Për sa i përket çeljes së agjërimit me duhan, duhet ditur pikë së pari se, duhani në vetvete është prej harrameve. Që duhani është harram, për këtë kanë konsensus dijetarët hulumtues e të besueshëm në kohën e tashme. Sheriati e ka bërë harram çdo gjë që i shkatërron njerëzit. Ka thënë Zoti ynë i Madhëruar e i Lartësuar:

وَلا تُلْقُوا بِأَيْدِيكُمْ إِلَى التَّهْلُكَةِ

"Mos u shtini me duart tuaja në shkatërrim!" [el-Bekare, 195]

Ka thënë Allahu i Patëmeta:

وَيُحِلُّ لَهُمُ الطَّيِّبَاتِ وَيُحَرِّمُ عَلَيْهِمُ الْخَبَائِثَ

"Ai ua ka lejuar atyre gjërat e mira dhe ua ka ndaluar atyre gjërat e ndyra." [el-A'raf, 157]

Kështu që, duhani është bërë harram ngaqë, së pari ai të dëmton, së dyti duhanxhiu mban gjithmonë erë të keqe, së treti është dobësia që të shkakton ai, sepse është transmetuar nga Profeti - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem - se ai ka ndaluar çdo gjë që të dobëson apo të trullos.

Nëse u bë e qartë kjo, atëherë duhet ditur se iftari që bën robi është ibadet për Allahun e Madhëruar e të Lartësuar, prandaj ai duhet të bëjë iftar me gjëra që janë bindje për Allahun e Madhëruar e të Lartësuar, por jo me gjëra që janë mosbindje për Allahun.

Kështu që, nëse robi është sprovuar nga kjo bela, atëherë ai duhet t'i lutet Allahut të Lartësuar e të Madhëruar që t'ia largojë atë. Pastaj, kur të vijë koha e iftarit, të durojë dhe ta çelë agjërimin me gjërat që kanë ardhur në Sunet, me hurma të njoma apo të thata apo ta çelë me ujë. Pra, ta çelë me gjëra të mira, që të jenë këto gjërat e para që fut në trupin e tij mbas këtij agjërimi.

Agjëruesi ka dy gëzime: gëzimi kur çel agjërimin dhe gëzimi kur takohet me Zotin e tij. Kështu që, kur ai çel agjërimin me një gjë që është harram, sipas një numri dijetarësh të konsiderueshëm, kjo padyshim që është diçka e keqe për të.

Prandaj unë këshilloj që, kushdo që është në këtë gjendje, duhet t'i japë fund kësaj belaje. Ata robër që i ka sprovuar Allahu me këtë bela, me këtë gjynah, duhet të kërkojnë ndihmën e Allahut që ta braktisin atë. Nëse mbështetja dhe kërkimi i ndihmës nga Allahu i Madhëruar e i Lartësuar janë të sinqerta, Zoti i Lartësuar ka për ta ndihmuar robin e Tij sepse Ai është më Bujari.

Përktheu: Alban Malaj