Autor: Shejkh Abdu-Rrahman bin Jahja el-Mu’alimij

Burimi: Raf’ul-Ishtibah ‘an M’ana el-‘Ibadeh ue el-Ilah, fq.152-153

 

 

Dije se Allahu i Lartësuar mundet që disa të sinqertë t’i bëjë që të bien në ndonjë gabim, duke i sprovuar të tjerët me këtë se a do ta pasojnë të vërtetën dhe ta lënë fjalën e tij, apo do të mashtrohen me vlerën dhe madhërinë e tij? Kurse ai (dijetari që gaboi) është i justifikuar, madje i shpërblyer për ixhtihadin (përpjekjen) e tij. Ai synonte të mirën dhe nuk donte të tregohej i mangët. Por, ai që e pason atë duke u mashtruar me madhërinë e tij pa iu kthyer argumenteve të vërteta nga Libri i Allahut të Lartësuar dhe Suneti i të Dërguarit të Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, nuk është i justifikuar, përkundrazi është në rrezik të madh.

Kur Nëna e Besimtarëve – Aisheja, radijAllahu ‘anha, shkoi në Basra para “Betejës së Devesë,” e shoqëroi atë prijësi i besimtarëve, Aliju – radijAllahu ‘anhu –, biri i tij Haseni dhe ‘Ammar bin Jasir – radijAllahu ‘anhuma – me qëllim që t’i këshillojë njerëzit. Nga fjalët e Ammarit që u foli banorëve të Basras, ishin:

 

“Pasha Allahun! Ajo padyshim se është gruaja e Pejgamberit tuaj – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – në dunja dhe ahiret, por Allahu ju ka sprovuar me të, që të dijë se a do t’i bindeni Atij apo asaj.”

 

Po ashtu, nga shembujt më madhështorë në lidhje me këtë është rasti kur Fatimeja – radijAllahu ‘anha – e kërkoi trashëgiminë e babait të saj [1] – nga Ebu Bekri dhe kjo ishte një sprovë e madhe për Siddikun, gjë në të cilën Allahu – Azze ue Xhel – e bëri të qëndrueshëm.  

 

Fundnota:

Shënim i përkthyesit:

 

[1] Na ka treguar ‘Urueh bin Zubejr se Aisheja, Nëna e Besimtarëve, – radijAllahu ‘anha – i ka treguar atij se Fatimja – alejha selam – bija e të Dërguarit të Allahut -   - pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut - - kërkoi nga Ebu Bekër Siddiku që t’i japë asaj një hise nga trashëgimia që e kishte lënë i Dërguari i Allahut - - nga plaçka e luftës që e kishte fituar pa luftë. Ebu Bekri i tha asaj se i Dërguari i Allahut -  -  ka thënë:

لاَ نُورَثُ مَا تَرَكْنَا صَدَقَةٌ

“Ne (Pejgamberët) nuk lëmë ndonjë gjë në trashëgimi, ajo që lëmë është sadaka.”

Fatimeja, bija e të Dërguarit të Allahut - - u zemërua dhe e braktisi Ebu Bekrin dhe vazhdoi ta braktisë atë deri sa vdiq, kurse ajo jetoi pas të Dërguarit të Allahut - - vetëm gjashtë muaj. Ajo (Aisheja) thotë: “Ajo i kërkonte Ebu Bekrit hisen e saj nga ajo që kishte lënë i Dërguari i Allahut - -  nga Khajber-i, Fedek-i (fshat në Khjaber në të cilën kishte hurma dhe burime uji) dhe sadakaja e tij në Medine. Ebu Bekri ia refuzoi këtë dhe tha: “Nuk kam lënë gjë që i Dërguari i Allahut - - e vepronte, vetëm se e veproja edhe unë. Me të vërtetë kam frikë se do devijoj nëse lë diçka nga urdhri i tij.”

Kurse sadakan e tij në Medine, Umeri ia dha Alijut dhe Abbasit. Kurse (plaçkat e luftës) së Khajberit dhe Fedek-ut, i mori Umeri dhe tha: “Këto dyja janë sadakaja e të Dërguarit të Allahut - - që i përdorte për ekspedita dhe nevoja urgjente, dhe menaxhimi i tyre është në dorën e udhëheqësit (Ebu Bekrit).””

 

Sahih el-Bukhari [3092].

 

Përktheu: Jeton Shasivari