Autor: Shejkh ‘Abdul-Muhsin el-‘Abbad el-Bedr [3]
Burimi: “Bedhel en-Nus`h uet-Tedhkir Libakaja el-Meftunin bit-Tekfir uet-Tefxhir


Sot, shumë jo-Muslimanë kanë hyrë në Gadishullin Arabik për një afat të caktuar. Dhe gjithashtu, shumë njerëz të këtij vendi (Arabia Saudite) kanë filluar t’u flasin atyre për Islamin duke përhapur zyra në të gjithë Arabinë Saudite, të quajtura “Teu’ijetul-Xhalijat” apo zyrat që quhen “Udhëzimi i Komunitetit”. Për shembull, sipas një raporti të hollësishëm të zyrës “Udhëzimi i Komunitetit” në Burajde, Kasim (qytet pranë Rijadit), mëse pesëmbëdhjetë mijë (15.000) njerëz pranuan Islamin që nga viti 1407 Hixhrij (1986 EK) e deri në fillim të vitit 1424 Hixhrij (2003 EK). Dhe realizimi i plotë i udhëzimit të këtyre njerëzve, pasi që Allahu i udhëzoi në Islam, është se ata takuan thirrësa të sinqertë e të drejtë që thërrisnin për paqe e mirëqënie, ata që u mësojnë atyre kuptimin e Fesë sipas Selefëve të mirë, ata të cilët janë të pastër nga bidatet e këqia dhe nga ato çështje që janë të huaja për Islamin.

Megjithatë, duke filluar që nga viti 1424 Hixhrij (2003 EK), disa të rinj në këtë vend (Arabia Saudite) ranë në fitnen e braktisjes së bindjes ndaj prijësave dhe qeverisë dhe morën guximin për të vrarë jo-Muslimanët që kishin hyrë në vendin tonë, të cilëve u ishte garantuar mbrojtja dhe siguria. Ata pretendojnë se “po çlirojnë Arabinë Saudite nga qafirat”.

Duke vepruar kështu, ata sollën të keqen mbi vetet e tyre, mbi Fenë, njerëzit e saj dhe mbi tërë popullin. Në gazetën “el-Kabes el-Muvejtije” (n. 11137) datë 23 Rabij'ul-Euel, 1425 Hixhrij (2004 EK), u publikua një artikull nga Doktor Hammad Ibn Ibrahim el-‘Uthman, me titull “Ideologjia e Shpërthimit në Fokus”. Në këtë artikull kishte shumë deklarata nga këta të rinj të devijuar, të cilat janë publikuar në një faqe interneti mjaft të njohur. Deklarata e pestë që citohej aty ishte:

“Të gjithë duhet ta dinë se nëse duan që ta braktisim ideologjinë tonë, pikërisht atë ideologji për të cilën ne jemi krijuar, e me të cilën jemi urdhëruar, për të cilën kemi derdhur gjakun tonë, - nëse duan që ta braktisim këtë, atëherë le ta nxjerrin Muhamedin (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nga varri i tij e le të na i thotë ai vetë: “Mos i dëboni qafirat nga Gadishulli Arabik!” Nxirreni nga varri e të na thotë ai vetë: “Mos bëni Xhihad kundër qafirave nga Gadishulli Arabik!” Nxirreni nga varri e të na thotë ai vetë: “Ju jeni të gjithë gjynahqarë, ekstremistë e terroristë. Ju duhet të hiqni dorë nga kjo dhe të pendoheni.” Vetëm atëherë ne do të dëgjojmë e do të bindemi dhe vetëm atij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem)!”

Çdokush që mendon thellë rreth këtyre deklaratave plot ligësi marramendëse, ekstremizmi dhe zemërgurësia e këtyre njerëzve do të duket qartë ashtu siç duket edukata dhe sjellja e tyre të pahijshme, si dhe ideologjia e tyre terrorizuese dhe aspak tolerante. Madje as nuk mendoj se shumë prej atyre të cilët janë të prirur për shkatërrim në këtë vend, do ta pranonin të tillë deklaratë që nuk thërret për gjë tjetër veçse drejt një fundi të keq. Këta njerëz duhet të pendohen dhe të kthehen në udhëzim e të mos ua vënë veshin deklaratave të tilla që tregojnë vetëm ndyrësinë, ligësinë, poshtërsinë dhe paturpësinë e kujtdo që i ka bërë këto deklarata. Më poshtë vijon një krahasim i përmbledhur midis veprimeve të këtyre të rinjve të devijuar dhe veprimeve të thirrësave të sinqertë për paqe dhe mirëqënie:

