Përgatitur nga Khalid Ibn Dahuij edh-Dhufejri

 

‘Umer Ibnul-Khattab (radij-Allahu ‘anhu) ka thënë: “Nuk ka justifikim për atë që shkon në devijim duke menduar se është në udhëzim dhe as për atë që braktis udhëzimin me mendimin se ai është devijim, sepse çëshjet janë bërë të qarta, argumenti është ngritur dhe justifikimi është hequr.” [1]

Imam el-Berbahari (rahimehullah) ka thënë në komentimin e fjalëve të mësipërme: “Kjo për arsye se Suneti dhe Xhemati e kanë konsoliduar dhe e kanë ruajtur të gjithë Fenë. Kjo u është bërë e qartë të gjithë njerëzve, kështu që detyra e tyre është që të binden dhe të pasojnë.” [2]

Fetvaja e Shejkhul-Islam ‘Abdul-‘Azijz Ibn Baz (Allahu e mëshiroftë):

Pyetje: Allahu ju ruajt, kur duhet të jepet këshilla në privat dhe kur duhet të jepet në publik?

Përgjigje: “Këshilluesi i sinqertë duhet të bëjë atë që është më e mira. Kur ai e shikon se një këshillë e dhënë në privat është më e dobishme, atëherë ai e jep atë në privat. Kur ai e shikon se një këshillë e dhënë në publik është më e dobishme, atëherë ai e jep atë kështu.

Sidoqoftë, nëse gjynahu u bë në privat, atëherë këshilla nuk duhet të jetë përveç se në privat. Nëse ai merr vesh se vëllai i tij ka bërë një gjynah fshehtazi, atëherë ai e këshillon atë në privat dhe nuk e hap çështjen e tij tek të tjerët. Këshilla mbetet midis këtyre të dyve. Ndërsa kur gjynahu ndodh në një vend publik ku njerëzit e shohin atë, si për shembull një person që pi alkool në një tubim publik, ose kur dikush bën thirrje për konsumimin e pijeve alkoolike ndërsa ka njerëz të tjerë që janë të pranishëm, ose kur ai thërret për marrjen e ribasë (kamatës), atëherë ai duhet kundërshtuar. Kështu, këshilluesi duhet të thotë, “O vëllai im kjo nuk lejohet.” Ndërsa kur merr vesh për një gjynah që e ka bërë vëllai yt, si për shembull kur merr vesh se vëllai yt pi alkool, ose kur merr vesh se ai është futur në kamatë, atëherë këshilla mbetet sekrete midis teje dhe atij. Ti duhet të thuash, “O vëllai im, kam marrë vesh se ti ke bërë kështu e kështu.” Ti duhet ta këshillosh atë. Ndërsa kur ai bën një vepër të ndaluar haptazi në një vend publik dhe ti je një nga dëshmitarët e kësaj vepre të ndaluar apo disa njerëz të tjerë janë dëshmitarë të saj, atëherë ti duhet ta kundërshtosh atë. Nëse rri i heshtur, atëherë kjo tregon se ti e ke pohuar këtë gjë të kotë. Pra, nëse jemi në një tubim publik dhe atje del dikush që pi alkool, atëherë t’i duhet ta kundërshtosh atë nëse ke mundësi. Poashtu, nëse në një tubim publik ka vepra të tjera të ndaluara, si për shembull përgojim, atëherë ti duhet të thuash, “O vëllezërit e mi, ky përgojim nuk lejohet” dhe çdo gjynah tjetër i dukshëm që ngjason me të. Nëse ke dije, atëherë ti duhet t’i kundërshtosh këto gjëra, pasi kjo është një e keqe e dukshme. Ti nuk mund të rrish i heshtur para saj, sepse ti duhet ta shfaqësh hapur të vërtetën dhe duhet të thërrasësh drejt saj.”[3]

Fetvaja e Imamit, Muhadithi Muhamed Nasirud-Din el-Albani (Allahu e mëshiroftë):

Pyetje: Nga kjo degëzohet [4] thënia e disave prej tyre, ose kushti i vendosur nga disa prej tyre, që mendimi i saktë për sa i përket situatës së refuzimit është se duhet patjetër që para se të publikohet refuzimi, një kopje e tij duhet t’i dërgohet atij që po refuzohet në mënyrë që ai ta shohë atë. Dhe ata thonë se kjo është nga menhexhi i Selefëve.

