Çfarë është thirrja ‘Selefije’?

 

Thirrja “Selefije” është thirrja e Kur'anit dhe Sunetit, e pastër dhe e kulluar nga çdo shtesë, mangësim apo ndryshim. Ajo është rruga e tri brezave të parë të Muslimanëve; ajo është thirrja për në Fenë e Allahut ashtu siç e kuptuan dhe e praktikuan këto tri breza të arta. Prandaj i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - ka thënë:

“Njerëzit më të mirë janë ata të brezit tim, pastaj ata që vijnë pas tyre, dhe pastaj ata që vijnë pas tyre.” [Transmetuar nga Bukhari dhe Muslimi]

 

 

Kush janë ‘Selefët’ dhe kush janë ‘Selefijtë’ ?

 

“Selefët” janë njerëzit e devotshëm të brezave të parë të Muslimanëve. Ky titull i referohet Shokëve (Sahabëve) të Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, ndjekësve të tyre (Tabi’inëve) dhe ndjekësve që erdhën pas tyre (Etba’u Tabi’in). Vlera e tyre është theksuar nga Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, i cili ka thënë:

“Nuk do të pushojë së ekzistuari një grup nga Umeti im, fitimtarë në të vërtetën; ata nuk do të dëmtohen nga ata që do t’i braktisin apo do t’i kundërshtojnë. Ata do të vazhdojnë në këtë gjendje derisa të luftojnë Mesinë e rremë, Dexhalin.” [Transmetuar nga Muslimi]

 

Ai - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - sqaroi se ky grup i shpëtuar do të jenë Shokët e tij - radij-Allahu ‘anhum - dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre. Ai - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - ka thënë:

“Umeti i im do të ndahet në 73 sekte, të gjithë do të shkojnë në Zjarr me përjashtim të njërit.” Dhe kur ai u pyet se kush është grupi i shpëtuar, ai u përgjigj: “Ata që ndjekin rrugën ku jam unë sot dhe Sahabët e mi.” [Hadith Sahih, transmetuar nga Tirmidhiu]

 

Kështu që, “Selefij” është çdo njeri që ndjek me zell e me sinqeritet rrugën e Selefëve sa më shumë që të ketë mundësi.

 

 

Kush janë themelet kryesore të rrugës që ndoqën Selefët?

 

1- Nënshtrimi vetëm ndaj Allahut në Teuhidin e Tij (në Rububijen, Uluhijen dhe Emrat e Cilësitë e Tij).

2- Ndjekja e Rrugës së Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - në çdo aspekt të jetës.

3- Pastrimi i shpirtit duke u bazuar në tekstet e qarta të Kur’anit dhe Sunetit.

 

 

Përse quhemi ‘Selefij’?

 

Ne i quajmë vetet tona Selefij sepse ne duam të cilësohemi me Selefët. Ata janë njerëzit të cilët i ka përmendur Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - kur ka thënë:

“Njerëzit më të mirë janë ata të brezit tim, pastaj ata që vijnë pas tyre, dhe pastaj ata që vijnë pas tyre.” [Transmetuar nga Bukhari dhe Muslimi].

Ky cilësim nuk është vetëm me një person apo me disa persona që ne i pasojmë verbërisht. Por ky cilësim është me të gjithë brezat e parë, për shkak se individët mund të bëjnë gabime, kurse për Muslimanët e parë në tërësi është premtuar se ata nuk kanë për t’u bashkuar kurrë në devijim, sikurse ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel’-lem -:

“Umeti im nuk ka për t’u bashkuar kurrë në devijim.” [Hadith Sahih, transmetuar nga Tirmidhiu]

 

 

A është përdorur më parë termi ‘Selef’ apo ‘Selefij’ nga Muslimanët e hershëm?

