Autor: el-‘Alame Rabij’ Ibn Hadij el-Medkhalij


Pyetje: Shejhu ynë, Allahu ju ruajt, është një pyetje që qarkullon mes studentëve të dijes, e cila është: A është kusht që kur shpallet bidatçi ai që ka rënë në bidat apo bidate, duhet t’i ngrihet argumenti në mënyrë që të shpallet bidatçi? Apo ky nuk është kusht i caktuar? Na jepni dobi, Allahu ua shpërbleftë.

Përgjigje: Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirëshmit, Mëshirëplotit. Lavditë janë për Allahun, lavdërimi dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, Shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin udhëzimin e tij. E më pas:

Dihet mjaft mirë se Ehli-Suneti nuk bëjnë tekfir mbi asnjë njeri që bie në një çështje kufri derisa atij t’i sqarohet argumenti. Kurse sa i përket atij që bie në bidat, atëherë kjo çështje është në kategori të ndryshme:

Kategoria e parë: Janë njerëzit e Bidatit si, Rafidat, Khauarixhët, Xhehmitë, Kaderitë, Mu’tezilët, Sufitë që adhurojnë varret, Murrxhi’të dhe ata që u bashkangjiten atyre si, Ikhuanët, Tabligët e të tjerë si puna e tyre. Selefët nuk kanë caktuar sqarim të argumentit këtyre njerëzve me qëllim gjykimin e tyre me bidat. Kështu, Rafidiut i thuhet bidatçi, havarixhve u thuhet bidatçinj, e kështu; qoftë nëse u është sqaruar argumenti apo jo!

Kategoria e dytë: Ai i cili është prej Ehli-Sunetit dhe bie në një bidat të qartë, si për shembull thënia që Kur'ani është i krijuar, ose bie në bidatin e kaderive, apo në mendimin e hauarixhëve, etj. Ky quhet bidatçi dhe kështu kanë vepruar Selefët.

Shembull për këtë është transmetimi që ka ardhur nga Ibn Umeri (radij-Allahu ‘anhuma), i cili kur u pyet për Kaderitë, tha: “Kur t’i takoni ata, atëherë njoftojini se unë jam larg prej tyre (i pastër nga ata) dhe ata janë larg prej meje.”1

Shejkhul-Islam Ibn Tejmije (rahimehullah), ka thënë: “Rruga e Selefëve dhe Imamëve ishte e tillë që ata i ruanin kuptimet e sakta që njiheshin nga Sheriati dhe logjika e shëndoshë. Gjithashtu, ata e ruajnë terminologjinë Sheriatike, dhe i përdorin shprehjet e sheriatit sa herë që gjejnë rastin. Nëse dikush fliste me diçka që përmbante batil (pavërtetësi) që kundërshtonte Kuranin dhe Sunetin, ata e kundërpërgjigjeshin atij.
Po kështu, kushdo që thoshte një fjalë të shpikur, e cila përmbante edhe të vërteta edhe të pavërteta, atëherë ata e cilësonin edhe atë me bidat gjithashtu. Dhe thoshin: “Ky person e ka ballafaquar bidatin me bidat dhe e ka kundërshtuar të pavërtetën me të pavërtetë.”2

Unë (Shejkh Rabij') them: Tek ky tekst është një sqarim për çështjet madhështore dhe mjaft të rëndësishme të cilat i kanë ndjekur Selefus-Salih me qëllim ruajtjen e Fesë së tyre të vërtetë dhe mbrojtjen e saj kundër fatkeqësive të bidateve dhe gabimeve. Prej tyre:

[1]: Ata kanë përalajmëruar me ashpërsi kundër bidateve dhe i kanë ruajtur fjalët dhe kuptimet e sakta që njiheshin nga Sheriati dhe logjika e shëndoshë. Ata nuk shpreheshin për asgjë – sa më shumë që të ishte e mundur – përveç se me fjalët e Sheriatit. Dhe ata nuk i vinin në zbatim ato përveç se sipas kuptimeve të sakta Sheriatike, të cilat ishin pohuar nga Sheriati i Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

