Autor: Shejkh Muhamed ibën Salih el-Uthejmin

Burimi: Nurun ‘ala Derb, 610

 

 

Pyetje: A lejohet t’i falim teravitë nga katër rekate me një selam? A është kjo në pajtim me sunnetin?

 

Përgjigje: Lavdërimi i takon Allahut. Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë për Pejgamberin tonë Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe për ata që i ndoqën me përpikëri, deri në Ditën e Gjykimit.

Nuk i lejohet njeriut ta falë teravinë nga katër rekate me një selam të vetëm, ngaqë kjo bie ndesh me udhëzimin e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala alihi ue sel-lem. Kur ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – u pyet për namazin e natës, tha:

صَلاَةُ اللَّيْلِ مَثْنَى مَثْنَى

“Namazi i natës është nga dy rekate, nga dy rekate.”

Që do të thotë se mënyra sheriatike e tyre është që ato të falen dy nga dy, pa shtuar. Për këtë arsye, Imam Ahmedi – rahimehuLlah – ka thënë:

“Ai që ngrihet për të falë rekatin e tretë – pra në namazin vullnetar gjatë natës – është sikur të jetë ngritur të falë rekatin e tretë të sabahut.”

Që do të thotë se nëse ai do të ngrihej të falë rekatin e tretë në sabah, namazi i tij do të ishte i pavlefshëm. Po ashtu, vlen e njëjta nëse ai ngrihet për në rekatin e tretë në namazin e natës, namazi i tij është i pavlefshëm – nëse e bën këtë qëllimisht. E nëse ka harruar, kthehet që në çastin kur i kujtohet, jep selam dhe bën dy sexhde për harresën (sehui sexhde).

Disa njerëz kanë menduar se për këtë – kam për qëllim bashkimin e katër rekateve me një selam – është argument hadithi i Aishes – radijAllahu ‘anha – ku u pyet se si ishte namazi i Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, dhe ajo tha:

“Në Ramazan dhe jashtë tij, nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate. Falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre. Pastaj, përsëri falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre. Pastaj falte tre rekate.”

Disa njerëz menduan se fjala “falte katër rekate” d.m.th. me një selam. Por, çështja nuk është ashtu. Ngase është vërtetuar nga vetë ajo se ai (Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) falte njëmbëdhjetë rekate dhe jepte selam pas çdo dy rekateve. Duke u bazuar tek kjo, fjala e saj “falte katër, pastaj falte katër” do të thotë se ai falte katër rekate me dy selame, pastaj pushonte paksa. Pastaj, vazhdonte përsëri të falte katër rekate me dy selame, pastaj pushonte paksa. Dhe më pas falte tre rekate. Fjalët e saj të përgjithshme, i shpjegojnë fjalët e saj të detajuara.

Por nga këto bën përjashtim vitri. Nëse e fal vitrin me tre rekate, i lejohet që të jap selam pas dy rekateve apo të falë të tre rekatet me një selam dhe me një teshehud. E nëse e fal vitrin me pesë rekate, i përfshin të gjitha me një teshehud dhe një selam. E nëse e fal vitrin me shtatë rekate, është e njëjta gjë. Nëse e fal vitrin me nëntë rekate, fal tetë rekate dhe ulet në të tetin, të thotë lutjet e teshehudit dhe të mos japë selam. Pastaj (të ngrihet) për të falur rekatin e nëntë, të thotë lutjet e teshehudit dhe të japë selam. Ky është përjashtim.

Duke u bazuar tek kjo – përveç asaj që është bërë përjashtim – nëse ngrihet për në rekatin e tretë, më pas i kujtohet, edhe sikur të ketë lexuar el-Fatihanë, ai kthehet dhe ulet në teshehud, thotë lutjet e teshehudit dhe jep selam, dhe pastaj bën sexhden e harresës.

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari