Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

 

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

(Nuk pranohet vepra derisa të plotësohen në të dy kushte)

 

Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë. Çdo vepër në fe duhet patjetër të plotësojë dy kushte që të pranohet nga Allahu – SubhaneHu ue Te’ala –.

Kushti i parë: që ajo të jetë e sinqertë për Fytyrën e Allahut e mos të ketë në të syfaqësi apo kërkim fame dhe mos të ketë në të shirk.

Kushti i dytë: që ajo të jetë e saktë, në përputhje me Sunetin e të Dërguarit të Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -. Të jetë ashtu siç ka ardhur në Fjalën e të Lartësuarit:

بَلَىٰ مَنْ أَسْلَمَ وَجْهَهُ لِلَّـهِ وَهُوَ مُحْسِنٌ فَلَهُ أَجْرُهُ عِندَ رَبِّهِ وَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ

“Porse ai që ia dorëzon fytyrën e tij Allahut dhe është vepërmirë, ai e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij, për ata nuk ka frikë, as nuk kanë pse të mërziten." Bekare, 112.

Fjala e Tij:  أسْلَمَ وَجْهَهُ ِللهِ – “ia dorëzon fytyrën e tij Allahut domethënë e bëri të pastër veprën e tij për Allahun, të pastër nga shirku, nga bidati apo nga çdo gjë që e mangëson veprën e mirë apo e bën të pavlefshme. Ky është njëri kusht.

Kushti i dytë është: që ajo të jetë e saktë, në përputhje me Sunetin e të Dërguarit të Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -. Dhe kjo duke u bazuar tek Fjala e Tij وَهُوَ مُحْسِنٌ “dhe është vepërmirë.” Është vepërmirë, domethënë ai është pasues i Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -. Ai nuk e adhuron Allahun veçse me atë që ka ligjëruar ky Pejgamber - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -, kurse ajo që nuk është ligjëruar nga Pejgamberi, është e refuzuar.

Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka thënë:

مَنْ عَمِلَ عَمَلًا لَيْسَ عَلَيْهِ أَمْرُنَا فَهُوَ رَدٌّ

“Kush vepron një vepër të cilën nuk e kemi urdhëruar do jetë e refuzuar.”

Bukhariu (2697) dhe Muslimi (1718)

Ka thënë - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -:

 فَعَلَيْكُمْ بِسُنَّتِي وَسُنَّةِ الْخُلَفَاءِ الرَّاشِدِينَ الْمَهْدِيينَ، عَضُّوا عَلَيْهَا بِالنَّوَاجِذِ، وَإِيَّاكُمْ وَمُحْدَثَاتِ الْأُمُورِ؛ فَإِنَّ كُلَّ بِدْعَةٍ ضَلَالَةٌ وَكُلَّ ضَلاَلَةٍ فِي النَّارِ 

“Kapuni për Sunetin tim dhe Sunetin e Prijësave të Drejtë e të udhëzuar pas meje, kapuni pas tij, kapuni fortë me dhëmballët tuaja, dhe kujdes nga çështjet e shpikura në fe, se çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është humbje dhe çdo humbje është në zjarr.” Ebu Daudi (4607) , Tirmidhiu (266).

Atëherë çdo vepër patjetër që duhet të plotësojë dy kushte, e ato janë: sinqeriteti dhe pasimi. Çdo vepër që nuk i përmban këto dy kushte është e refuzuar dhe e papranuar.

Ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -:

مَنْ عَمِلَ عَمَلًا لَيْسَ عَلَيْهِ أَمْرُنَا فَهُوَ رَدٌّ

“Kush bën një vepër të cilën ne nuk kemi urdhëruar, ajo është e refuzuar.”

E refuzuar, domethënë i kthehet mbrapsht atij, nuk ia pranon atij Allahu – SubhaneHu ue Te’ala –. Muslimani e ka obligim që t’i kushtojë rëndësi veprave të tij, nga ana e sinqeritetit për Allahun dhe nga ana e pasimit të Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -. E nëse nuk do jetë ashtu, atëherë vepra e tij do jetë e pavlefshme, do i kthehet mbrapsht vepruesit të saj dhe nuk do ta pranojë Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar.

Kur muslimani bën një vepër, ai kërkon me të shpërblim, e përderisa kërkon me këtë vepër shpërblimin, atëherë le t’i realizojë këto dy kushte: të jetë e sinqertë për Allahun, mos të ketë në të syfaqësi, as kërkim fame e as shirk, si dhe të jetë e saktë dhe në përputhshmëri me Sunetin e Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -, pa pasur në të bidate dhe shpikje. Dhe nuk realizohet kjo vetëm se duke mësuar besimin e drejtë dhe Sunetin profetik, në mënyrë që të ecë në këtë rrugë duke qenë i sinqertë tek Allahu dhe pasues i Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -. E nëse nuk e bën këtë, vepra e tij do jetë hi e pluhur,

Siç ka thënë Allahu – xhel-le ue ala:

وَقَدِمْنَا إِلَىٰ مَا عَمِلُوا مِنْ عَمَلٍ فَجَعَلْنَاهُ هَبَاءً مَّنثُورًا

“Dhe Ne do t’u qasemi veprave që ata i kanë bërë dhe do t’i bëjmë ato hi e pluhur.” Furkan, 23.

Siç ka thënë gjithashtu Allahu i Lartësuar: 

وَالَّذِينَ كَفَرُوا أَعْمَالُهُمْ كَسَرَابٍ بِقِيعَةٍ يَحْسَبُهُ الظَّمْآنُ مَاءً حَتَّىٰ إِذَا جَاءَهُ لَمْ يَجِدْهُ شَيْئًا وَوَجَدَ اللَّـهَ عِندَهُ فَوَفَّاهُ حِسَابَهُ ۗ وَاللَّـهُ سَرِيعُ الْحِسَابِ

“E veprat e atyre që nuk besuan janë si mirazhi, ku i eturi mendon se ai është ujë, derisa kur t’i afrohet atij e nuk gjen asgjë, por aty e gjen Allahun dhe Ai do t’ia japë llogarinë e tij. Allahu është i shpejtë në llogaritje.” En-Nur, 39.

Allahu e di më së miri. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org