Përgjigje: “Kjo nuk është kusht. Megjithatë, nëse kjo lehtëson diçka, dëshirohet afrimitet nëpërmjet këtyre mënyrave, pa e publikuar çështjen mes njerëzve, atëherë nuk ka dyshim se kjo është një gjë e mirë. Për sa i përket rastit të parë ku ne e bëjmë atë kusht, dhe rasti i dytë kur e bëjmë kusht të përgjithshëm, atëherë kjo s’ka të bëjë fare me urtësinë. Dhe njerëzit - siç e dini - janë si minierat e arit dhe argjendit. Kështu që, ai i cili njihet që është me ne në të njëjtën rrugë dhe menhexh dhe ai e pranon këshillën, atëherë atij duhet t’i shkruhet (këshilla), pa e publikuar gabimin e tij, ose më e pakta nga pikëvështrimi yt, atëherë kjo është gjë e mirë. Gjithsesi, kjo nuk është kusht, madje edhe sikur të ishte kusht, ajo nuk është urdhër që duhet t’i bindesh. Ku do ta gjesh adresën e tij? Dhe si do t’ia dërgosh atij? Pastaj, a do mbërrijë tek ty përgjigja e tij apo jo? Këto çështje janë plotësisht hamendësime... Prandaj, çështja (e këshillimit përpara refuzimit) nuk mund të merret si kusht.”[5]

Fetvaja e Muxhtehidit, Imam Muhamed Ibn Salih el-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë):

Në lidhje me këtë çështje, Dijetari i madh ka thënë: “Obligimi i parë është konfirmimi (tethebut). Pastaj, duhet të kryesh një debat me atë nga i cili është transmetuar lajmi apo mendimi i gabuar). Kështu, nëse ai këmbëngul në të pavërtetën, atëherë çështja duhet të sqarohet dhe të shpjegohet, derisa njerëzit të mos mashtrohen më nga ai. Pra, obligimi i parë është konfirmimi, pastaj i dyti është debati mes tij dhe personit nga i cili ka ardhur lajmi. Dhe pas kësaj, e vërteta duhet të sqarohet haptazi nëse ai këmbëngul tek e pavërteta në të cilën gjendet. Pra, e vërteta duhet të dallohet nga e pavërteta.”[6]

Kur u përmenden rregullat e pabaza të ‘Adnan Ar’urit [7] tek Imam Muhamed Ibn Salih el-‘Uthejmin, atij i thanë: “Është kusht i domosdoshëm që kur personi dëgjon një gabim nga dikush ose has gabime apo bidate nëpër libra, që ai të këshillojë (personin që ka këto gabime apo bidate) dhe të kërkojë sqarim përpara se të japë gjykim.” Kështu, el-‘Alame Ibnul-‘Uthejmin u përgjigj: “Kjo është gabim.”[8]

Fetvaja e Shejkhut, el-Alame Ahmed Ibn Jahja en-Nexhmi (Allahu e mëshiroftë):

Pyetje: Me jemi veç studentë të dijes, dhe disa nga vëllezërit tanë të rinj na kanë kundërshtuar. Ata janë njerëz që kanë filluar të shkojnë me grupacionet, të cilat ju i keni përmendur në librat dhe mësimet e tua që janë transkiptuar dhe ato që janë të inçizuara në audio. Kështu që, a mund të na jepni një udhëzim të pastër në lidhje me këtë çështje, e cila meriton interesim dhe vëmendje? Allahu ua shpërbleftë me të mira.