[2]: Ata ishin ruajtësit dhe mbrojtësit e Fesë, dhe kushdo që fliste me fjalë që përmbanin kuptime të pabaza (batil) që kundërshtonin Kuranin dhe Sunetin, atëherë ata e kundërshtonin atë. Dhe kushdo që fliste me fjalë të shpikura, të risuara, të cilat përmbanin edhe të vërteta edhe të pavërteta, atëherë ata e adresonin atë te bidati edhe nëse ai i kundërshtonte njerëzit e bidatit. Ata (Selefus-Salih) thoshin: “Ky person e ka ballafaquar bidatin me një bidat tjetër dhe e ka kthyer të pavërtetën me një të pavërtetë tjetër.” Ata vepronin kështu edhe nëse ky kundërshtues të ishte prej fisnikëve të Ehli-Sunetit dhe Xhematit. Dhe ata nuk thoshin dhe kurrë nuk kanë për të thënë se fjalët e tij të përgjithshme duhet të merren sipas fjalëve të tij specifike, ngaqë e dimë se ai është nga rradhët e Ehli-Sunetit!

Ka thënë Shejkhul-Islam Ibn Tejmije, pasi përmend se kjo ka qenë rruga e Selefëve dhe Imamëve: “Prej këtij lloji janë edhe historitë e njohura që i përmend El Khalali në librin “es-Sunnetu3, si dhe të tjerë përveç tij,4 në lidhje me çështjen e “shqiptimit” dhe “el xhebr- detyrimit, që ka lidhje me kaderin”.

Unë them (Shejkh Rabij’): Ai – rahimehullahu te’ala – e ka fjalën se Imamët e Sunetit kanë bërë tebdij’ (duke shpallur një person bidatçi) mbi ata që thonë: “Shqiptimi im i Kur'anit është i krijuar”, ngase kjo thënie përmban edhe të vërtetë edhe të pavërtetë. Po kështu edhe termi “el-xhebr” përmban edhe të vërtetë edhe të pavërtetë. Shejkhul-Islam Ibn Tejmije përmend se Imamët si Euza’i, Ahmed Ibn Hanbel dhe të tjerë, i kundërshtonin të dyja grupet: mohuese dhe pohuese të tij (xhebrit).

Ai (rahimehullah) (Ibën Tejmije) ka thënë: “Refuzimi i përdorimit të shprehjes “El xhebr” është përcjellë edhe nga Zubejdi, Sufjan eth-Theuri, Abdur-Rrahman Ibn Mehdi dhe të tjerë.
Euza’iu, Ahmedi dhe të tjerë kanë thënë: “Kushdo që thotë “veproj i detyruar sipas caktimit”, ose që thotë “veproj jo i detyruar”, në të dyja rastet ka gabuar. Ajo që duhet të thuhet është se Allahu udhëzon atë që do Ai dhe humbet atë që do Ai.”

Ata kanë thënë se çështja e detyrimit (xhebr) nuk ka ndonjë origjinë në Libër (Kur'an) apo në Sunet. Me të vërtetë fjala e vetme që vjen nga Suneti është el-xhebl (prirje natyrale) kurse fjala el-xhebr nuk përmendet asgjëkundi. Është konfirmuar nga Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) se ai i ka thënë Ashaxh ‘Abdul-Kajsit: “Vërtet, ti ke dy cilësi të cilat i do Allahu: tolerancën (el-hilm) dhe këmbënguljen (el-ana’e).” Ai tha: “A janë dy cilësi të cilat i kam fituar vetë, apo kam prirje natyrale tek ato (xhubiltu ‘alejhima).” Ai tha: “Ti ke prirje natyrale tek ato.” Atëherë ai tha: “Lavdia është për Allahun që më bëri të jem i prirë tek këto dy cilësi të cilat Ai i do.”5

Ata kanë thënë se termi ‘el-xhebr’ është një term i përgjithshëm.

