Autor: Shejkh ‘Abdul-Muhsin el-‘Abbad el-Bedr
Burimi: “Bedhel en-Nus`h uet-Tedhkir Libakaja el-Meftunin bit-Tekfir uet-Tefxhir


Të rinjtë që janë sprovuar dhe kanë rënë në fitnen e tekfirit (deklarimin e Muslimanëve qafira jashtë normave të Sheriatit) dhe tefxhirit (shpërthimeve dhe atentateve vetëvrasëse) e kanë kundërshtuar Islamin në shumë rrugë të ndryshme. Dhe mjafton të kryhet vetëm njëra prej tyre që dikush të bjerë në gjynah, por si do të ishte atëherë kur ato kryhen të gjitha? Kjo është një përmbledhje e shkurtër e disa prej atyre gjërave që bëjnë ata, të cilat i kundërshton Islami, të cilave u janë bashkangjitur edhe argumentet që tregojnë se sa të rënda e të rrezikshme janë ato.

1. Të bërit tekfir mbi Muslimanët e tjerë

Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Kushdo që i thotë vëllait të tij “O kafir!”, atëherë kjo do të bjerë tek njëri nga ata të dy: ose ai (i akuzuari) është vërtet ashtu siç thotë (akuzuesi) ose kjo kthehet prapa tek ai (akuzuesi).”[1]

Dhe nga hadithi i Ebu Dherrit (radij-Allahu ‘anhu), se ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë gjithashtu:

Kushdo që akuzon një njeri për kufër (mosbesim) dhe i thotë “O ti armik i Allahut” ndërsa ai në të vërtetë nuk është i tillë, ajo (akuza) kthehet prapa tek ai (akuzuesi).”[2]

Nëse ky është kërcënimi për tekfirin ndaj një personi të vetëm, atëherë si do të jetë ky kërcënim për tekfirin që bëhet ndaj një populli të tërë?!

2. Vrasja e Muslimanëve padrejtësisht

Allahu ‘Azze ue Xhel thotë:

Nuk i takon asnjë besimtari që të vrasë një besimtar tjetër, përveç nëse ndodh gabimisht.” [Nisa, 92]

Dhe Ai thotë:

Dhe kushdo që vret një besimtar qëllimisht, shpërblimi i tij është Xhehenemi për të banuar atje. Dhe Zemërimi e Mallkimi i Allahut është mbi të; dhe për të është përgatitur ndëshkim i madh.” [Nisa, 93]

Dhe Ai thotë:

Për këtë shkak, Ne urdhëruam për Bijtë e Israilit që, nëse ndokush vriste dikë jo për shpagim vrasje apo për krime në tokë (d.m.th. vrasje të padrejtë), do të ishte sikur të kishte vrarë krejt njerëzimin. Nga ana tjetër, nëse ndokush shpëton një jetë, do të ishte sikur të kishte shpëtuar jetën e gjithë njerëzimit.” [Ma’ide, 32]

Dhe Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Çështja e parë që do të gjykohet mes njerëzve në Ditën e Gjykimit do të jetë gjaku i derdhur (vrasja).”[3]

Ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë gjithashtu:

Besimtari do të vazhdojë të jetë i lirë në Fenë e tij për sa kohë që ai nuk derdh atë gjak të cilin e ka të ndaluar (harram).”[4]

Xhundub Ibn ‘Abdullah (radij-Allahu ‘anhu), një Sahab i Profetit Muhamed (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), ka thënë:

“Vërtet, gjëja e parë që prishet në trupin e njeriut është stomaku i tij, kështu që kush ka mundësi që të hajë veç ushqime të mira e të pastra, atëherë le të veprojë ashtu. Dhe kush ka mundësi që të mos lejojë që të bëhet shkak një grusht gjaku që e ka derdhur padrejtësisht për ta penguar nga hyrja në Xhenet, atëherë le të veprojë ashtu.”[5]

el-Hafidh Ibn Haxher ka thënë në librin e tij ‘Fet’hul-Bari’ (13/130) pasi u përmend ky hadith në formë merfu’ [6] nga Taberani:

“Edhe nëse nuk është transmetuar qartazi në formë merfu’, ai përsëri konsiderohet se ngrihet në gradën e thënies së Pejgamberit sepse kjo është diçka që nuk mund të dihej apo të thuhej (nga një Sahab) duke u bazuar në mendjen e tij. Ai është një kërcënim i rëndë për vrasjen e Muslimanit padrejtësisht.”

