Autor: Shejkh Muhamed bin ‘Abdul-Uehhab el-‘Akil

Burimi: Ligjëratë e transkriptuar nga një audiokasetë

 

 

Pyetje: O Shejkh, ne duam nga ju disa sqarime se si davetçiu apo studenti i dijes mund të jetë i dobishëm apo i suksesshëm në Thirrjen Islame, pavarësisht faktit që ai jeton në Perëndim; dhe si duhet t’u përgjigjet ai pyetjeve të tilla që janë objekt polemikash, por pa e njollosur nderin e Islamit?

 

Përgjigje: Pikë së pari, nuk është mirë që të flasin të gjithë për Fenë Islame, me përjashtim të Ulemave dhe studentëve të dijes. Nuk ka pasur gjë më të dëmshme për këtë Fe sesa ata injorantë që marrin përsipër të flasin rreth Fesë, ngase ata nuk flasin as me dije dhe as me urtësi. Prandaj Allahu Krenar e i Madhërishëm ka thënë:

 

ادْعُ إِلَى سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ وَجَادِلْهُمْ بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ

“Thirr në Udhën e Zotit tënd me Urtësi dhe me këshillë të ndershme dhe të bukur dhe bisedo me ta në mënyrën më të mirë.” [en-Nahl, 125]

 

Dhe Allahu ka thënë:

 

وَلا تُجَادِلُوا أَهْلَ الْكِتَابِ إِلا بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ

“Diskutoni me ithtarët e Librit veçse në mënyrën më të mirë.” [el-Ankebut, 46]

 

Ju e shikoni që çështja e të bërit Da’ue meriton njëfarë fik’hu (d.m.th. ka nevojë për botëkuptim). Prandaj, jo çdo gjë që e dini duhet ta thoni, për shembull: ajo që është e përshtatshme të thuhet në Medine nuk është e përshtatshme të thuhet në Mekke; ajo që është e përshtatshme të thuhet në Mekke nuk është e përshtatshme të thuhet në Egjipt; ajo që është e përshtatshme të thuhet në Egjipt nuk është e përshtatshme të thuhet në Britani; dhe ajo që mund të jetë e përshtatshme të thuhet në Britani mund të mos jetë e përshtatshme të thuhet në Amerikë. Shumë nga këto çështje kërkojnë që njeriu të jetë i mençur, të jetë inteligjent dhe të ketë mendjemprehtësi, veçanërisht sepse sot ka një axhendë (programe) anti-Islame. Më saktë, davetçiu apo studenti i dijes duhet të përmendë aq sa mjafton për të përmbushur synimin e tij dhe duhet të flasë rreth temës pa hyrë në shumë detaje, duke pasur frikë se mos dëgjuesi nuk i kupton detajet e disa çështjeve të caktuara apo mund t’i kuptojë ato gabimisht dhe mundet që ai të jetë i dëmshëm për të dhe për Fenë e tij.

Njësoj si rasti kur Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha për atë personin: “Çfarë njeriu i keq që është ai…” Por kur ai hyri te shtëpia e tij, Pejgamberi i buzëqeshi dhe u soll me të shumë mirë. Domethënë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – nuk i foli atij asnjëherë drejtpërdrejt nga frika e dëmit që ai mund t’i shkaktonte.

 

Da’ueti sot – veçanërisht në Perëndim – ka nevojë për Ulema dhe Fukaha, ata që dinë të dallojnë se çfarë është e dobishme dhe çfarë është e dëmshme. Allahu ju bekoftë, çdonjëri prej nesh e di pa pikë dyshim se çfarë është e dobishme dhe e dimë të gjithë se çfarë është e dëmshme, mirëpo kur dobia dhe dëmi janë të përziera njëkohësisht në një situatë, kush është ai që di se si duhet trajtuar kjo situatë?

Tamam ashtu siç ka thënë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

“Me të vërtetë Hallalli është i qartë dhe Harrami është i qartë, mirëpo midis tyre ka gjëra të dyshimta rreth të cilave shumë njerëz nuk kanë dije…”

Sepse vërtet çdo Musliman e di se çfarë është Hallall dhe çfarë është Harram, mirëpo sa i përket çështjeve që janë të dyshimta, ato që janë Harram nga një këndvështrim dhe janë Hallall nga një këndvështrim tjetër, atëherë shumë pak mund t’i kuptojnë ato. Ju nuk jeni të detyruar që kur të pyeteni se kush është gjykimi i Islamit për homoseksualitetin, të përgjigjeni me hollësi ashtu siç e keni mësuar, por duhet të thoni: Po, homoseksualiteti në Islam është Harram (i ndaluar) dhe ai përbën një krim që meriton ndëshkim në bazë të Sistemit Ligjor Islamik. Nëse ata thonë: “Kush është ndëshkimi kapital?” Atëherë ju përgjigjuni duke u thënë që ata t’i kthehen Sistemit Ligjor Islamik dhe aty kanë për ta gjetur përgjigjen që kërkojnë. Ju nuk e keni për detyrë as si davetçi e as si student që t’u përgjigjeni pyetjeve të tilla dhe as që të përmendni gjithçka që dini kur vendosni të përgjigjeni.