Pastaj ai (Ibn Tejmije) sqaroi se ky term mund të jetë i vërtetë nga një këndvështrim dhe i pavërtetë nga një këndvështrim tjetër dhe solli argumente për secilën prej këtyre. Pastaj tha: “Pra, Imamët e ndaluan përdorimin e termit “el-xhebr” qoftë në pohim apo mohim të tij, sepse ai është bidat dhe përmban në vetvete edhe të vërtetë edhe të pavërtetë.”6

Dhehebiu (rahimehullah) ka thënë: “Ka thënë Ahmed Ibn Kamil el-Kadi: Ja’kub Ibn Shejbe ishte nga shokët më të vjetër të Ahmed Ibnul-Mu’dhel dhe el-Harith Ibn Miskin. Ai ishte një fekih i dalluar por ndalej (jakif) lidhur me Kur'anin.”7

Ka thënë Dhehebiu (rahimehullah): “Unë them: Ai e mori këtë qëndrim (el-uakf) nga mësuesi i tij, Ahmedi i lartpërmendur. Vërtet, ‘Ali Ibnul-Xhe’d, Mus’ab ez-Zubejri, Is`hak Ibn Ebi Isra’il dhe një grup njerëzish mbanin këtë qëndrim (el-uakf), por rreth një mijë Imamë i kundërshtuan ata. Më saktë, të gjithë Imamët e Selefëve dhe Khalefëve e mohonin krijimin e Kur'anit dhe bënin tekfir mbi Xhehmitë. I lutemi Allahut që të na ruajë në këtë Fe!”

Ka thënë Ebu Bekr el-Meruadhi: Ja’kub Ibn Shejbe shfaqi el-uakf në atë zonë të Bagdadit, kështu që Ebu Abdullahi (Ahmed ibën Hanbel0 paralajmëroi kundër tij.
El Mutevekil (Halifja i muslimanëve në atë kohë) urdhëroi Abdur-Rrahman Ibn Jahja Ibn Khakanin që të pyeste Ahmed Ibn Hanbelin për personin që duhet të caktonte si gjykatës. Abdur-Rrahmani thotë: E pyeta atë (Ahmedin) rreth Ja’kub Ibn Shejbe dhe ai tha: “Bidatçi, njeri i epsheve.”
El-Khatibi thotë: “Ai e përshkroi atë si të tillë për shkak të qëndrimit të tij (el-uakf).”8

Kur Davud el-Asbahani edh-Dhahiri hyri në Bagdad, ndërkohë që kishte marrëdhënie shumë të mira me Salihun, të birin e Imam Ahmedit. Ai foli me Salihun dhe i kërkoi në një mënyrë të rafinuar që t’i kërkonte leje babait të tij (që Davudi të mund t’i bënte atij një vizitë). Kështu, Salihu shkoi tek babai i tij dhe i tha: “Një burrë më ka kërkuar që të të bëjë një vizitë.” Ai tha: “Si e ka emrin?” Ai tha: “Davud.” Ai tha: “Prej nga është?” Ai tha: “Nga Asbahani.” Ai tha: “Çfarë ke bërë me të?”
Ndërsa Salihu mundohej t’i shmangej prezantimit të plotë të tij tek babai, ai vazhdoi ta shqyrtonte me kujdes gjendjen e tij derisa nxorri informacion të mjaftueshëm. Pastaj tha: “Vërtet, Muhamed Ibn Jahja en-Nejsaburi më ka shkruajtur lidhur me çështjen e këtij. Vërtet, ai pretendon se Kur'ani është i krijuar, kështu që mos e lejo që të më afrohet.”
Ai tha: “O babai im, ai e mohon këtë gjë dhe e kundërshton.” Ebu Abdullahu tha: “Muhamed Ibn Jahja është më i besueshëm sesa ai. Mos e lejo që të hyjë tek unë.”9

Kategoria e Tretë: Kushdo që është prej Ehli-Sunetit dhe njihet që e kërkon të vërtetën vazhdimisht, por bie në ndonjë bidat të fshehur; atëherë po qe se ai ka vdekur, nuk lejohet të bëhet tebdij’ mbi të (d.m.th. nuk lejohet të shpallet bidatçi) dhe duhet të kujtohet si i mirë. Dhe nëse është ende gjallë, atij duhet t’i sqarohet e vërteta dhe nuk duhet nxituar në shpalljen e tij bidatçi. Por nëse ai këmbëngul më pas në bidatin e tij, atëherë ai duhet shpallur bidatçi.