1- Të rinjtë e devijuar e pranojnë dhe e miratojnë kufrin (mosbesimin) tek qafiri dhe kështu e turrin për në Zjarr (duke e vrarë). Ata e nxjerrin nga errësira për në errësirë, nga tortura për në torturë. Kurse për sa u përket atyre që thërrasin me sinqeritet për mirëqënie, ata punojnë që ta nxjerrin qafirin nga errësira për në dritë që ai të triumfojë, e në këtë mënyrë ai do të arrijë lumturi dhe kënaqësi në këtë jetë dhe në tjetrën.

2- Të rinjtë e devijuar, duke e vrarë qafirin (që jeton në këtë vend) e kthejnë atë tek familja e tij të veshur me qefin që ata të mbushen me urrejtje dhe zemërim për Islamin dhe Muslimanët, në mënyrë që ata t’i mveshin Islamit gjëra nga të cilat ai është i pastër dhe i pafajshëm - dhe e gjithë kjo për shkak të këtyre njerëzve të devijuar. Kurse për sa u përket atyre që thërrasin me sinqeritet për mirëqënie, duke i thirrur të tjerët për në Islam, personi mund të kthehet tek familja i tij si Musliman. Ai bëhet një pjesëtar i Islamit që thërret familjen e tij dhe të tjerët drejt Fesë së tij.

3- Të rinjtë e devijuar i ekspozojnë vetet e tyre para dënimit të përmendur në hadithin e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem):

Kushdo që vret një mu’ahed (një mosbesimtar që ka hyrë në vendin e Muslimanëve përkohësisht në bazë të një marrëveshjeje që ka nënshkruar me prijësin e tyre) nuk ka për ta ndierë aromën e Xhenetit edhe pse aroma e tij mund të nuhatet gjer në distancën e dyzet viteve ecje.” [4]

Kurse thirrësat e sinqertë, me thirrjen e tyre (për në Islam) shpresojnë për shpërblimin e premtuar në thënien e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem):

Kushdo që thërret për në udhëzim do të ketë shpërblim për të gjithë ata që e ndjekin atë pa iu pakësuar atyre shpërblimi aspak.” [5]

4- Familjet e të devijuarve dhe të afërmit e tyre jetojnë në brenga, strese dhe hidhërim; atyre u vjen keq për gjendjen ku janë zhytur bijtë e tyre të këqinj. Ndërsa familjet e thirrësave të sinqertë jetojnë të lumtur e të gëzuar, duke e pranuar gjendjen e bijve të tyre fisnikë.

5- Të devijuarit me veprimet e tyre i ndalojnë njerëzit që të hyjnë në Islam, duke e njollosur imazhin e Fesë së pastër monoteiste. Thirrësat e sinqertë me veprat e tyre fisnike dhe entuziazmin e tyre për Islamin punojnë për t’i nxjerrë qafirat nga errësira për në dritë.

6- Madje njerëzit e devijuar nuk ishin në gjendje të bënin Xhihad kundër epsheve të tyre (të këqia). Kështu ata shkatërruan vetet e tyre dhe të tjerët duke përfunduar në një formë të shkatërrimit të cilin ata e quajnë “Xhihad”. Kurse thirrësat e sinqertë bëjnë Xhihad kundër epsheve të tyre dhe bëjnë një formë të Xhihadit me të tjerët duke i ftuar ata në Islam.