 

Një diçka tjetër është se duhet të kuptohet – Allahu ju ruajtë – se Islami është një rrugë dhe kushtetutë e përsosur për jetën dhe duke e ngulitur këtë fort në mendje, nuk është prej urtësisë, mençurisë, ndershmërisë dhe drejtësisë së davetçiut apo studentit që të veçojë një element apo një pjesë të këtij sistemi të përsosur dhe ta debatojë atë qoftë me Muslimanët që nuk i kuptojnë tamam rregullat themelore të Fesë, apo me ata që nuk janë Muslimanë, të cilët nuk kanë haber fare nga Feja për shkak të keqkuptimeve.

 

Unë po ju jap një shembull: Le të marrim si shembull një makinë që lëviz si rezultat i të gjitha elementeve që përbëjnë automjetin, mirëpo sikur të hiqni vetëm një pjesë nga motori, atëherë ju do thoni se ajo është një pjesë e parëndësishme që nuk ka dobi apo vlerë për shkak se është një element i mëvetësishëm. Por, po ta merrni këtë pjesë dhe ta vendosni bashkë me elementët e tjerë që përbëjnë makinën, atëherë ajo do luajë një rol të rëndësishëm ashtu sikurse pjesët e tjera të makinës dhe ju do ta kuptoni se makina nuk mund të funksionojë pa të dhe kjo pjesë nuk ka asnjë vlerë pa makinën në tërësi!!

 

E njëjta gjë është edhe me masat ndëshkimore në Islame, gjykimet Sheriatike, çështjet e Miqësisë dhe Armiqësisë (el-Uela’ uel-Bera’) dhe pjesët e tjera të Fesë. Po t’i shikosh ato një e nga një të ndara nga njëra-tjetra, ndoshta nuk do arrish të shohësh urtësinë apo dobinë që kanë ato, mirëpo po t’i shohësh ato të gjitha si një tërësi elementesh që përbëjnë Fenë, ndoshta atëherë do ta shohësh rëndësinë dhe domethënien e tyre. Allahu ju ndihmoftë. Kur Feja e Allahut përbëhej vetëm nga një element në Qytetin e Shenjtë të Mekës, ky element nuk ishte veçse Teuhidi. Ky ishte elementi i vetëm i Fesë Islame gjatë asaj kohe. Atëherë nuk kishte as namaz e as agjërim, mirëpo Muslimanët ishin të lirë që të faleshin si të dëshironin gjatë ditës dhe natës. Atëherë nuk kishte Zekat, as Haxh dhe as masa ndëshkimore, madje Muslimanët ende pinin alkool ngaqë pirja e alkoolit nuk e kundërshtonte parimin e Teuhidit. Por kur pirja e alkoolit ra në kundërshtim me Fenë? Ndodhi atëherë kur ata emigruan në Medine dhe aty u shpallën një sërë ligjesh të Fesë, ngase kur Namazi u bë obligim, atëkohë pirja e alkoolit binte në kundërshtim me Fenë, siç thotë Allahut:

 

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لا تَقْرَبُوا الصَّلاةَ وَأَنْتُمْ سُكَارَى حَتَّى تَعْلَمُوا مَا تَقُولُونَ

dhe mos iu qasni namazit kur jeni të dehur, derisa të kuptoni se çfarë po thoni…” [en-Nisa, 43]

 

E shikoni pra vëllezër të nderuar? Kështu që, është gabim nga ana e davetçiut apo studentit të dijes që të debatojë për elemente të caktuar të Fesë pa pasur parasysh faktin që Feja është një sistem i kompletuar dhe se është detyrë për davetçiun apo studentin e dijes që të fillojnë me parimet themelore të Fesë. Për shembull, ai thotë: “Sot do debatoj për çështjen e masës ndëshkimore të Zinasë.” Kjo është gabim. Madje nuk ju lejohet që të debatoni për çështjen e masës ndëshkimore të Zinasë si një temë e izoluar apo e mëvetësishme sepse njerëzve nuk do t’u mbushet mendja kurrën e kurrës! Ata nuk kanë për të kuptuar! Ose ai thotë: “Do debatoj për çështjen e Hixhabit.” Njerëzve nuk do t’u mbushet mendja kurrë dhe as nuk do të pajtohen me Hixhabin, ngase ky është një element i veçuar që është marrë nga një sistem i kompletuar. Por, qëndrimi i tij duhet të jetë në debatin rreth themeleve të këtij sistemi të kompletuar, si për shembull: bukuria e Islamit dhe çfarë i bëri Feja Islame shoqërisë 1400 vite më përpara. Kur njerëzit mësuan nëpërmjet Fesë Islame kuptimin e vërtetë të vëllazërisë, ata u bashkuan dhe kishin dashuri për njëri-tjetrin.