Përgjigje: “Unë them: roli i studentit të dijes dhe ndjekësit të menehxhit Selefij, roli i tyre në lidhje me këtë çështje është madhështor. Është mirë që ata të japin një mund shumë të madh, herë duke thirrur për tek Allahu dhe tek rruga e Tij, tek menhexhi i vërtetë, i cili është menhexhi i të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), dhe herë të tjera duke sqaruar gabimet që kanë bërë disa nga ndjekësit e metodologjive të shpikura. Kjo mund të ndodhë ose nëpërmjet shkrimit, ose mund të ndodhë nëpërmjet fjalëve të mira ose këshillës në privat apo në publik. Është mirë që të bëhet e gjithë kjo. Kështu, ndoshta Allahu ‘Azze ue Xhel ka për t’i larguar ata që janë për t’u larguar dhe do të udhëzojë drejt pendimit këdo që dëshiron të udhëzohet. Dhe pasi të kemi punuar me shkaqet e udhëzimit, atëherë ne çlirohemi nga çdo akuzë që vjen nga këta njerëz të rrënuar... Pra, është obligim për studentin e dijes, ata që ndjekin dijen, ata që e njohin menhexhin Selefij dhe menhexhet e tjera, është obligim për ta që t’i sqarojnë të tjerët. Ata e kanë obligim që të flasin, të diskutojnë, të mbajnë ligjërata dhe të japin shpjegime në çdo vend dhe në çdo rast të volitshëm. Ata duhet të sqarojnë të vërtetën, e cila është obligim që të ndiqet, dhe ata duhet të sqarojnë të pavërtetën, e cila është obligim që të lihet e të braktiset. Kurse për sa u përket atyre që rrinë të heshtur dhe nuk ua sqarojnë njerëzve të vërtetën, atëherë heshtja e tyre është e pajustifikueshme, edhe nëse ata thonë, “Ne nuk jemi me ata”. Pra, ata nuk kanë justifikim, edhe nëse thonë, “Ne nuk jemi nga njerëzit e këtyre grupacioneve të cilat kanë devijuar nga e vërteta”, për sa kohë që ata nuk e kundërshtojnë hapur devijimin ku ndodhen këta njerëz.”[9]

Fetvaja e Muhadithit, el-Alame Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij (Allahu e ruajt):

Pyetje: A është obligim këshilla për atë që i është përhapur gabimi, përpara se të flasim kundër tij dhe përpara se të refuzohet gabimi i tij? Dhe a duhet që të mos refuzohet ai për gabimin e tij derisa të këshillohet?

Përgjigje: “Nëse gabimi i tij është përhapur, atëherë nuk ka shërim për të, përveç se duke diskutuar me të hapur në publik. Kur e thua haptazi gabimin e tij, atëherë ti padyshim do t’ua sqarosh njerëzve gabimin e tij, ose përndryshe njerëzit do të bien në kurth nga Shejtani. Kështu që, njerëzit do të nxitojnë të shkojnë pas këtij rreziku, e të mos përmendim këtu nëse personi (nga i cili doli gabimi) është një Dijetar. Prandaj, sqarojeni gabimin e tij me argumente dhe fakte, me kusht që nijeti juaj të jetë Fytyra e Allahut. Dhe nijeti juaj është që të këshilloni me sinqeritet e jo që të publikoni (gabimet e njerëzve). Dhe ju duhet të kërkoni nga ai (që ka gabuar) që të kthehet tek e vërteta. Megjithëkëtë, ne e imponojmë këshillën me butësi në mënyrë që atij që ka gabuar të mos i lihet ndonjë shteg tjetër përveç të vërtetës, ose përndryshe Shejtani do ta çojë atë drejt kryeneçesisë dhe mendjemadhësisë. Kështu që ne s’duhet ta luftojmë atë. Por, ne duhet të sillemi me takt me të dhe t’i japim këshillë të sinqertë. Me të vërtetë, unë u solla me takt me ‘Abdur-Rrahman ‘Abdul-Khalik [10] për shumë vite me rradhë, ndërsa vëllezër të sinqertë më kërkonin që unë ta refuzoja atë. Por unë nuk pranova që ta refuzoja atë për shumë vjet me rradhë. Unë e këshilloja atë privatisht. Dhe ai ishte - siç dëshiroi Allahu - i ruajtur për shkak të sjelljeve të mira me të. Megjithatë, ai mbeti në rrugën e tij për shkak se ai vendosi një flamur për veten e tij dhe punoi për ta ngritur lart atë. Më pas, dëmi i tij u zmadhua dhe u përhap gjithandej dhe ai devijoi me ideologjinë e tij shumë njerëz... [fjalë të paqarta] me ligësi të madhe. Dhe pas kësaj, ne ishim të detyruar që të bënim një sqarim. Poashtu, ne qëndruam të heshtur rreth Adnanit për një kohë të gjatë. Dhe ne qëndruam të heshtur rreth Magrauit për një kohë të gjatë. Dhe ne qëndruam të heshtur rreth Ebul-Hasenit për një kohë të gjatë.” [11]

