‘Abdullah bin Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë:

“Këndimi hedh rrënjët e nifakut (hipokrizisë) në zemër ashtu siç hedhin rrënjë barishtet e perimet nga uji.”

Transmetuar nga Ibn Battah në el-Ibanetul-Kubra (vëll.2, fq. 469), dhe Bejhakiu në es-Sunenul-Kubra (vëll. 52, fq. 231).

Ibn Kajjim el-Xheuzije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë në Medarixhus-Salikin (vëll. 1, fq. 487):

 

“Këto janë fjalët e dikujt që e kuptoi plotësisht këndimin dhe efektet e tij, sepse nuk ka njeri që këndon apo dëgjon këngë vazhdimisht, përveç se zemra e tij bie në nifak (hipokrizi) pa mundur që ai ta kuptojë. Nëse një person i tillë e ka kuptuar realitetin e nifakut dhe fundin e tij, ai ka për ta parë atë mu në zemrën e tij. Kurrë nuk bashkohen dashuria për këngën dhe dashuria për Kur'anin në zemrën e një personi, përveç se njëra ka për ta larguar tjetrën. Unë dhe të tjerë kemi dëshmuar se sa i rëndë është Kur'ani për këngëtarët dhe ata që dëgjojnë këngë; se si ata mblidhen kruspull kur lexohet ai (Kur'ani) dhe se si inatosen me kënduesin kur ai e zgjat këndimin e Kur'anit për ta (në namaz), dhe se si zemrat e tyre nuk kanë dobi nga ajo çfarë këndon ai (prej Kur'anit): ata rrinë në vend duke mos bërë as edhe një gjë nga ai. Por kur vjen kur'ani i Shejtanit, la ilahe il-lAllah! Si i ulin zërat e tyre e bien poshtë! Si ndihen të qeta zemrat e tyre dhe fillojnë të qarët dhe emocionet, si lëvizin para e mbrapa dhe shpenzojnë në rroba e parfume, dhe rrinë zgjuar tërë natën duke shpresuar. Nëse ky nuk është nifak, atëherë padyshim që kjo është rruga që të shpie tek ai dhe themeli i tij.”

 

Përktheu Alban Malaj