 

Islami hyri në zemrën e një njeriu që më përpara ishte bishë e egër, i cili krejt papritur u shndërrua në një njeri plot butësi, edukatë, dhembshuri dhe dashuri, i cili tani e do nënën e tij. Më përpara ai e keqtrajtonte dhe nuk e respektonte atë, kurse tani ai puth këmbët e saj nga respekti dhe nderimi për të. Dhe ai e keqtrajtonte gruan e tij, çdo ditë e rrihte dhe pastaj kënaqej duke kryer marrëdhënie me të, por mbas dy muajsh ai e divorcon dhe martohet me një tjetër, mirëpo sot i njëjti person i frikësohet Zotit të tij për të drejtat e saj në Islam, i respekton ndjenjat e saj, qan dhe kujdeset për gruan dhe fëmijët e tij. Çfarë ishte ajo që e ndryshoi rrënjësisht këtë njeri? Ishte Feja Islame!!!

 

Andaj shikojeni Islamin duke filluar nga bazat e tij sepse me të vërtetë Perëndimi ka nevojë për një paraqitje të duhur të Fesë pasi ata që kanë programet (axhendat) e tyre kundër Islamit janë të fortë, ata nuk janë fëmijë. Ata janë të fortë e të organizuar, madje janë shtete të fuqishme, organizata, individë dhe grupe me përvojë të cilët kanë axhendat e tyre kundër Fesë Islame dhe kështu ata nuk mund të refuzohen dot nga studentë të vegjël e të papërvojë të cilët sapo janë diplomuar në institutin e gjuhës Arabe apo nga dikush që e mban veten si nxënës dije por që në fakt ai nuk ka studiuar rreth fesë. Këta njerëz ose duhen refuzuar me dije ose përndryshe duhet të heshtësh. Studentët e dijes nuk duhet të nguten për të dalë në krye menjëherë sapo diplomohen, siç kanë thënë: “Shoku injorant ka për të të dëmtuar më shumë sesa armiku i mençur.” Kjo për shkak se armiku i mençur mund të dëmtojë apo të vendosë në vështirësi në një situatë të caktuar, kurse shoku injorant ka për të dëmtuar në më shumë rrugë të ndryshme të cilat as që nuk i merr dot me mend.

 

Këta njerëz nuk do të marrin në llogari vetëm për një fjalë që thua dhe do ta mbyllin me kaq! Përkundrazi, ata kanë plane dhe strategji për të ardhmen, ata shkruajnë libra dhe bëjnë shumë gjëra të tjera. Dhe mos i merrni gjërat në mënyrë sipërfaqësore se kështu më shumë i dëmtoni vetet tuaja dhe Fenë sesa sillni ndonjë të mirë, Allahu na ndihmoftë! Andaj është detyrë për davetçiun dhe studentin e dijes që të jenë të mençur dhe të kuptojnë se këto çështje duhen parë në tërësinë e tyre ngaqë problemi në Perëndim qëndron se ata veçojnë një aspekt të Fesë, e analizojnë atë dhe në bazë të atij aspekti ndërtojnë një perceptim për të gjithë Fenë. Për shembull ata thonë: “Përse gratë në Arabinë Saudite nuk mund të ngasin makinën?” ose thonë: “Përse gruaja Muslimane nuk mund të punojë?” ose: “Përse burri mund të martohet me dy apo tre gra?”

Ne martohemi me dy apo tre gra që të parandalojmë marrëdhëniet seksuale jashtë kurorës martesore.