Fetvaja e Shejkhut, el-‘Alame ‘Ubejd Ibn ‘Abdullah el-Xhabiri:

Pyetje: Kur duhet të jepet këshilla privatisht dhe kur duhet të jepet në publik?

Përgjigje: “Së pari, Muslimani është urdhëruar që ai të urdhërojë të mirën dhe të ndalojë të keqen me urtësi, me këshillim të mirë, me butësi dhe mirësjellje, për sa kohë që butësia sjell dobi. Kështu, ai duhet të realizojë synimin e tij dhe të përcjellë të vërtetën tek ai që kërkon të vërtetën.

Së dyti, personi që ka bërë gabimin, gabimi i tij mund të lidhet me veten e tij ose mund të lidhet me njerëzit e thjeshtë, domethënë kur ai i thërret ata tek gabimi i tij.

Kështu që, në rastin e parë ai duhet të këshillohet veçmas dhe gabimi duhet t’i sqarohet atij privatisht.

Dhe në rastin e dytë, gabimi i tij duhet të refuzohet me argumente. Kështu, nëse pas kësaj ai shfaq këmbëngulje me kokfortësi (në gabimin e tij), atëherë me të duhet të sillemi ashtu siç e meriton. Vërtet, unë përmenda më parë se Ehli-Suneti e shqyrtojnë gabimin e kundërshtarit. Kështu, kush dëshiron le t’i referohet asaj që përmenda më parë.” [12]

Fjalët që kishte përmendur më parë Shejkh ‘Ubejdi janë:

Pyetje: Kush është rruga nëpërmjet të cilës bashkohet fjala e Selefive dhe rregullohen ndasitë që kanë ata mes veti?

Përgjigje: ... kështu që është obligim mbi Suniun që të ruajë nderin e Suniut. Obligimi i Selefiut është që ai të mbrojë nderin e Selefiut dhe ta ruajë nderin e tij. Poashtu, ai nuk duhet të ndjekë gabimet e tij atëherë kur Selefiu gabon. Pra, Ehli-Suneti e shqyrtojnë gabimin ashtu sikurse shqyrtojnë personin që bëri gabimin.

Kështu që, gabimi duhet të refuzohet dhe të mos pranohet, sepse mundet që Selefiu të kundërshtojë atë që gjendet tek një Selefij tjetër. Ai mund të gabojë. Pra, Selefiu është një qënie njerëzore që mund të gabojë ashtu si gjithë të tjerët.

Poashtu, Ehli-Suneti e shqyrtojnë personin që bëri gabimin. Nëse ai që kundërshton e ka origjinën e tij në Sunet, njihet që është i kapur pas Sunetit dhe e ndjek atë, atëherë gabimet e tij nuk duhet të ndiqen dhe nderi i tij duhet të ruhet. Megjithatë, nëse ai është nga njerëzit e bidatit, atëherë për të nuk ka nder mes Selefive.