7- Të devijuarit me veprimet e tyre makabre hapin dyert e çdo të keqeje dhe kyçin dyert e çdo të mire. Thirrësit e sinqertë me veprimet e tyre fisnike hapin dyert e çdo të mire dhe kyçin dyert e çdo të keqeje. Në Sunenin e Ibn Maxhes, Enesi (radij-Allahu ‘anhu) ka thënë se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:

Vërtet, midis njerëzve janë ata që janë çelësa (për të hapur dyert) e të mirës, duke kyçur (dyert) e të keqes. Dhe vërtet, midis njerëzve janë ata që janë çelësa (për të hapur dyert) e të keqes, duke kyçur (dyert) e të mirës. Kështu, Tuba është për këdo që Allahu i ka vendosur çelësat e mirësisë në duart e tij dhe mjerë për atë që Allahu i ka vendosur çelësat e të keqes në duart e tij.” [6]

8- Të rinjtë e devijuar janë njerëz të kërcënuar nga thënia e Allahut:

Vërtet, Allahu nuk e rregullon punën e shkatërrimtarëve.” [Junus, 81]

Kurse thirrësat e sinqertë janë njerëz që kanë premtim nga thënia e Allahut:

Vërtet, Ne nuk do t’ua humbasin shpërblimin vepërmirëve.” [‘Araf, 170]

9- Të devijuarit mund të presin një pjesë nga ajo çfarë ka ardhur në thënien e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem):

 

Kushdo që rebelohet kundër Umetit tim duke vrarë të mirët edhe të këqinjtë (pa bërë dallim), duke mos kursyer as besimtarët e përkushtuar e duke shkelur obligimin ndaj atyre që u është dhënë garancia e sigurisë, atëherë ai nuk është prej meje dhe unë nuk jam prej atij. [7]

Kurse thirrësat e sinqertë mund të presin një pjesë nga ajo çfarë ka ardhur në thënien e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem):

Janë tri veçori të cilat zemra e një Muslimani nuk i urren asnjëherë: bërja e veprave me sinqeritet për Allahun, dhënia e këshillës së sinqertë për ata që janë në krye (prijësat) dhe kapja pas Xhematit, sepse vërtet lutja e tyre i mbulon të gjithë ata.” [8]

 

Fundnota:

[1] Sh.p: Tekfir do të thotë deklarimi i një personi mosbesimtar (qafir) për shkak të një besimi, thënieje, vepre apo dyshimi që ka dalë prej tij. Këtu është për qëllim tekfiri jashtë bazave dhe rregullave sheriatike, i cili buron kryesisht nga ata që ndjekin medh’hebin e Khauarixhëve dhe injorantët të cilët nuk kanë dije rreth Sheriatit.
[2] Sh.p: Termi ‘Tefxhir’ ka për qëllim shpërthimet dhe atentatet vetëvrasëse që kryhen në ditët e sotme nga ata që pretendojnë se bëjnë ‘Xhihad’ duke vrarë e duke shkatërruar çdo gjë pa dallim, frymorë apo jo-frymorë, besimtar apo mosbesimtar, të madh apo të vogël.
[3] Sh.p: Shejkh ‘Abdul-Muhsin el-‘Abbad el-Bedr është një nga Dijetarët e mëdhenj të Muslimanëve në kohën e sotme, Muhadithi i Medines. Imami i Hadithit të këtyre shekujve të fundit, Shejkh Muhamed Nasirud-Din el-Albani (rahimehullah) ka thënë për të: “Unë s’njoh askënd që të barazohet me të në këtë kohë për përkushtimin ndaj Hadithit dhe hulumtimit të gjerë të tij. Unë s’mund të bëj dot pa to dhe nuk mendoj se ndonjë tjetër mund të bëjë dot pa librat e tij dhe të mos përfitojë prej tyre.”
[4] Transmetuar nga Bukhari (n. 3122) nga hadithi i ‘Abdullah Ibn ‘Umer (radij-Allahu ‘anhu).
[5] Transmetuar nga Muslimi (n. 2674) nga hadithi i Ebu Hurejrës (radij-Allahu ‘anhu).
[6] Transmetuar nga Ibn Maxheh (n. 237). Shiko gjithashtu Silsiletus-Sahijha (n. 1332) të el-Albanit.
[7] Transmetuar nga Muslimi (n. 1848) nga hadithi i Ebu Hurejrës (radij-Allahu ‘anhu).
[8] Transmetuar nga Ahmedi (n. 21590) me një zinxhir të saktë transmetimi nga hadithi i Zejd Ibn Thabit (radij-Allahu ‘anhu).

 

Përktheu Alban Malaj