3. Kryerja e vetëvrasjes

Allahu Subhanehu ue Te’ala thotë:

O ju që keni besuar! Mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të pa lejuar përveç se me anë të marrëdhënieve e marrëveshjeve reciproke. Dhe mos e mbytni veten tuaj. Sigurisht që Allahu është gjithnjë Mëshirplotë ndaj jush. Dhe kushdo që e bën këtë qëllimisht dhe me padrejtësi, Ne do ta flakim atë në Zjarr dhe një gjë e tillë është e lehtë për Allahun.” [Nisa, 29-30]

Dhe Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Kush ka vrarë veten në këtë dynja me diçka, atëherë ai do të dënohet me të në Ditën e Ringjalljes.”[7]

4. Vrasja e jo-Muslimanëve që u ishte premtuar siguri

Profeti Muhamed (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Kushdo që vret një mu’ahed (një mosbesimtar që ka hyrë në vendin e Muslimanëve përkohësisht në bazë të një marrëveshjeje që ka nënshkruar me prijësin e tyre) nuk ka për ta ndierë aromën e Xhenetit edhe pse aroma e tij mund të nuhatet gjer në distancën e dyzet viteve larg.”[8]

Madje edhe kur ndodh që jo-Muslimanët të vriten aksidentalisht kur jetojnë mes Muslimanëve, Allahu ‘Azze ue Xhel thotë:

Ndërsa po të ishte nga ndonjë popull me të cilin ju keni marrëveshje bashkëpunimi me njëri-tjetrin, atëherë duhet të jepni pagesën e gjakut familjes së tij dhe në të njëjtën kohë duhet të lironi edhe një rob besimtar. Ndërsa kush nuk i ka mundësitë (për të liruar robin si plotësim të pendimit), ai duhet të agjërojë dy muaj pandërprerë.” [Nisa, 92]

5. Shkaktimi i frikës dhe panikut në jetën e atyre që më përpara jetonin të qetë e të sigurtë

Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Kushdo që ngre armët kundër nesh, atëherë ai nuk është prej nesh.”[9]

‘Abdur-Rrahman Ibn Ebi Lejla ka thënë:

Sahabët e Muhamedit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) na kanë transmetuar se ata po udhëtonin me Pejgamberin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Njëri prej tyre ra në gjumë, sakaq disa të tjerë morën një litar që kishte ai dhe e lidhën (si shaka) duke e trembur. Kështu, Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) tha:

Muslimanit nuk i lejohet që të trembë një Musliman tjetër.”[10]

6. Shkatërrimi i pronës së tjetrit

Allahu ‘Azze ue Xhel thotë:

Ndërsa kur largohet, përpjekja e tij në tokë është të bëjë Fesad (dëme, shkatërrime, djallëzi) dhe të prishë të mbjellat dhe bagëtitë; e Allahu nuk e do Fesadin (shkatërrimin).” [Bekare, 205]

Dhe Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Kushdo që merr pasurinë apo pronën e tjetrit (që ia lënë në mirëbesim apo ia japin si hua) dhe ai përpiqet që t’i përmbushë detyrat dhe përgjegjësitë që ka ndaj tyre, Allahu ka për ta ndihmuar atë që t’i përmbushë ato. Dhe kushdo që i merr ato por përpiqet që t’i shkatërrojë (i hedh pas shpine përgjegjësitë që ka ndaj tyre), Allahu ka për ta shkatërruar atë.”[11]

Kështu që, nëse ky është rasti i atij të cilit i është besuar prona dhe pasuria e njerëzve por ai nuk kujdeset që ta përmbushë përgjegjësinë që ka ndaj atyre, atëherë si do të jetë puna e atyre që shkatërrojnë pronat e të tjerëve me bomba e me mjete të tjera shkatërrimtare?!

