Autor: Shejkh Muhamed Ibn Ramzan el-Haxhiri

Lexues të nderuar! Kjo është një këshillë për cilindo, për durim dhe palëkundshmëri derisa të të kapë vdekja në Menhexhin e Selefus-Salih.

Umeti ka qenë i bashkuar dhe një trup i vetëm, por pastaj në të ra sëmundja e popujve të tjerë, e kjo ishte pikërisht mosmarrëveshja dhe ndarja. U shfaqën në këtë Umet shumë sekte dhe grupe shkatërrimtare, në sajë të të cilave është derdhur gjak, fjala (e përbashkët e Muslimanëve) është ndarë, xhemati i Muslimanëve është shpërbërë dhe fuqia është dobësuar. Kështu që, vazhdoi praktika e njerëzve të Hakut që t’i refuzonin ata të cilët janë larguar nga rruga e vërtetë dhe shtegu i saktë, duke iu bindur kështu thënies së Allahut:

وَاعْتَصِمُوا بِحَبْلِ اللَّهِ جَمِيعًا وَلا تَفَرَّقُوا

Dhe kapuni fort të gjithë ju pas Litarit të Allahut dhe mos u ndani.” [Ali-Imran, 103]

Dhe kush iu përgjigj kësaj u udhëzua; ndërsa kush refuzoi, atëherë ata paralajmëruan kundër tij që shoqëria që të ruhej nga e keqja e tij.

Vërtet, Sahabi i nderuar, Hudhejfeja (radij-Allahu ‘anhu) ka thënë të vërtetën dhe ai ishte i saktë në këshillën e tij. Ebu Mes’udi hyri tek Hudhejfeja dhe tha: “Më këshillo.” Ai iu përgjigj: “A nuk të ka ardhur ty e sigurta?” Ai tha: “Sigurisht, pasha Krenarinë e Zotit tim.” Ai tha: “Atëherë dije se devijimi i vërtetë është që ti të miratosh atë që refuzoje më përpara dhe të refuzosh atë që miratoje më përpara. Dhe ruhu nga ndryshimi i vazhdueshëm i qëndrimeve ngase Feja e Allahut është një.” [1]

Dhe kjo është një tjetër këshillë nga ‘Abdullah Ibn Mes’udi i cili ka thënë: “Vërtet, ti po jeton në një kohë kur Fukahatë janë të shumtë dhe ata që ligjërojnë janë të pakët. Të pakët janë ata që lypin dhe të shumtë ata që japin dhe u jepet përparësi veprave të mira mbi epshet. Mbas jush ka për të ardhur një kohë kur Fukahatë do të jenë të paktë dhe ligjëruesit do të jenë të shumtë; ata që do të lypin do të jenë të shumtë kurse ata që japin do të jenë të paktë. Do t’u jepet përparësi epsheve mbi veprat e mira. Dijeni se udhëzimi më i mirë gjatë kohëve të fundit do të jetë më i mirë se disa vepra të mira.” [2]

Kjo ka qenë gjatë kohës së tij – Allahu pastë mëshirë për të – por si është gjendja në kohën tonë?! [3]

Nga Muhamed Ibn Sirin i cili ka thënë:

Adij Ibn Hatim (radij-Allahu ‘anhu) ka thënë: “Vërtet, ju do të vazhdoni të jeni në mirësi për aq kohë që nuk do ta miratoni atë që më përpara e refuzonit dhe të refuzoni atë që më përpara e miratonit; dhe për aq kohë që dijetarët tuaj mund të flasin midis jush pa patur frikë.”

Dhe të gjitha këto që u përmendën janë konfirmuar nga ajo që na ka njoftuar Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) me thënien e tij: “Vërtet, Allahu nuk e largon dijen duke ua marrë atë robërve të tij. Por, ai e largon dijen duke marrë dijetarët, derisa të mos mbeten më dijetarë. Kështu, njerëzit do fillojnë të marrin injorantët si udhëheqës, të cilëve t’u bëjnë pyetje kurse ata do t’u japin fetva duke gjykuar me injorancë. Në këtë mënyrë ata do të humbasin vetet e tyre e do të humbasin edhe të tjerët.

Shejkhul-Islam Ibn Tejmije ka thënë: “Me të vërtetë, veçoritë që kanë Muslimanët e thjeshtë dhe Dijetarët e tyre, Ehli-Suneti dhe Xhemati, siç është dituria, bindja, qetësia, vendosmëria në të vërtetën dhe palëkundshmëria në fjalë dhe vendosmëri është një çështje të cilën askush nuk e vë në diskutim, me përjashtim të dikujt që Allahu e ka privuar nga logjika dhe Feja.”

El-Asbahani ka thënë: “Dhe ajo që vërteton se Ehlul-Hadithi janë njerëzit e Hakut është se sikur të lexoje të gjithë librat që ata kanë shkruajtur, shkrimet e vjetra apo të reja, pavarsisht vendeve të tyre të ndryshme, distancës së madhe që i ndante dhe faktit që ata jetonin në vende të ndryshme, do të shikosh se ata janë në të njëjtën rrugë dhe metodë për sa i përket shpjegimit të Akijdes. Ata ndoqën një rrugë të vetme duke mos devijuar dhe duke mos u lëkundur nga ajo. Fjalët dhe argumentet e tyre për këtë rrugë janë të njëjta e nuk gjen tek ata ndonjë mosmarrëveshje apo ndonjë ndarje qoftë edhe për gjëra të tjera, edhe në qofshin ato gjëra të vogla. Madje, sikur t’i mblidhje të gjitha fjalët e tyre dhe t’i vendosje karshi asaj që kanë thënë Selefët e tyre, do të duket sikur të gjitha ato fjalë kanë dalë nga një zemër dhe nga një gjuhë. A ka argument më të qartë për të vërtetën sesa ky?!”

