Xhihadi kundër Bidatçijve:

Imam ‘Abdur-Rrahman Ibn Nasir es-Sa’di, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Xhihadi është dy llojësh: Xhihadi me të cilin synohet përmirësimi i Muslimanëve, korrigjimi i Akijdes dhe sjelljeve të tyre, korrigjimi i të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me Fenë apo me dynjanë, si dhe korrigjimi i diturisë dhe veprave që kanë të bëjnë me edukatën. Dhe ky lloj është baza e Xhihadit dhe themeli i tij, dhe mbi të ngrihet lloji i dytë i Xhihadit. Ai është Xhihadi me të cilin synohet mbrojtja kundër atyre që dhunojnë Islamin, siç janë kufarët, munafikët, ateistët dhe të gjithë armiqtë e Fesë bashkë me përkrahësit e tyre.” [1]

Nasr Ibn Jahja ka thënë: E dëgjova Muhamed Ibn Jahja edh-Dhuhlin, Allahu e mëshiroftë, duke thënë: E dëgjova Jahja Ibn Jahjanë duke thënë: “Mbrojtja e Sunetit është më me vlerë sesa Xhihadi në Rrugë të Allahut.” Muhamedi i tha: “Një burrë jep pasurinë e tij, mundohet dhe lufton, por ajo (mbrojtja e Sunetit) na qenka më e mirë sesa kjo?” Ai tha: “Po, shumë herë më e mirë.” [2]

Duke u bazuar në transmetimin e mësipërm, Shejkh Ebu Enes Hammad Ibn Ibrahim el-‘Uthman tha: “Dhe këtë rrugë kanë ndjekur Imamët tanë, ata mendonin se Xhihadi kundër bidatçijve ishte themeli, kurse Xhihadi kundër kufarëve ishte një degë e atij themeli.” [3]



Xhihadi kundër nefsit (vetvetja):

Imam Ibnul-Kajjim el-Xheuzije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Xhihadi kundër armiqve të jashtëm të Allahut është një degë e Xhihadit që bën robi kundër vetvetes në lidhje me Allahun, siç ka thënë Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem): “Muxhahid është ai që bën Xhihad kundër nefsit (vetes) së tij duke iu bindur Allahut, dhe Muhaxhir është ai që largohet nga ajo që e ka ndaluar Allahu.” [4] Xhihadi kundër nefsit (vetvetes) vjen i pari dhe ai është bazë e Xhihadit kundër armikut të jashtëm. Kështu që, ai i cili nuk bën Xhihad fillimisht kundër nefsit të tij duke zbatuar ato gjëra për të cilat është urdhëruar, duke u larguar nga ato gjëra që janë të ndaluara dhe duke bërë përpjekje të mëdha në këtë gjë për hir të Allahut, atëherë ai e ka të pamundur që të bëjë Xhihad kundër armikut të jashtëm. E si mund të bëjë Xhihad kundër armikut të tij të jashtëm dhe të tregohet i drejtë me të, ndërkohë që armiku i cili ndodhet përbrenda tij e ka nënshtruar atë dhe e ka nën kontroll, dhe ai nuk bën Xhihad kundër këtij armiku dhe as nuk e lufton atë për hir të Allahut!? Përkundrazi, është e pamundur për të që të shkojë të luftojë kundër armikut të tij të jashtëm, derisa ai të bëjë Xhihad kundër nefsit (vetes) së tij. Kështu, robi sprovohet me kryerjen e Xhihadit kundër këtyre dy armiqve, por midis atyre është një armik i tretë.

Është e pamundur që të bëhet Xhihad kundër dy të parëve, përveç se duke bërë Xhihad kundër këtij tjetrit; e ky është ai që qëndron ndërmjet dy armiqve të lartpërmendur dhe robit, duke e penguar atë nga Xhihadi kundër dy të parëve, e braktis atë dhe e kthen mbrapa nga Xhihadi. Ai nuk pushon së shtyturi atë që të mendojë se ky Xhihad kundër dy armiqve të parë do të thotë të heqësh dorë nga pasuria, nga kënaqësia dhe qejfet. Kështu që, ai e ka të pamundur që të bëjë Xhihad kundër dy armiqve të parë, përveç se duke kryer Xhihad kundër këtij tjetrit. Dhe Xhihadi kundër këtij armiku është baza e Xhihadit kundër atyre dy të tjerëve, dhe ky armik është Shejtani. Allahu i Lartësuar thotë:

Me të vërtetë Shejtani është armiku për ju, kështu që merreni atë si armikun tuaj.” [Fatir, 6]

Kështu që, urdhëri për ta marrë atë si armik është një paralajmërim kundër mungesës së aftësisë në luftimin dhe kryerjen e Xhihadit kundër tij, sikur ai është një armik që nuk dobësohet kurrë dhe nuk dështon në luftën kundër robit.” [5]

Xhihadi me dije:

Imam Ibnul-Kajjim el-Xheuzije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Shtyllat mbi të cilat mbahet Feja janë dituria (‘ilm) dhe xhihadi, dhe për këtë arsye xhihadi është dy llojësh: xhihadi me dorë e me shtizë, dhe tek ky xhihad ka shumë pjesëmarrje. Kurse i dyti është xhihadi me argument e me sqarim. Lloji i dytë i xhihadit është specific në ndjekjen e të Dërguarve, dhe ai është xhihadi i imamëve (të Fesë) dhe është më i larti nga këto dy lloje të xhihadit për shkak të dobive të panumërta dhe peshës së madhe që ka ai, si dhe për shkak të armiqve të shumtë.

Dhe po të kishim dashur Ne, do të kishim ngritur këshillues në çdo qytet. Kështu pra, mos iu bind mosbesimtarëve, por lufto ndaj tyre (duke i thirrur në fe) me Xhihadin më të madh (me anë të Kur’anit).” [Furkan, 51-52]

 

Dhe ky xhihad që bëhet kundër tyre me anë të Kur’anit është më i madh sesa dy xhihadet e tjerë, dhe për më tepër ai është një xhihad kundër munafikëve. Kjo për arsye se munafikët nuk i luftojnë Muslimanët, por janë me ata nga ana e jashtme. Ndërsa kur Muslimanët luftojnë, ata (munafikët) dalin kundër tyre. Dhe prandaj Allahu i Lartësuar ka thënë:

O Pejgamber! Bëj xhihad kundër mosbesimtarëve dhe munafikëve dhe ji i ashpër me ta.” [Teube, 73]

Dhe dihet që xhihadi kundër munafikëve duhet të kryhet me anë të ngritjes së argumentit dhe me anë të Kur’anit.” [6]

Ibn ‘Abdul-Berr ka recituar këto vargje poetike që vijojnë:

“Dhe boja që del nga penët e Dijetarëve
është më e pastër e më e virtytshme sesa gjaku i Dëshmorëve.
O nxënësa të dijes të Muhamedit Pejgamber
Ju s’jeni pa epërsi e nder!” [7]

Fundnota:
[1] Wuxhub et-Ta’wun bejnel-Muslimin (fq. 7-8)
[2] Sijer A’lamun-Nubela (10/518)
[3] Zexherul-Mutehawun (fq. 105)
[4] Hadith Sahih: Transmetuar nga Ahmedi (3/21). Është saktësuar nga Shejkhul-Albani në Sahih et-Tergijb (2/150)
[5] Zadul-Me’ad (3/6)
[6] Miftah Darus-Se’ade (1/70)
[7] Xhami’ Bejanil-‘Ilm (1/31)

 

Përktheu Alban Malaj