7. Rrëmbimi i automjeteve duke kanosur me armë për t’u arratisur më pas

Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Nuk i lejohet askujt që të marrë pasurinë e vëllait të tij pa të drejtë.”[12]

Në hytben e mbajtur në ditën e “Nehrit” në Mina gjatë Haxhit të Lamtumirës, Ebu Bekri (radij-Allahu ‘anhu) ka transmetuar se ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Vërtet gjaku juaj, pasuria juaj dhe nderi juaj duhet të konsiderohen të shenjtë ashtu sikurse shenjtëria e kësaj ditës suaj, në këtë muajin tuaj, në këtë tokën tuaj, deri në ditën kur ju do të takoni Zotin tuaj.”[13]

8. Maskimi i disave prej tyre me rroba të grave

Ibn ‘Abbasi (radij-Allahu ‘anhuma) ka thënë:

“Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i dënoi ata burra që imitojnë gratë dhe ato gra që imitojnë burrat.”[14]

Fakti që disa prej tyre e kundërshtojnë Islamin në këtë mënyrë vjen si rezultat i keqkuptimit nga ana e tyre të teksteve fetare dhe mos-kthimit e mos-konsultimit me Dijetarët. Për këtë gjë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Nëse Allahu i do të mirën një njeriu, atëherë Ai i jep atij kuptimin e Fesë.”[15]

Dhe duke u bazuar në këtë, kuptohet se atij që Allahu nuk ia do të mirën, Ai nuk i jep atij kuptimin e saktë të Fesë.

Ata njerëz duhet të kenë frikë Allahun për Fenë e tyre, vetet e tyre, familjet e tyre dhe kombin e tyre. Ata duhet të bëjnë përpjekje për të kuptuar drejtë Fenë e tyre dhe të kthehen tek njerëzit e dijes në mënyrë që të mënjanojnë gabimet e verbëra e trashanike të cilat i kanë shtyrë ata që të kundërshtojnë Islamin në kaq shumë rrugë (të devijuara). Dhe ata duhet të kenë frikë që të mos u bëjnë padrejtësi veteve të tyre dhe të tjerëve sepse Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Frikësohuni se mos i bëni padrejtësi ndokujt, sepse padrejtësia do të jetë errësirë në Ditën e Kijametit.”[16]

Gjithashtu ata duhet të kenë kujdes se mos bëhen nga njerëzit e falimentuar në botën tjetër sepse Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Me të vërtetë personi i falimentuar nga Umeti im do të vijë Ditën e Kijametit me namaz, agjërim dhe zekat, por ai ka mallkuar këtë njeri, ka shpifur për dikë tjetër, ka grabitur pronën e këtij njeriu, ka derdhur gjakun e atij tjetrit dhe ka goditur një njeri tjetër. Veprat e tij të mira do t’u jepen atyre (që iu ishte bërë padrejtësi), dhe nëse veprat e tij të mira mbarojnë pa përfunduar akoma gjykimi i tij, atëherë gjynahet e këtyre njerëzve do t’i jepen atij. Pastaj ai do të hidhet në Zjarr.”[17]

Fundnota:

[1] Transmetuar nga Bukhari (n. 2104) dhe Muslimi (n. 216) dhe teksti është i tij.
[2] Transmetuar nga Muslimi (n. 217).
[3] Transmetuar nga Bukhari (n. 6824) dhe Muslimi (n. 1278).
[4] Transmetuar nga Bukhari (n. 6826).
[5] Transmetuar nga Bukhari (n. 752).
[6] Hadith merfu’ quhet hadithi që është thënë nga njëri prej Sahabëve, por që ky hadith në fakt konsiderohet si thënie e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) sepse ai (hadithi merfu’) përmban diçka që nuk mund ta ketë ditur apo thënë askush tjetër përveç Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).
[7] Transmetuar nga Bukhari (n. 2047) dhe Muslimi (n. 176).
[8] Transmetuar nga Bukhari (n. 3166).
[9] Transmetuar nga Bukhari (n. 6874) dhe Muslimi (n. 121).
[10] Transmetuar nga Imam Ahmedi (vëll. 5, n. 362) dhe Ebu Davudi (n. 5004) me një zinxhir transmetimi të saktë.
[11] Transmetuar nga Bukhari (n. 2387).
[12] Transmetuar nga Ahmedi (n. 23605) me një zinxhir transmetimi të mirë.
[13] Transmetuar nga Bukhari (n. 27, 1741) dhe Muslimi (n. 1279).
[14] Transmetuar nga Bukhari (n. 8558).
[15] Transmetuar nga Bukhari (n. 71) dhe Muslimi (n. 1037).
[16] Transmetuar nga Muslimi (n. 2578) nga hadithi i Xhabirit (radij-Allahu ‘anhu).
[17] Transmetuar nga Muslimi (n. 2581) nga hadithi i Ebu Hurejrës (radij-Allahu ‘anhu).

 

Përktheu Alban Malaj