Mes Shpresës dhe Frikës:
Sufjan Ibn Ujejne (v.198H), Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ai, gjynahu i të cilit është për shkak të epshit, atëherë mbaji shpresat për të; dhe ai, gjynahu i të cilit është për shkak të kryelartësisë, atëherë frikësohu për të, sepse Ademi (paqja qoftë mbi të) e bëri gjynahun për shkak të epshit dhe u fal; kurse Iblisi e bëri gjynahun për shkak të kryelartësisë dhe u mallkua.”
[Transmetuar nga Imam Dhehebi në Sijer A’lamun-Nubela (8/471)]
Shenjat e Vëllazërisë të Vërtetë:
Ali Ibn Ebi Talib, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Vëllai yt është ai i cili nëse ndonjëherë të shkakton ndonjë dëm, atëherë ai nuk rresht së paturi mëshirë ndaj teje. Nuk është vëllai yt ai i cili, nëse të vështirësohen çështjet, ai fillon të të shajë e të të ofendojë.”
[Transmetuar nga Ibn Kethiri në el-Bidaje uen-Nihaje (7/128)]
Dobësimi i Dëvotshmërisë:
Imam Hasan el-Basri (v.110H), Allahu e mëshiroftë, ka thënë kur pa një grup njerëzish që po debatonin me njëri-tjetrin: “Këta janë lodhur duke bërë ibadet, llafet u janë bërë më të lehta dhe devotshmëria e tyre ka rënë dhe kjo është arsyeja përse po bëjnë muhabet.”
[Transmetuar nga Ahmedi në ez-Zuhd (fq.272) dhe Ebu Nu’ajm në el-Hiljetul-Eulija (2/156)]
Ijas Ibn Mu’auije (v.122H), Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk ka njeri që s’i njeh të metat e tij, përveç ai që është budalla.” I thanë: “Po e meta jote kush është?” Ai tha: “Të folurit e tepërt.”
[Transmetuar nga Ebu Nu’ajm el-Esbahani në Hiljetul-Eulija (3/124)]
Mburoja e Dijetarit:
Imam Malik Ibn Enes (v.179H), Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Mburoja e dijetarit është thënia ‘Nuk e di’. Nëse ai e harron atë, atëherë do ta godasin armiqtë e tij.”
[Hiljetul-Eulija (6/323)]
el-Hajthem Ibn Xhemil ka thënë: “E dëgjova Malikun të pyetej për 48 çështje. Ai u përgjigj për 32 prej tyre duke thënë ‘Nuk e di’.
[Transmetuar nga Ibn Abdul-Berr në Xhami’ul-Bejanil-Ilm ue Fadlihi (2/25)]
Abdur-Rrahman Ibn Mehdi (v.198H), Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ishim me Malik Ibn Enes kur erdhi një person dhe tha: “O Ebu Abdullah, kam udhëtuar një distancë prej gjashtë muajsh. Njerëzit e vendit tim më dërguan që të pyes për një çështje.” Ai tha: “Pyet!” Kështu, personi e pyeti për disa gjëra, kurse ai u përgjigj: “Nuk e di.” Personi kujtoi se kishte ardhur tek dikush që dinte gjithçka, kështu që i tha: “Çfarë t’u them tani njerëzve të vendit tim kur të kthehem?” Ai tha: “Thuaju që Malik Ibn Enes nuk e dinte.”
[Transmetuar nga Ibn Ebi Hatim në el-Xherh uet-Ta’dil (1/17)]
Dije të Dobishme apo Muhabet
Abdullah Ibn Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Jeni në një kohë në të cilën ka shumë dijetarë kurse ata që flasin janë të pakët. Pas jush do të vijë një kohë në të cilën dijetarët do të jenë të pakët kurse ata që flasin do të jenë të shumtë.”
[Transmetuar nga taberani në el-Kebir (n.8066) dhe Bukhari në Edebul-Mufrad (n.789) dhe el-Hafidh Ibn Haxher e ka deklaruar të saktë në Fet’hul-Bari (10/1510)]
Përktheu Alban Malaj