Hasedxhiu është armik i mirësisë që ka dhënë Allahu. Ai nuk gjen prehje, nuk gjen rehat, nuk i qetësohet mendja dhe as nuk i largohet stresi, derisa ai të shikojë që mirësia ka mbaruar dhe është larguar dhe nuk ka mbetur më në dorën e personit që ai e ka hased.

Shembulli i hasedxhiut është si shembulli i nepërkës që është e mbushur plot me helm, e cila nuk gjen qetësi derisa të nxjerrë jashtë helmin e saj. Ka thënë Ibnul-Kajjim - Allahu e mëshiroftë! -:

"Kjo për arsye se shpirti i fëlliqur e hasedxhi, merr trajta të fëlliqura dhe përballet në këtë mënyrë me personin që e ka hased, duke ndikuar kështu për keq tek ai. Gjëja që i ngjan më shumë hasedxhiut është nepërka, ngaqë ajo e mban me zor helmin përbrenda vetes së saj dhe kur përballet me armikun, ajo e shfryn një zemërim të fuqishëm dhe merr një trajtë të fëlliqur për të bërë dëm. Ka disa nepërka që marrin një trajtë aq të keqe e të rëndë, aq sa është e aftë që të shkaktojë abortimin te gruaja shtatzënë, e disa të tjera janë të afta që të shkaktojnë heqjen totale të shikimit."

Përktheu: Alban Malaj