Si përfundim: Nga Enesi (radij-Allahu ‘anhu) i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) thoshte vazhdimisht: “O Ti që i rrotullon zemrat! Bëje zemrën time të palëkundur në Fenë Tënde.” Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Ne të besojmë ty dhe mesazhin me të cilin ke ardhur, mos vallë po frikësohesh për ne!?” Ai u përgjigj: “Po! Vërtet zemrat janë midis dy prej Gishtave të Allahut. Ai i rrotullon ato si të dojë.

Andaj:

Ja~ Mukalibul-Kuluub, Thebbit Kalbij ‘ala Dijnik!

O Allah, Ti që i rrotullon zemrat! Bëje zemrën time të palëkundur në Fenë Tënde!

 

Fundnota:

[1] Transmetuar nga ‘Abdur-Rrazzaku në el-Musannef (11/249), Bejhakiu në es-Sunen el-Kubra (10/42), Lalika’i në Sherh Usulul-‘Itikad (1/90) dhe Ibn Battah në el-Ibaneh (1/189).

[2] Transmetuar nga Maliku në Muwetta (1/173), nga Jahja Ibn Se’id, se ‘Abdullah Ibn Mes’ud i ka thënë një personi: “Vërtet, ti po jeton në një kohë kur Fukahatë janë të shumtë...” Pastaj, Ibn ‘Abdul-Berr tha: “Dhe përjetimi i këtyre kohërave është argument për saktësinë e këtij kuptimi.”

[3] Dobi: Mos u trishto nga numri i vogël i atyre që marrin mësim: I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Asnjë nga Pejgamberët nuk do të ketë më shumë ndjekës se unë. Vërtet, do të ketë Pejgamberë të cilët nuk i besoi askush përveç një njeriu të vetëm.” Transmetuar nga Muslimi (1/130).

Imam Muhamed Nasirud-Din el-Albani ka thënë në komentimin e këtij hadithi në Silsiletul-Ehadithus-Sahijhah (n. 397): “Në këtë hadith ka argument të qartë se numri i madh i pasuesve apo mungesa e pasuesve nuk është njësi matëse që tregon nëse thirrësi është në Hak apo në Batil. Pra, ndonëse thirrja e këtyre Pejgamberëve (‘alejhimus-salatu ues-selam) ishte një dhe Feja e tyre ishte një, ata dallonin nga njëri-tjetri në varësi të numrit të pasuesve. Disa prej tyre kishin shumë kurse disa të tjerë kishin pak, aq sa disa prej tyre nuk patën pasues me përjashtim të një njeriu të vetëm! Madje prej tyre kishte të atillë që nuk pati qoftë edhe një pasues të vetëm! Kështu që, ky është një mësim me domethënie shumë të thellë për ata që thërrasin dhe ata që thirren sot në kohën tonë. Prandaj është obligim për thirrësin që ta kujtojë këtë realitet. Ai duhet të qëndrojë një kohë të gjatë në rrugën e da’ues për Allahun e Lartësuar dhe nuk duhet të marrë në konsideratë numrin e vogël të atyre që i përgjigjen, sepse ai nuk ka asgjë në dorë, përveç se që të përcjellë mesazhin në mënyrë të qartë. Dhe shembullin më të mirë ai e ka tek Pejgamberët e mëparshëm që nuk kishin askënd me vete, përveç se një apo dy veta! Ai i cili po thirret nuk duhet të dëshpërohet nga numri i vogël i atyre që i përgjigjen thirrjes. Ai nuk duhet ta marrë këtë si shkak që të vëjë në dyshim da’uetin e Hakut dhe kështu të mos e besojë atë, apo për më tepër ta marrë këtë si shkak që tregon pavërtetësinë e da’uetit, me argumentin që askush nuk po e ndjek këtë thirrës apo se të pakët janë ata që po e ndjekin atë. Edhe sikur da’ueti i tij të ishte i vërtetë, shumica e njerëzve nuk do ta ndiqnin atë! Allahu ‘Azze ue Xhel ka thënë:

وَمَا أَكْثَرُ النَّاسِ وَلَوْ حَرَصْتَ بِمُؤْمِنِينَ (١٠٣)

Shumica e njerëzve nuk do të besojnë, sado që të dëshirosh ti.

Imam ‘Abdullah Ibnul-Mubarak ka thënë: “Dije se unë e konsideroj vdekjen nder për çdo Musliman që e takon Allahun duke qenë i kapur mbas Sunetit, për arsye se ne nuk ankohemi për faktin që jemi të huaj, për largimin e vëllezërve tanë, numrin e vogël të ndihmuesve dhe shfaqjen e bidateve. Por Allahut i ankohemi për fatkeqësinë e madhe që i ka rënë Umetit me vdekjen e Dijetarëve të Ehli-Sunetit dhe me shfaqjen e bidateve.” Shiko el-Bid’ah uen-Nehi ‘anha (n. 39).

[4] Transmetuar nga Ibn Battah në el-Ibaneh (1/190).

[5] Transmetuar nga Bukhari (n. 98), Tirmidhiu (n. 2576), Ibn Maxheh (n. 51), Darimi (n.241) dhe Ahmedi në Musnedin e tij (n. 6222).

[6] Shiko Mexhmu’ul-Fetaua (4/48) të Ibn Tejmijes.

[7] Shiko el-Intisar li Ehli-Hadith (fq. 45) të Semanit.

[8] Hadith Sahih: Transmetuar nga Tirmidhiu (n. 2140), Ibn Maxheh (n. 3834) dhe Ahmedi në Musnedin e tij (n. 11664). Është saktësuar nga Shejkhul-Albani në Sahihul-Xhami’ (n. 7987).

 

Përktheu Alban Malaj