 

Po, ky term është përdorur edhe nga vetë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, kur ai i tha Fatimes:

“Unë jam për ty një Selef i bekuar.” [Hadith Sahih, transmetuar nga Muslimi]

 

Gjithashtu, Ebu Hanife dhe Imam el-Euza’i i urdhëruan njerëzit që të kapen pas rrugës së Selefëve, pa përmendur këtu Imamët e tjerë. Shohim po ashtu se ky term është përdorur nga Imam Tirmidhiu, Imam Ahmed Ibn Hanbel, Imam es-Semani, Imam Darakutni, Imam Ibn Tejmije, Imam Ibn Kethir etj. Nga dijetarët e kohës së sotme që janë emërtuar me këtë titull (Selefij) janë, Shejkhul-Albani, Shejkh Ibn Baz, Shejkh Ibn ‘Uthejmin, Shejkh Salih el-Feuzan (Allahu pastë mëshirë për të gjithë ata) dhe shumë të tjerë. Kështu që, ky titull nuk është i ri dhe as nuk është shpikje e ndonjë grupi apo partie, por ai është përdorur për 1400 vjet me radhë nga disa prej Dijetarëve më të mëdhenj të Islamit.

 

 

Kush janë synimet e Thirrjes Selefije?

 

1. Kthimi tek Kur'ani dhe Suneti i Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - në çdo aspekt të jetës dhe kuptimi i tyre (Kur'anit dhe Sunetit) sipas kuptimit të Shokëve të Pejgamberit dhe atyre që i i pasuan (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata). Të vepruarit sipas Fjalës së Allahut:

وَمَن يُشَاقِقِ الرَّسُولَ مِن بَعْدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُ الْهُدَىٰ وَيَتَّبِعْ غَيْرَ سَبِيلِ الْمُؤْمِنِينَ نُوَلِّهِ مَا تَوَلَّىٰ وَنُصْلِهِ جَهَنَّمَ ۖ وَسَاءَتْ مَصِيرًا ﴿١١٥﴾

“Dhe kushdo që kundërshton të Dërguarin pasi që rruga e drejtë iu bë e qartë dhe ndjek rrugë tjetër në vend të rrugës së Besimtarëve, Ne do ta mbajmë atë në rrugën të cilën ai e ka zgjedhur vet dhe pastaj do ta djegim në Xhehenem - e sa përfundim i keq!” [en-Nisa, 115]

 

Dhe Fjalës së Allahut:

فَإِنْ آمَنُوا بِمِثْلِ مَا آمَنتُم بِهِ فَقَدِ اهْتَدَوا

“Kështu pra, nëse ata besojnë njësoj, ashtu siç besoni ju (d.m.th. ashtu siç beson Pejgamberi dhe Shokët e tij), atëherë ata janë të udhëzuar (në Rrugë të Drejtë.” [el-Bekare, 137]

 

2. Të pastrohet çdo gjë në jetën e Muslimanit nga shirku (të bërit shok Allahut në zotërimin, adhurimin dhe Emrat e Cilësitë e Tij) dhe të paralajmërohet kundër bidateve (risive) në besim dhe në veprat e ibadetit (adhurimit); të paralajmërohet kundër ideve të kota e të pabaza që janë importuar nga jashtë, si dhe kundër transmetimeve të shpikura që e kanë njollosur natyrën e kulluar të Islamit dhe janë bërë shkak për ndalimin e përparimit të Muslimanëve. Sikurse ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -:

“Kjo dituri do të mbahet nga njerëzit më besnikë të çdo brezi; ata do të heqin prej saj ndryshimet që kanë bërë ata të cilët i kaluan kufijtë, pretendimet e pabaza të gënjeshtarëve dhe shpjegimet e shpikura të injorantëve.” [Hadith Sahih, transmetuar nga Ibn Adij dhe Ibn Asakir]

 

Dhe duke iu bindur urdhrit të Allahut:

وَلَا تَعَاوَنُوا عَلَى الْإِثْمِ وَالْعُدْوَانِ

“Bashkëpunoni në punë të mira dhe devotshmëri dhe mos bashkëpunoni në gjynahe dhe në shkeljen e kufijve.” [el-Ma’ide, 2]

 

3. Të edukohen Muslimanët me Fenë e tyre të vërtetë, duke i thirrur ata që të veprojnë sipas gjykimeve të Islamit, dhe të edukohen me moralin dhe sjelljet e Islamit, të cilat padyshim do t’u sjellin Kënaqësinë e Allahut si dhe mirëqenien dhe nderin në këtë botë, sikurse thotë Allahu:

وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ

“Dhe këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën dhe për të qenë të duruar.” [el-Asr, 3]

 

Dhe Fjala e Tij:

كُونُوا رَبَّانِيِّينَ بِمَا كُنتُمْ تُعَلِّمُونَ الْكِتَابَ وَبِمَا كُنتُمْ تَدْرُسُونَ

“Bëhuni edukatorë (me dije dhe urtësi) sepse ju u mësoni njerëzve Librin dhe e keni studiuar atë me zell.” [Ali Imran, 79]

 

4. Të ringjallet mendimi i vërtetë Islamik në dritën e Kur'anit dhe Sunetit sipas metodologjisë së Selefëve të këtij Umeti. Të shporret ndjekja e verbër e medh’hebeve dhe fanatizmi i verbër ndaj partive dhe grupeve të ndryshme që kanë pushtuar mendjet e shumë Muslimanëve dhe i kanë shkëputur ata nga vëllazëria e qartë dhe e pastër Islame, ashtu siç kërkohet nga urdhri i Allahut:

وَاعْتَصِمُوا بِحَبْلِ اللَّـهِ جَمِيعًا وَلَا تَفَرَّقُوا

“Kapuni të gjithë ju së bashku në Litarin e Allahut dhe mos u ndani nga njëri-tjetri...” [Ali Imran, 103]

 

Dhe thënia e Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -:

“Bëhuni robër adhurues të Allahut dhe vëllezër mes veti.”

 

5. Të ofrohen zgjidhje të vërteta Islame për problemet aktuale dhe të bëhen përpjekje për një kthim tek mënyra e vërtetë e jetesës në Islam sipas rrugës së Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, duke nxjerrë një shoqëri të udhëzuar nga Shpallja, si dhe të zbatohen Ligjet e Allahut në tokë. Ky proçes fillon me tesfije (pastrim dhe korrigjim) dhe terbije (edukim), siç thotë Allahu:

وَيُعَلِّمُهُمُ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ وَيُزَكِّيهِمْ

“Mësoju atyre Librin dhe Urtësinë (Sunetin) dhe pastroji.” [el-Bekare, 129]

 

Ndërkohë që kemi të ngulitur në mendje Fjalën e Zotit tonë drejtuar Pejgamberit të Tij - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -:

فَإِمَّا نُرِيَنَّكَ بَعْضَ الَّذِي نَعِدُهُمْ أَوْ نَتَوَفَّيَنَّكَ فَإِلَيْنَا يُرْجَعُونَ

“Edhe nëse Ne të tregojmë ty në këtë jetë ndonjë pjesë të asaj që Ne u kemi premtuar atyre, ose nëse ta marrim shpirtin para asaj, atëherë ata përsëri tek Ne do të kthehen.” [Gafir, 77]

 

Gjithashtu, duke kuptuar parimin Sheriatik: “Ai që kërkon të përshpejtojë diçka përpara se të vijë koha e caktuar për të, ai do të dënohet duke qenë i privuar nga realizimi i saj.”

 

6. Kjo është thirrja dhe ftesa jonë që do t’i ringjallë dhe do t’i ngrejë lart Muslimanët - me Vullnetin e Allahut - dhe do të ndihmojë në përhapjen e vazhdueshme të mesazhit Islam në çdo cep të Tokës. Ndërkohë që kemi bindje të plotë në ndihmën e Allahut dhe në faktin që Ai padyshim do t’u japë autoritet robërve të Tij të devotshëm:

وَلِلَّـهِ الْعِزَّةُ وَلِرَسُولِهِ وَلِلْمُؤْمِنِينَ

“Por nderi i përket Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve.” [el-Munafikun, 8]

 

Dhe Fjala e Tij:

هُوَ الَّذِي أَرْسَلَ رَسُولَهُ بِالْهُدَىٰ وَدِينِ الْحَقِّ لِيُظْهِرَهُ عَلَى الدِّينِ كُلِّهِ وَلَوْ كَرِهَ الْمُشْرِكُونَ ﴿٩﴾

“Është Ai i Cili ka çuar të Dërguarin e Tij me udhëzimin dhe fenë e së vërtetës, që Ai ta bëjë atë ngadhënjyese mbi të gjitha fetë e tjera, edhe pse Mushrikët e urrejnë atë.” [es-Saff, 9]