Prandaj, ne themi se është detyrë mbi Selefijinët, është detyre mbi Ehli-Sunetin që t’i hapin kraharorët e tyre, të jenë zemërgjerë për njëri-tjetrin. Ata duhet të diskutojnë për çdo kundërshtim që ka ndodhur mes tyre dhe duhet t’ia paraqesin kundërshtimet që kanë mes veti dikujt që është nga njerëzit e dijes, nga ata që janë në Sunet. Me këtë, kundërshtimet do të marrin fund, fjala do të unifikohet, rradhët e tyre do të bashkohen e ata do të jenë më të afërt me njëri-tjetrin në dashtë Allahu i Lartësuar. [13]

Shejkhu - Allahu e ruajt - tha gjithashtu: “Pra, ne nuk e pranojmë gabimin. Dhe ne e mbrojmë këtë person duke thënë se ai është Selefij. Gabimi duhet të refuzohet me një refuzim të bazuar në dije. Nëse është e mundur që të këshillohet vëllai ynë Selefij se thënia e tij për këtë çështje është e pasaktë, atëherë shkëlqyeshëm! Dhe nëse nuk është e mundur, atëherë ai duhet të bëjë sqarim me argumente se ai ka gabuar në atë çështje. Megjithatë, ai që është Selefij nuk duhet të trajtohet njësoj si njerëzit e bidatit. Ata duhet të dënohen, kurse Selefiu nuk dënohet dhe as nuk bëhet tahdhir (paralajmërim) kundër tij. Ai nuk duhet të trajtohet me ashpërsi, me një ashpërsi e cila i çon në humbje të gjitha përpjekjet dhe punët e tij për Selefizmin e bekuar. Pra në realitet, ky është ekzagjërim dhe padrejtësi - domethënë kalim i kufijve - që është e papranueshme.” [14]

Fetvaja e Shejkhut, el-‘Alame Zejd Ibn Hadi el-Medkhalij:

Shejkhu i nderuar ka thënë: “Njerëzit e dijes nuk mbajnë krahun e askujt. Ata janë njerëzit e këshillës së sinqertë për njerëzit që gabojnë.” [15]

Shejkhu ka shpjeguar gjithashtu: “... Do t’ju bëhet e qartë në dashtë Allahu se thirrja për tek Allahu, urdhërimi i të mirës, ndalimi i të keqes dhe dhënia e këshillës përkufizohen plotësisht tek orientimet e teksteve të Kur'anit dhe tekstet e Sunetit. Kështu që, kush kundërshton kuptimet e teksteve të tyre, atëherë ai është prekur nga sëmundja e devijimit nga Sunetet e vërteta në lidhje me këtë temë. Dhe është më mirë, më pastër dhe më e fisme për atë që të kthehet nga kjo sëmundje.” [16]

Shejkhu foli gjithashtu në lidhje me obligimin për të këshilluar njerëzit e thjeshtë: “Nga rregullat e thirrjes së fuqishme Selefije dhe nga meritat e saj të larta e të vërtetuara është obligimi për t’u munduar në këshillimin e atyre Muslimanëve që kemi mendim të mirë, qofshin burra apo gra. Kështu që, kjo është nga detyrat më madhore që janë obligim dhe nga format më të kulluara të afrimit, me kusht që këshilluesi të jetë një peson i dijes, vetpërmbajtjes, vërtetësisë dhe sinqeritetit. E si të mos quhet kjo gradë e lartë en-nasiha (këshillë e sinqertë) ndërkohë që Pejgamberi fisnik (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë, “Feja është nasiha (këshillë e sinqertë)” [17] e deri në fund të hadithit. [18]

Udhëzim nga Selefët:

Nga Sulejman Ibn Jesar, i cili ka thënë: Ishte një burrë nga fisi Gunejm që quhej Sabig Ibn ‘Isl, i cili erdhi në Medine. Ai kishte me vete libra. Kështu, ai filloi të pyeste rreth ajeteve të paqarta në Kur'an. Lajmi i mbërriti ‘Umerit i cili e thirri atë dhe përgatiti disa degë palme. Kur ai erdhi brenda dhe u ul, ‘Umeri i tha: “Kush je ti?” Ai tha: “Unë jam robi i Allahut, Sabig.” ‘Umeri tha: “Kurse unë jam robi i Allahut, ‘Umer.” Kështu, ai u çua drejt tij dhe zuri ta godiste me ato degët e palmës. Ai nuk pushoi së godituri derisa e çau dhe atij filloi t’i rridhte gjaku në fytyrë. Atëherë ai (Sabigu) tha: “Boll o Prijësi i Besimtarëve sepse betohem në Allah që më iku ajo që kisha në kokë.” [19]

