Nga Dijetari i Jemenit, Imam Mukbil Ibn Hadij el- Uadi'i

Shkëpur nga libri i tij: “Ligjshmëria e Faljes së Namazit me Këpucë” [fq.35-37]

Së pari: Mes dëmeve të mëdha që ka braktisja e faljes së namazit me këpucë është se shumica e Muslimanëve janë bërë injorantë për sa i përket këtij Suneti. Ata gjithashtu mendojnë se ai që e fal namazin e tij me këpucë ka bërë një gjynah të madh dhe kërkojnë që të zbatojnë mbi të po ato gjëra që kërkojnë t’i zbatojnë mbi njerëzit e gjynaheve të mëdha.

Njëherë, kur isha në Jemen, dëgjova një kujdestar xhamie të thoshte: “Ishte një njeri që kishte qenë në Arabinë Saudite dhe pastaj u kthye në vendin e tij (Jemen) dhe deshte të hynte në xhami. Kështu që i thashë: “Uallahi! Po hyre në xhami me këpucët e tua kam për të t’i thyer këmbët me të vërtetë!” Dhe ai pretendon se është nga njerëzit e dijes, edhe pse ai është injorant rreth medh’hebit të tij sepse Sheukani ka thënë kur ka folur për ligjshmërinë e faljes së namazit me këpucët e mbathura: “Mes atyre që mendojnë se kjo është Mustehab janë hadeuijët edhe pse njerëzit e rëndomtë mes tyre nuk pranojnë ta njohin atë. Imam el-Mehdi ka thënë në el-Bahr: “Dhe është Mustehab kur ke këpucë të pastra në sajë të thënies së tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Faleni namazin me këpucët tuaja…” e deri në fund të hadithit.

 

Dikur kam parë një grup njerëzish në Haramul-Mekkij (Xhamia e Shenjtë në Mekke) që ishin mbledhur rreth një burri poshtë vendit të mikrofonit, që po e kritikonin pse e kishte falur namazin me këpucë. Njëri prej tyre tha: “Ky është Shejtan!” domethënë burrin që u fal me këpucë. Fatkeqësisht, ai që e tha këtë është nga ata që e falin namazin pesë herë në ditë me xhemat në Haram (në Mekke) dhe nuk ka dyshim se sikur ai ta kishte ditur nuk do të ishte kaq guximtar sa ç’ishte kundër vëllait të tij Musliman kur i tha atij se ishte Shejtan.

Gjithashtu e kam parë një burrë kur isha në Bisha (qytet në Jug të Arabisë Saudite) pamja e të cilit tregonte shenja mirësie dhe drejtësie, i cili kritikonte çdokënd që falej me këpucët të mbathura. Kështu që i thanë: “Në të vërtetë ky është Sunet”, dhe ai u përgjigj: “Allahu më ruajt nga ky Sunet!”

Dhe ajo që është më e rëndë se e gjithë kjo është se kur një nga vëllezërit deshte ta zbatonte këtë Sunet për hir të Allahut në el-Haramul-Medeni (Xhaminë e Shenjtë në Medine) njerëzit e kritikuan tej mase për këtë gjë.

E gjithë kjo është për shkak se njerëzit e dijes e kanë lënë pas dore kryerjen e këtij Suneti. Sikur njerëzit e dijes ta kishin vepruar atë, atëherë ne nuk do të kishte qenë e nevojshme për ne që të mblidhnim këto hadithe dhe t’i përhapnim ato mes njerëzve. Është gjithashtu për shkak se njerëzit i kanë braktisur librat e Sunetit dhe sikur ata t’u referoheshin atyre, atëherë kurrfarë dyshimi nuk do t’i zinte ata rreth ligjshmërisë së faljes së namazit me këpucë dhe se ky është një Sunet me të cilin jemi urdhëruar.

Së dyti: Nga dëmet e braktisjes së kryerjes së namazit me këpucë është se disa nga ata që kryejnë namazin i mbledhin ato (këpucët) në një vend. Kjo mund të jetë shkak i prishjes së safave, ndërkohë që jemi të urdhëruar që t’i drejtojmë safet dhe jemi paralajmëruar që të mos i lëmë ata të shtrembër. Unë vetë i kam dëshmuar safet e shtrembëruar në oborrin e Haramit (Xhamisë së Shenjtë) në Mekke për shkak të grumbullimit stivë të këpucëve sepse nuk mund të gjesh dot ndonjë vend në saf për shkak se ka shumë njerëz.

Së treti: Gjithashtu, mes këtyre dëmeve është që shumë nga ata që e falin Namazin e neglizhojnë atë duke parë poshtë për këpucët e tyre përpara se të hyjnë në dyert e xhamisë sepse ata nuk kanë për qëllim që të falen me to. Ndonjëherë disa prej tyre sjellin pisllëqe me këpucët e tyre dhe kur i heqin, ato shkunden brenda në xhami. E gjithë kjo vjen si pasojë e braktisjes së Sunetit, i cili është që ato të kontrollohen që tek dera dhe t’i fshijmë në pluhur nëse në to ka pisllëqe.

Së katërti: Se ai që fal namazin mund të frikësohet se mos i janë vjedhur këpucët. Kështu ai shqetësohet në namaz aq sa ai e largon fare frikërespektin (khushu’) e tij dhe frikërespekti (khushu’) është elementi më parësor i namazit, siç thotë Allahu i Lartësuar: (përkthimi shqip I kuptimit të ajetit)

 

Me të vërtet kanë fituar Besimtarët. Ata të cilët janë të nënshtruar në faljen e namazit (duke e falur atë me frikën dhe respektin që i takon).

[Mu’minun, 1-2]

Poashtu neve na kanë mbërritur hadithet të cilat na nxisin për të eliminuar çdo gjë që u tërheq vëmendjen atyre që falin namazin. Muslimi transmeton në Sahijhun e tij nga Aisha (radij-Allahu anha) se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk ka namaz kur ushqimi është i shtruar dhe as kur të shtrëngojnë dy nevojat personale.

Gjithashtu Bukhari dhe Muslimi kanë transmetuar në Sahihët e tyre nga Enesi (radij-Allahu anhu) se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nëse është shtruar darka, atëherë fillo së pari me të përpara se të falësh namazin e Akshamit.” Ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e tha këtë në mënyrë që të arrihet frikërespekti (el-khushu’).

Përktheu: Alban Malaj