 

Kështu që, çdo thirrje që nuk mbështetet mbi këto themele dhe çdo metodologji që nuk përkon me metodologjinë e të Dërguarve (paqja qoftë mbi të gjithë ata), atëherë ato do të jenë të dështuara dhe nuk do të kenë kurrfarë dobie. Argumenti më i qartë për këtë është realiteti i atyre grupeve bashkëkohore që kanë vendosur një metodologji për vetet e tyre dhe thirrja e tyre bie në kundërshtim me metodologjinë e të Dërguarve.

وَمَنْ أَضَلُّ مِمَّنِ اتَّبَعَ هَوَاهُ بِغَيْرِ هُدًى مِّنَ اللَّـهِ

“Dhe kush është më i humbur se sa ai i cili ndjek dëshirat e veta pa udhëzim nga Allahu?” [Kasas, 50]

 

قُلْ هَلْ نُنَبِّئُكُم بِالْأَخْسَرِينَ أَعْمَالًا ﴿١٠٣﴾ الَّذِينَ ضَلَّ سَعْيُهُمْ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَهُمْ يَحْسَبُونَ أَنَّهُمْ يُحْسِنُونَ صُنْعًا ﴿١٠٤﴾

“A t’ju tregojmë Ne humbësit më të mëdhenj për veprat e tyre? (Janë) ata përpjekjet e të cilëve janë harxhuar kot në jetën e dunjasë duke menduar se po përfitonin mirësi nga veprat e tyre!” [Kehf, 103-104]

 

Këto grupe e kanë lënë pas dore rëndësinë e Akides dhe në vend të saj ata thërrasin për korrigjimin e çështjeve që nuk janë po aq të rëndësishme sikurse Akideja. Por në të vërtetë, Teuhidi është ai që e forcon zemrën, shton diturinë dhe adhurimin e Allahut. Rrjedhimisht edhe punët e mira do të shtohen dhe atëherë Muslimanët do ta kuptojnë Fjalën e Allahut:

وَعَدَ اللَّـهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنكُمْ وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ لَيَسْتَخْلِفَنَّهُمْ فِي الْأَرْضِ كَمَا اسْتَخْلَفَ الَّذِينَ مِن قَبْلِهِمْ وَلَيُمَكِّنَنَّ لَهُمْ دِينَهُمُ الَّذِي ارْتَضَىٰ لَهُمْ وَلَيُبَدِّلَنَّهُم مِّن بَعْدِ خَوْفِهِمْ أَمْنًا ۚ يَعْبُدُونَنِي لَا يُشْرِكُونَ بِي شَيْئًا ۚ وَمَن كَفَرَ بَعْدَ ذَٰلِكَ فَأُولَـٰئِكَ هُمُ الْفَاسِقُونَ ﴿٥٥﴾

“Allahu u ka premtuar atyre nga mesi juaj që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, se Ai patjetër do t’u sigurojë atyre vazhdimësinë (e autoritetit, pushtetit) në tokë, ashtu siç ua siguroi Ai këtë atyre përpara tyre dhe se Ai do t’u sigurojë fuqinë për të zbatuar e përmbushur fenë e tyre, atë të cilën Ai e ka zgjedhur për ta (Islamin). Dhe padyshim që Ai do t’u japë atyre në shkëmbim siguri e ruajtje pas frikës së tyre, (me kusht) që këta besimtarë të më adhurojnë vetëm Mua dhe të mos bashkojnë gjë tjetër (në adhurim) me Mua. Por kushdo që nuk beson pas kësaj, këta janë të pabindurit (ndaj Allahut).” [Nur, 55]

 

Kështu që, njeriu që ka aftësi për të kuptuar do ta shohë se adhurimi i Allahut të vetëm, besimi i saktë dhe punët e mira janë rruga drejt suksesit. Dhe ndihma kërkohet vetëm nga Allahu i Lartësuar. Ai është Zoti i Botëve.

 

 

1 Ramadan 1429 Hixhrij / 1 Shtator 2008

 

Përshtatur nga: Troid.org