Shejkhul-Islam Ibn Tejmije , Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Është obligim ndëshkimi i çdonjërit që ngjitet pas tyre – pas Njerëzve të Bidatit – apo kushdoqoftë që i mbron ata, apo kushdoqoftë që i lavdëron ata, apo kushdoqoftë që i nderon librat e tyre, ose që urren që të flitet për ta, ose që fillon t’i justifikojë ata duke thënë se ai nuk e kupton çfarë kuptimi kanë këto fjalë, ose duke thënë se ky person ka shkruajtur një libër tjetër, dhe çfarëdolloj justifikimesh të tjera, të cilat nuk bëhen përveç se nga një injorant ose nga një hipokrit. Më saktë, është obligim ndëshkimi i çdonjërit që e di gjendjen e tyre dhe nuk ndihmojnë në largimin e të keqes së tyre, për shkak se largimi i të keqes së tyre është një nga obligimet më madhore.” [20]

Fundnota:
[1] Referoju librit ‘el-Ibanetul-Kubra’ (fq. 162) të Ibn Battas.
[2] Referoju librit ‘Sherhus-Sunneh’ (n. 4) të Imam Berbaharit.
[3] Shiko revistën ‘el-Islah’ (çështja 17/241) datë 23/06/1993 E.K.
[4] Pyetja që ishte para kësaj kishte të bënte me çështjen e përmendjes së cilësive të mira ndërkohë që refuzon kundërshtarin.
[5] Referoju audiokasetës me titull ‘el-Muwazant fin-Nakd’ nga ana e dytë. Ajo është pjesë e zinxhirit të kasetave me titull ‘Silsiletul-Huda uen-Nur’ (n. 638).
[6] Referoju audiokasetës ‘Lika’ush-Shejkh Rabij' binsh-Shejkh Ibnul-‘Uthejmin’.

[7] ‘Adnan ‘Ar’ur: Shejkh Rabij' ka thënë për të: “Ai është një fatkeqësi e tmerrëshme dhe një fitne e madhe. Nuk njoh ndonjë fitnexhi më të dëmshëm për menhexhin Selefij dhe njerëzit e tij sesa ai… dhe kam frikë se mos ai është ndonjë nga agjentët e infiltruar nga armiqtë e Allahut me qëllim që ata t’i realizojnë qëllimet e tyre të poshtra… Pasha Allahun! Kurrë nuk kam parë ndonjë Dexhall si puna e këtij personi… Adnani është përplot me gënjeshtra, mashtrime, dinakëri dhe fitne. Prandaj ruhuni nga ky njeri. Ruhuni nga ai dhe bëjini sytë katër... një mashtrues gënjeshtar… Dexhalli i këtyre kohërave … Dexhalli i epokës… Dhe nuk kam asnjë dyshim se ai është një rekrutues nga njerëzit e bidateve dhe epsheve dhe nuk mendoj se ai është i detyruar që të jetë rekrut për njerëz të tjerë përveç tyre për shkak të këtyre fitneve, tërmeteve, trazirave dhe kaosit që ka shkaktuar ky njeri. Epshet rrjedhin prej tij ashtu siç rrjedh sëmundja e tërbimit tek qeni. Kështu, ai shkon nga pjesa lindore e botës për në pjesën perëndimore të saj me një sasi të bollshme parash, gjë që tregon se Adnani është i babëzitur. Ku e paska mbledhur tërë këtë pasuri ky i babëzitur? Vërtet ai punon dhe bën shumë punë për të fituar këtë pasuri. Pse? Për të përhapur Islamin me të? Jo! Ai e bën këtë me qëllim që t’i përçajë Selefijtë dhe t’i kthejë ata kundër njëri-tjetrit dhe fut fitne mes tyre. Vërtet, unë i lutem Allahut

 

Përktheu Alban Malaj