
“Vërtet, Allahut nuk turpërohet që të sjellë shembull qoftë edhe një mushkonjë, apo aq më tepër kur ajo është më e madhe se kjo. Dhe sa për ata që besojnë, ata e dinë se ajo është e vërteta nga Zoti i tyre; sa për ata që nuk besojnë, ata thonë: Çfarë don të na thotë Allahu me këtë shembull? Me këtë Ai bën që shumë të humbasin, ndërsa shumë të tjerë i udhëzon. Dhe Ai i humb ata që janë të pabindur ndaj Tij. Ata që e thyejnë Besën e dhënë Allahut pasi që e kanë pranuar atë dhe e ndërpresin atë çfarë Allahu ka urdhëruar për të mbajtur lidhje dhe bëjnë çrregullime në tokë, mu këta janë të humburit”. El-Bekare, 26-27
Allahu Subhanehu ue Te’ala ka paraqitur shembullin e muuehidit (atij që adhuron vetëm Allahun) dhe mushrikut (atij që adhuron të tjerë në vend të Allahut apo bashkë me Allahun). Allahu Subhanehu ue Te’ala thotë:
ضَرَبَ اللَّهُ مَثَلًا رَّجُلًا فِيهِ شُرَكَاءُ مُتَشَاكِسُونَ وَرَجُلًا سَلَمًا لِّرَجُلٍ هَلْ يَسْتَوِيَانِ مَثَلًا ۚ الْحَمْدُ لِلَّهِ ۚ بَلْ أَكْثَرُهُمْ لَا يَعْلَمُونَ
“Allahu ju sjell një shembull: një rob që e kanë në bashkëpronësi disa pronarë së bashku, që hahen me njëri tjetrin, dhe një rob i cili i përket plotësisht një pronari të vetëm. A janë këta të dy të barabartë në krahasim? Gjithë lavdërimet dhe falenderimet i takojnë Allahut! Por shumica e tyre nuk e dinë”. Ez-Zumer, 29
Mushriku ka shumë zota. Ai adhuron shumë idhuj dhe nuk e di se cilin prej tyre ta kënaqë. Gjendja e tij është si ajo e robit që ka shumë zotërinj dhe të gjithë ata janë pronarët e tij. Çdonjëri prej tyre do që robi t’i bindet dhe të zbatojë dëshirat e tij edhe pse dëshirat e tija bien në kundërshtim me dëshirat e zotërinjve të tjerë. Kjo gjë e lë të shastisur robin e varfër mes gjithë këtyre zotërinjve, duke mos ditur se cilin prej tyre ta kënaqë.
Megjithatë, sa i përket muuehidit,
shembulli i tij është si shembulli i atij robit që zotërohet krejt nga një person i vetëm, plotësisht i qetësuar nga dëshirat dhe tekat e tija. Ai është në harmoni totale me zotërinë e tij, i pastër nga pasja e konfliktit, mosmarrëveshjes dhe shqetësimit. Ai është një rob që zotërohet nga një njeri i vetëm. Kjo është gjendja muuehidit i cili është rob i një zoti, dhe ai është Allahu Subhanehu ue Te’ala. Ai i përmbush detyrat e tija fetare ndaj Allahut dhe largohet nga ato që e zemërojnë Atë.
A janë këta të dy të barabartë në krahasim?
Kjo pyetje është bërë për të tërhequr vëmendjen. Padyshim që këta të dy nuk janë të barabartë! Allahu Subhanehu ue Te’ala e paraqit këtë shembull për të treguar dallimin midis shirkut dhe teuhidit. Dhe Allahu jep më tej një tjetër shembull për të treguar kotësinë e shirkut në thënien e Tij:
حُنَفَاءَ لِلَّهِ غَيْرَ مُشْرِكِينَ بِهِ ۚ وَمَن يُشْرِكْ بِاللَّهِ فَكَأَنَّمَا خَرَّ مِنَ السَّمَاءِ فَتَخْطَفُهُ الطَّيْرُ أَوْ تَهْوِي بِهِ الرِّيحُ فِي مَكَانٍ سَحِيقٍ
“Dhe kushdo që i emëron shokë e të barabartë Allahut, kjo është sikur ai të kishte rënë nga qielli dhe ta kishin kapur zogjtë, ose sikur era ta kishte hedhur në një vend të largët e të humbur”. El-Haxh, 31
Muuehidi ka një pozitë të ngritur dhe një gradë të lartë tek Allahu Subhanehu ue Te’ala. Sa i përket mushrikut, shembulli i tij është si i atij që bie nga një lartësi. Duke i bërë shirk Allahut, ai bie nga lartësia në të cilën janë njerëzit e teuhidit dhe nga vendi më i ngritur. Kështu që mushriku bie nga një lartësi jashtëzakonisht e madhe. Si mendon se do të jetë gjendja e tij duke rënë? Allahu na ruajt nga një gjë e tillë! Nëse ai do të ndeshet në ajër me ndonjë shpend, shpendi do t’ia shqyejë e copëtojë mishin atij në ajër. Dhe nëse ai do të ishte i aftë që të mbijetonte prej atij shpendi, atëherë era do ta çonte në një distancë të largët, në një tokë të vetmuar, duke e hedhur atë në një vend të shkretë e të pabanuar, ku nuk ka as ujë, ose më saktë, aty nuk ka hiçgjë tjetër për të.