Nëse do të pyesnit ndonjërin prej tyre: “Sa herë keni bërë marrëdhënie seksuale jashtë kurorës martesore?” Ndoshta disa mund të përgjigjen: “Më shumë se njëqind herë!” A mund ta bëjë këtë një njeri i mençur? A mund të krenohesh e të mburresh me një gjë të tillë? Ju bëni të tilla vepra të turpshme dhe në të njëjtën kohë ju jeni përgjegjës për përhapjen e SIDA-s dhe sëmundjeve të tjera të cilat transmetohen nëpërmjet marrëdhënieve seksuale dhe bëjnë shkatërrim të madh në tokë. Këtu qëndron problemi në Perëndim sepse ata marrin ato çështje të dobishme që sipas tyre janë objekt kritike dhe nga ana tjetër i lënë mënjanë ato aspekte që janë të qarta e të logjikshme për cilindo. Për shembull, çështja e poligamisë në Islam. Madje edhe gratë Muslimane nuk e kanë qejf këtë çështje për shkak të xhelozisë së theksuar që ato kanë ndonjëherë apo për shkak se nuk e kuptojnë Urtësinë e Allahut që e bëri atë të lejuar. Kështu, ata (armiqtë e Islamit në Perëndim) gjejnë ndonjë grua Muslimane të cilës nuk i pëlqen poligamia dhe e marrin në intervistë – gjë të cilën e kam parë me sytë e mi – dhe e pyesin çfarë mendon ajo për poligaminë. Ajo do të përgjigjet duket thënë se nuk i pëlqen, ndërsa ata do të thonë më pas: “E shikoni! Edhe vet gruas Muslimane nuk i pëlqen poligamia!! Shikoni se si Islami i shtyp gratë e tyre!!” Ata shkëpusin disa copëza nga Feja, por unë betohem në Allah se sikur Islami t’u paraqitej atyre në tërësi dhe i plotë, gjithëpërfshirës, betohem në Allah se nuk do kishte mbetur njeri në faqen e tokës pa hyrë në Fenë Islame me zemër të hapur, me përjashtim të atyre që janë mendjemëdhenj dhe inatçinj.

 

Prandaj, roli i davetçiut dhe studentit të dijes është që të mësojnë dhe të edukojnë Muslimanët e thjeshtë se zinaja është haram, se kamata është haram dhe se homoseksualiteti është haram, ndonëse Allahu nuk ua ka bërë obligim njerëzve të thjeshtë që të mësojnë detajet e të tilla çështjeve delikate, madje edhe nëse vdesin pa i ditur kjo nuk i dëmton fare ata.

 

Mësojini dhe edukojini se Islami erdhi që të përsosë normat e sjelljes dhe karakterin. Mësojuni atyre Teuhidin, edukojini dhe jepini rëndësi faktit që Allahu duhet të veçohet në adhurim dhe se t’i kushtosh adhurim tjetër kujt në vend të Allahut është Shirk, si dhe çështje të tjera të cilat duhet t’i dijë dhe t’i kuptojë patjetër çdo Musliman, çështje të tilla si Namazi dhe rregullat e tij, Agjërimi dhe rregullat e tij, Zekati dhe rregullat e tij si dhe Haxhi dhe rregullat e tij.

 

Unë jetoj mu në kryeqytetin e Teuhidit dhe njëherë në një mësim kam përmendur se të kalosh në ekstrem në lidhje me njerëzit e mirë e të devotshëm dhe të thurësh vargje me ilahi për ta të shpie në shirk, por disa njerëzve nuk u pëlqeu ajo që thashë! Unë thashë të njëjtën gjë që ka thënë Shejkhu i nderuar ‘Abdul-‘Azijz Ibn Baz – Allahu pastë mëshirë për të – mirëpo atyre prapëseprapë nuk u pëlqeu, ndërkohë që jetojmë pikërisht në kryeqytetin e Teuhidit!!

 

Por sa e rëndë mund të jetë gjendja në vendet tuaja?! Kështu që, kuptimi i Fesë është detyrë për thirrësin, për studentin e dijes dhe për ata studentë që nguten të dalin në ballë pa pasur dije. Ata duhet të kenë frikë Allahun e të mos flasin për Fenë Islame përveç se me dije të saktë sepse çdo gjë që ata thonë e veprojnë do të merret në konsideratë dhe do të analizohet. Andaj mos u ngutni o vëllezër të nderuar që të dilni në ballë. Por nëse nuk keni rrugëzgjidhje tjetër, atëherë e keni detyrë që t’u mësoni njerëzve ato çështje të Fesë të cilat janë të qarta e jo të dyshimta, çështjet rreth hallallit dhe haramit, dhe lërini çështjet e dyshimta. Dhe kur ata vijnë te ju me këto çështje, ju thoni: “Unë kuptoj që zinaja është harram dhe se namazi është obligim!”

 

Dhe kur ata t’ju pyesin për gjykimet e Xhihadit, atëherë thoni: “Nuk e di! Shkoni tek Dijetarët e Islamit sepse ne kemi dijetarë të mëdhenj në Islam te të cilët mund të shkoni e t’i pyesni për çfarë të doni, sepse ata më kanë mësuar atë që kam detyrë të zbatoj nga Feja ime në vendin tim, kurse hollësitë e tjera të këtyre çështjeve unë nuk i di.”

  

 

 

Përktheu: Alban Malaj