Autor: Shejkh Salih el-Feuzan
Pyetje: Shejkh i nderuar, Allahu ju dhëntë sukses. Ne jemi një grup oficerësh të policisë dhe duam t’ju drejtojmë një pyetje, pasi neve na është besuar në këtë vend hetimi i atyre që duan të cënojnë paqen apo që kundërshtojnë dhe refuzojnë bindjen ndaj udhëheqësit.
Ne kemi dëgjuar për një fetva e cila thotë se është e ndaluar kapja, ndjekja dhe luftimi i këtyre njerëzve për shkak se ata janë “Muxhahida” dhe se ata duan t’i largojnë qafirat që luftojnë Muslimanët në vendet e tjera, siç është Iraku.
Pra, cili është mendimi më i saktë në këtë rast, Allahu ju dhëntë sukses.
Përgjigje: “Allahu ju ndihmoftë! Ju jeni ata që po bëni Xhihad. Të gjithë ju me këtë punë që po bëni jeni në Xhihad. Për arsye se me këtë që bëni, ju keni për qëllim ndalimin e njerëzve të së pavërtetës, të siguroni paqen dhe të ruani jetën, nderin dhe pasurinë e njerëzve. Kështu që, ju jeni ata që po bëni Xhihad; Allahu ju ndihmoftë. Për ju do të shkruhet shpërblimi i Muxhahidit dhe për pajtimin e bindjen që tregoni ndaj udhëheqësit të Muslimanëve. Detyra juaj është gjithë respekt e dinjitet, një detyrë shumë e nderuar. Kështu që, mos kini dyshim për këtë.
Kurse për sa u përket disave të cilët japin fetva se kjo (çfarë po bëjnë këta terroristë) është Xhihad - kush është ai që thotë se ky është Xhihad? A janë këta njerëz që japin të tilla fetva të besueshëm, të respektuar, apo ata janë veç mbështetës e mbrojtës - njerëz injorantë? Ata padyshim që nuk janë dijetarë... këta njerëz! A ka thënë qoftë edhe një dijetar i vetëm, i besueshëm se ky është Xhihad? Kurrë! Kjo është gënjeshtër! Ky (veprim i terroristëve) nuk është Xhihad! Por ai është mosbindje ndaj Allahut dhe të Dërguari të Tij, shkelje dhe dhunim i asaj që Muslimanët e konsiderojnë të shenjtë dhe një kundërvënie e rebelim kundër bindjes ndaj udhëheqësit të punëve të Muslimanëve. Të gjitha këto gjëra janë gjynahe, gjynahe të mëdha, Allahu na ruajt. Pra, nuk është asnjë formë e Xhihadit. Kjo është... po, kjo është për hir të Shejtanit e jo për hir të Allahut sepse ajo i dëmton Muslimanët.
Për sa i përket largimit të qafirave, kjo nuk është puna juaj. Çështja e largimit të qafirave është një vendim që i takon udhëheqësit (sundimtarit, mbretit, presidentit etj.). Është ai i cili vendos për marrëveshjen me ta, duke i lejuar ata që të hyjnë në vend për ndonjë shërbim që kanë nevojë njerëzit dhe pas kësaj, ai mund t’i ndjekë ata kur u përfundon afati i caktuar i qëndrimit.
Kurse për sa i përket thënies së të Dërguarit:
“Nxirrini jashtë Çifutët nga Gadishulli Arabik.” [1]
Ky është një vendim që i drejtohet udhëheqësve (e jo çdo individi). Për këtë arsye, asnjëri prej tyre nuk i nxorri ata përveç ‘Umerit (radij-Allahu ‘anhu). Nuk u takon njerëzve që të vendosin e t’i nxjerrin jashtë ata. Pra, ai që jep vendimin për t’i nxjerrë jashtë qafirat është udhëheqësi i punëve të një vendi ashtu sikurse është ai i cili mund t’i lejojë ata që të hyjnë në vend; kjo është përgjegjësia e udhëheqësit. Dhe ata (qafirat) nuk kanë ardhur këtu vetëm se për interesin tonë dhe janë me viza të rregullta. Ata kanë ardhur, janë ftuar për të kryer disa punë, qoftë nëpër ambasada, kompani apo çdo gjë tjetër. Ata kanë ardhur tek Muslimanët në dobi të tyre - dhe Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Kushdo që vret një mu’ahed [2] nuk ka për të nuhatur aromën e Xhenetit, megjithëse aroma e tij mund të nuhatet nga një distancë e largët prej 40 vitesh.” [3]
Ky është një kërcënim i rëndë. Kështu, kushdo që jep fetva se ky (aktivitet i terroristëve) është Xhihad, ai nuk është dijetar; ai ose është ndonjë dijetar i devijuar i cili ka pasur dije, ose ai është ndonjë xhahil (injorant) kokë e këmbë, i cili nuk e di se ç’do të thotë Xhihad për hir të Allahut.”
Fundnota:
[1] Hadithi është transmetuar me tekst të ngjashëm tek Bukhari (n. 3053) dhe Muslimi (n. 1767)
[2] Mu’aned është mosbesimtari i cili gëzon të drejtën për të jetuar në vendin e Muslimanëve për sa kohë që udhëheqësi i Muslimanëve ka nënshkruar marrëveshje me të.
[3] Transmetuar nga Bukhari (n. 3166) nga ‘Abdullah Ibn ‘Amr (radij-Allahu ‘anhu).
Përktheu Alban Malaj