Po ashtu mushriku e paraqet veten e tij tek dëshirat, rrugët dhe idetë, të cilat kanë për ta copëtuar e shkapërderdhur atë dhe përfundimisht kanë për ta shkatërruar. Ky është shembulli i muuehidit dhe mushrikut. Muuehidi është në një vend të lartë e të ngritur tek Allahu Subhanehu ue Te’ala për shkak të teuhidit dhe të sinqeritetit të tij. Mushriku, nga ana tjetër, është në rënie të lirë nga vendi i lartë dhe është në rënie të lirë nga teuhidi, duke e ekspozuar veten e tij para çdo shkatërrimi e humbje. Kjo është gjendja e mushrikut i cili është i ekspozuar para çdo shkatërrimi e epshi dhe para çdo fitneje e shejtani, Allahu na ruajt nga një gjë e tillë! Çdo sprovë i shkakton atij mjerim dhe dyshim. A është i barabartë i pari (muuehidi) me të dytin (mushrikun)?
Në fund të së njëjtës sure, Allahu na jep një tjetër shembull, ku na tregon kotësinë e shirkut dhe thotë:
يَا أَيُّهَا النَّاسُ ضُرِبَ مَثَلٌ فَاسْتَمِعُوا لَهُ ۚ إِنَّ الَّذِينَ تَدْعُونَ مِن دُونِ اللَّهِ لَن يَخْلُقُوا ذُبَابًا وَلَوِ اجْتَمَعُوا لَهُ ۖ وَإِن يَسْلُبْهُمُ الذُّبَابُ شَيْئًا لَّا يَسْتَنقِذُوهُ مِنْهُ ۚ ضَعُفَ الطَّالِبُ وَالْمَطْلُوبُ
“O njerëz! Është thurur një përngjasim për ju, kështu që dëgjoni mirë: me të vërtetë ata, të cilëve ju u drejtoheni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë kurrë, madje as edhe një mizë, edhe sikur të mblidheshin të gjithë së bashku për këtë qëllim. Dhe nëse miza rrëmben diçka prej tyre, ata nuk do të kenë aspak fuqi për ta rimarrë atë prej mizës. Kështu pra, i dobët është edhe lutësi edhe i luturi”. El-Haxh, 73
Të gjithë idhujt dhe çdo gjë që adhurohet veç Allahut nuk mund të krijojnë qoftë edhe një mizë. Kështu që si mund të adhurohen ata në vend të Allahut kur ata nuk mund të krijojnë qoftë edhe një mizë, e cila është gjëja më e vogël e më e pavlerë? Nuk u kërkua prej tyre që ata të krijonin tokë, ose të krijonin një mal, ose të krijonin një deve, ose një lopë, ose një njeri, por veçse një mizë, gjëja më e parëndësishme. Kjo është një sfidë nga Allahu Subhanehu ue Te’ala për idhujt e mushrikëve. Kështu që nëse ata nuk janë të aftë që të krijojnë një mizë, atëherë si mund të adhurohen ata bashkë me Krijuesin i cili krijoi çdo gjë, i Madhëruar e i Lartësuar është Ai. Allahu është Krijuesi i gjithçkaje, Krijuesi i Gjithëdijshëm. Askush nuk mund t’i kundërshtojë aftësitë e Tij. Kështu që si mund të krahasohet Ky (Krijuesi) dhe ata (idhujt)? Ky është një shembull i qartë i kotësisë së shirkut dhe se ai nuk ka asnjë themel, bazë apo shtrirje.