Ka thënë Shejkhul-Islam Ibn Tejmije: “Shumë nga muxhtehidët e Selefëve dhe Khalefëve thonin dhe bënin gjëra që ishin bidat, por ata nuk e dinin se ato ishin bidat. Kjo ishte ose për shkak të haditheve të dobëta, të cilat ata mendonin se ishin të sakta, ose ishte për shkak të ndonjë ajeti nga i cili ata kishin kuptuar atë që nuk ishte për qëllim me të. Mundet gjithashtu të ketë qenë edhe për shkak të një mendimi që do ketë pasur ndonjëri prej tyre për një çështje ku tekstet e saj (nga Kur'ani apo Hadithet) nuk i kishin mbërritur atij. Megjithatë, për sa kohë që robi i frikësohet Zotit të tij aq sa ka mundësi, atëherë ai përfshihet në Fjalën e Allahut:

“Zoti ynë! Mos na merr në llogari në qoftë se harrojmë, apo biem në gabime.”10

Dhe ka ardhur në hadith se Allahu ka thënë (pas lutjes së besimtarit me këtë ajet): “Unë e pranova (lutjen tënde).”11 Unë e kam shtjelluar akoma më tej këtë çështje në një vend tjetër.”12

Pra, sidoqoftë, nuk lejohet të bëhet kusht absolut ngritja e argumentit mbi njerëzit e bidatit dhe as nuk lejohet që të mohohet ngritja e argumentit në mënyrë absolute. Pra, kjo çështje është ashtu siç e përmenda më parë.

Kështu, këshilla ime drejtuar studentëve të dijes është që ata të kapen fort për Kuranin dhe Sunetin dhe t’i përmbahen menhexhit të Selefëve për të gjitha aspektet e Fesë së tyre, veçanërisht për çështjet e tekfirit (të shpallësh qafir një person), tefsikut (të shpallësh gjynahqar një person) dhe tebdij’it (të shpallësh bidatçi një person), me qëllim që të mos shtohen polemikat dhe grindjet në lidhje me këto çështje.

Unë i këshilloj të rinjtë Selefijinë në mënyrë të veçantë që ata të qëndrojnë larg prej atyre gjërave të cilat ushqejnë armiqësi, mosmarrëveshje dhe ndarje. Këto janë çështje që urrehen nga Allahu dhe Ai na ka paralajmëruar kundër tyre; edhe i Dërguari Fisnik (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) na ka paralajmëruar kundër tyre, po ashtu edhe Sahabët e Nderuar (radij-Allahu ‘anhum) dhe Selefus-Salih. Të rinjtë Selefij duhet të bëjnë ç’është e mundur që të përhapin ato gjëra që sjellin dashuri dhe vëllazëri midis tyre, gjëra të cilat Allahu i do dhe është i kënaqur me to, dhe i do gjithashtu edhe i Dërguari i Tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).
Bekimet më të larta të Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Familjen e tij dhe Shokët e tij!

 

Shkruajtur nga:
Rabij’ Ibn Hadij ‘Umejr el-Medkhalij
24 Ramadan, 1424H


1 Transmetuar nga Muslimi (n. 8).

2 Shiko Dar’ut-Te’arudil-‘Akl uen-Nakl (1/254) të Ibn Tejmijes.

3 Shiko librin “es-Sunnetu” (5/129-141) të Ebu Bekr el-Khalal.

4 Shiko Sherh Usulul-‘Itikad (2/357-384) të Lalika’it dhe esh-Sheri’a (1/526-550) të Axhurrit.

5 Transmetuar nga Muslimi (1/40).

6 Shiko Dar’ut-Te’arudil-‘Akl uen-Nakl (1/255) të Ibn Tejmijes.

7 Sh.p.a: Domethënë, ai thoshte: :Kur'ani është fjala e Allahut” dhe pastaj ndalonte. Pra, ai nuk thoshte që Kur'ani nuk është i krijuar. Shiko librin es-Sunnetu (n. 215-217) të Abdullah Ibn Ahmedit.

8 Shiko Sijer A’lamun-Nubela (12/478) të Dhehebiut.

9 Shiko Tarikh Bagdad (8/374) të el-Khatib el-Bagdadit.

10 Bekare, 286.

11 Transmetuar nga Muslimi (n. 180) dhe Tirmidhiu (n. 2918).

12 Shiko Me’arixhul-Ëusul, fq. 43.

 

Përktheu: Alban Malaj