لَن يَخْلُقُوا
“Nuk mund të krijojnë kurrë …”
Vë re te shprehja
لَن يَخْلُقُوا
“Nuk mund të krijojnë kurrë …”, e cila përfshin të ardhmen deri në Ditën e Ringjalljes. Kjo është një sfidë e vazhdueshme deri në Ditën e Ringjalljes. Kështu që çdo mushriku, që u lutet të tjerëve veç Allahut, i duhet thënë: Ajo gjë që ti po adhuron, a është e aftë që të krijojë një mizë? Ky shembull është për gjithçka që adhurohet, përfshi statujat, idhujt, shenjtorët, njerëzit e mirë, varret, pemët, gurët, etj. Për sa kohë që këta (të adhuruar) janë të paaftë që të krijojnë qoftë edhe një mizë, atëherë si mund të meritojnë ata që të adhurohen?
أَفَمَن يَخْلُقُ كَمَن لَّا يَخْلُقُ ۗ أَفَلَا تَذَكَّرُونَ
“A është njësoj Ai i Cili krijon me atë që nuk mund të krijojë? A nuk do të përkujtoni atëherë?” En-Nahl, 17
وَالَّذِينَ يَدْعُونَ مِن دُونِ اللَّهِ لَا يَخْلُقُونَ شَيْئًا وَهُمْ يُخْلَقُونَ
أَمْوَاتٌ غَيْرُ أَحْيَاءٍ ۖ وَمَا يَشْعُرُونَ أَيَّانَ يُبْعَثُونَ
“Ata që ju u luteni në vend të Allahut, nuk kanë krijuar ndonjë gjë, porse ata vetë janë të krijuar. Ata janë të vdekur, të pajetë”. En-Nahl, 20-21
قُلْ أَرَأَيْتُمْ شُرَكَاءَكُمُ الَّذِينَ تَدْعُونَ مِن دُونِ اللَّهِ أَرُونِي مَاذَا خَلَقُوا مِنَ الْأَرْضِ أَمْ لَهُمْ شِرْكٌ فِي السَّمَاوَاتِ أَمْ آتَيْنَاهُمْ كِتَابًا فَهُمْ عَلَىٰ بَيِّنَتٍ مِّنْهُ ۚ بَلْ إِن يَعِدُ الظَّالِمُونَ بَعْضُهُم بَعْضًا إِلَّا غُرُورًا
“Më thoni, çfarë mendoni për (të ashtuquajturit prej jush) zotat/shokë të cilëve ju u luteni në vend të Allahut, më tregoni çfarë kanë krijuar ata nga toka? Apo mos kanë ata ndonjë pjesë në qiej?” El-Fatir, 40
Mushrikët nuk kanë mundësi që të deklarojnë se të adhuruarit e tyre (idhujt) kanë krijuar qoftë një mizë dhe as nuk do të kenë mundësi që ta bëjnë një gjë të tillë në të ardhmen. Madje edhe tani, në një kohë kur teknologjia ka përparuar dhe ka ndryshuar, zanatçiu më i mirë në botë dhe doktorët më profesionistë në botë janë të paaftë që të krijojnë qoftë edhe një mizë. Ata janë të aftë që të prodhojnë një aeroplan, i cili mban pasagjerë, duke bashkuar pjesë të ndryshme (mekanike, elektronike). Ky është një produkt i qëndrueshëm për të cilin njeriu ka mësuar për të dhe ka arritur ta njohë atë. Sidoqoftë, është Allahu i Cili e bëri të mundur këtë njohuri për ne, që ne ta vëmë në punë këtë njohuri dhe të kemi dobi prej saj. Po, është e mundur që njeriu të bëjë një aeroplan apo anije. Mirëpo, sa për krijimin, jo, ai nuk mund të krijojë qoftë edhe një mizë! Kjo është nga të drejtat që i takojnë vetëm Allahut Subhanehu ue Te’ala.
أَفَمَن يَخْلُقُ كَمَن لَّا يَخْلُقُ ۗ أَفَلَا تَذَكَّرُونَ
“A është njësoj Ai i cili krijon me atë që nuk mund të krijojë? A nuk do të përkujtoni atëherë?” En-Nahl, 17
Dhe më pas Ai thotë:
وَإِن يَسْلُبْهُمُ الذُّبَابُ شَيْئًا
“Dhe nëse miza rrëmben diçka prej tyre …”
D.m.th. nëse miza, më e dobëta e krijesave, do të rrëmbente diçka, si për shembull parfum apo flori që janë vendosur tek ky idhull. Dhe është nga praktikat e mushrikëve që të vendosin sende (me vlerë) tek ata që i adhuronin, si për shembull xhevahire, flori, parfum dhe temjan. Kështu pra, nëse një mizë vjen e rrëmben diçka të vogël që është vendosur te këta idhuj, a janë të aftë këta idhuj që ta rikthejnë atë që rrëmbeu miza? Ata janë të paaftë që vetë ta ruajnë copën më të vogël nga miza.
وَإِن يَسْلُبْهُمُ الذُّبَابُ شَيْئًا لَّا يَسْتَنقِذُوهُ مِنْهُ ۚ ضَعُفَ الطَّالِبُ
“Dhe nëse miza rrëmben diçka prej tyre, ata nuk do të kenë aspak fuqi për ta rimarrë atë prej mizës. Kështu pra, i dobët është edhe lutësi …” i cili është mushriku,
وَالْمَطْلُوبُ
“… edhe i luturi” i cili është i adhuruari në vend të Allahut, i Lartësuar është Ai. Një mizë i mposhti ata të gjithë! Ky është një nga shembujt më madhështorë të kotësisë së të bërit shok Allahut, i Lartësuar është Ai (nga kjo gjë).
Megjithatë është e mundur që mushrikët të thonë: “Ne nuk themi se ata që ne i adhurojmë janë krijues bashkë me Allahun. Allahu është Krijuesi i vetëm dhe ne e pranojmë këtë. Ai është Krijuesi, Furnizuesi, i Vetmi që jep jetë dhe vdekje, dhe i Vetmi që i rregullon të gjitha çështjet. Ne e besojmë këtë gjithashtu. Por këta që ne i adhurojmë janë robër të mirë të Allahut dhe ne vetëm se dëshirojmë që ata të ndërmjetësojnë për ne tek Allahu. Ne i marrim ata thjesht si një mënyrë afrimi (teuesul). Ne vetëm i adhurojmë ata që të na sjellin më afër tek Allahu. Ne e dimë se ata nuk mund të krijojnë apo furnizojnë. Megjithatë ata janë robër të mirë të Allahut të cilët kanë një vend të lartë tek Ai dhe ne dëshirojmë që ata të na sjellin më afër tek Allahu e t’i luten Atij për ne dhe të veprojnë si ndërmjetës për ne”.
Kështu që në këtë përfundim ata presin kurban për ata dhe zotohen në emrat e tyre, si dhe bëjnë tauaf në varret e tyre dhe mblidhen rreth tyre. Ata u kushtojnë atyre llojet e ndryshme të adhurimit dhe në të njëjtën kohë ata e pranojnë se të adhuruarit e tyre nuk mund të krijojnë, furnizojnë ose të rregullojnë çështjet në çfarëdo forme apo mënyre. Më saktë, ata duan prej tyre vetëm që ata të ndërmjetësojnë në llogari të tyre tek Allahu. Allahu, i Lartësuar është Ai, e shkatërron këtë dyshim me shembullin e mëposhtëm:
ضَرَبَ لَكُم مَّثَلًا مِّنْ أَنفُسِكُمْ ۖ هَل لَّكُم مِّن مَّا مَلَكَتْ أَيْمَانُكُم مِّن شُرَكَاءَ فِي مَا رَزَقْنَاكُمْ فَأَنتُمْ فِيهِ سَوَاءٌ تَخَافُونَهُمْ كَخِيفَتِكُمْ أَنفُسَكُمْ ۚ كَذَٰلِكَ نُفَصِّلُ الْآيَاتِ لِقَوْمٍ يَعْقِلُونَ
“Ai ju sjell shembull nga vetë vetja juaj. A keni ju të barabartë nga ata të cilët i mban dora juaj e djathtë (robërit tuaj), që t’i keni të barabartë në pasurinë që Ne ju kemi dhuruar juve? A ua keni frikën (atyre) siç ia keni njëri-tjetrit? Kësisoj i shpjegojmë Ne treguesit (shenjat) me imtësi për popullin që kupton”. Er-Rum, 28
Kështu pra, nëse ti nuk do të jesh i gëzuar që dikush të ndajë me ty robërit e tu, si mund të jesh atëherë i lumtur për Allahun që një prej robërve të Tij po i shoqërohet Atij (në adhurimin e Tij). Dhe ata, mushrikët, thoshin në telbijen e tyre (në haxh): “Ja ku jam (o Allah)! Ti nuk ke shokë përveç atij shoku që është për Ty. Ti e zotëron atë dhe atë që zotëron ai”. Prandaj Allahu ka thurur këtë përngjasim për ta.
Dhe suksesi (teufik) është prej Allahut. Paqja dhe bekimet qofshin mbi Profetin tonë Muhamed, dhe mbi familjen dhe shokët e tij.
Përktheu: Alban Malaj