Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

 

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

(Ramazani është muaji i leximit dhe meditimit të Kuranit)

Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, mbi Familjen dhe mbi të gjithë Shokët e tij.

Udhëzimi i Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – në lidhje me Kur`anin është se atij i vinte Kur`ani nga Xhibrili – alejhi selam –, i cili ia përcillte atë nga Zoti i tij, pastaj Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – punonte me të dhe ua mësonte njerëzve. Ky ishte udhëzimi i tij në lidhje me Kur`anin. Ai punonte me të dhe ua mësonte njerëzve. Pastaj njerëzit, domethënë muslimanët, ecnin sipas këtij udhëzimi fisnik profetik. Ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –:

خَيْرُكُمْ مَن تَعَلَّمَ القُرْآنَ وعَلَّمَهُ

“Më i miri prej jush është ai që e mëson Kur`anin dhe ua mëson të tjerëve.”

Ata e mësonin Kur`anin, e merrnin mësimin prej atyre që e kishin mësuar më parë Kur`anin dhe ua përcillnin njerëzve duke ua mësuar atyre këtë Kur`an. Kështu ishte Umeti i Muhamedit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –, me dije dhe vepra, sidomos me Kur`anin fisnik, të Cilin e dërgoi Allahu udhëzim për njerëzit.

﴿شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنْزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ ﴾

“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur'ani…”

Për çfarë zbriti?

﴿ هُدًى لِلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِنَ الْهُدَىٰ وَالْفُرْقَانِ﴾

“…udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe Furkan (dallues i të mirës nga e keqja)!” [el-Bekareh, 185]

Ata i kushtonin rëndësi të veçantë këtij Kur`ani, duke e mësuar atë dhe duke ua mësuar atë të tjerëve, duke medituar në të dhe duke punuar me të. E lexonin ashtu siç zbriti nga Allahu tek Profeti i Tij, Muhamedi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –.

Nuk mjafton për Kuranin dhe as për dituritë e tjera që vetëm të lexosh në libra dhe të marrësh veçse nga librat, sepse ato janë dëshmi në duart e muslimanëve dhe referencë për ta. Por ata duhet ta marrin Kuranin atë nga Dijetarët, nga recituesit e kualifikuar të Kur`anit dhe nga mësuesit; duhet të meditojnë në kuptimet e tij dhe të veprojnë sipas dispozitave të tij. Ata duhet t’i kushtojnë rëndësi leximit të tij, meditimit në të dhe punimit me të. Kur`ani në të vërtetë është zbritur për këtë qëllim, për t’u mësuar dituria që ai përmban dhe për të punuar me të, duke i bashkangjitur sinqeritetin për Allahun, e Plotfuqishëm dhe të Madhëruar, në qëllimin dhe në synimin e tij.

Ky muaj i begatshëm është muaji i Kuranit.

﴿شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنْزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِنَ الْهُدَىٰ وَالْفُرْقَانِ﴾

“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe Furkan (dallues i të mirës nga e keqja)!” [el-Bekareh, 185]

Në fillim të sures (el-Bekare) Ai thotë: “Udhërrëfyes për të devotshmit.” ( هُدًى لِّلْمُتَّقِينَ)

Ndërsa në këtë ajet thotë: “Udhërrëfyes për njerëzit.” (هُدًى لِلنَّاسِ)

Nga këndvështrimi i obligueshmërisë së punimit me Të dhe ndjekjes së udhëzimit të Tij, Ai thotë: “Ai është udhërrëfyes për njerëzit.” (هُدًى لِلنَّاسِ)

Ndërsa nga këndvështrimi i besimit në të dhe punimit me të, Ai thotë: ( هُدًى لِّلْمُتَّقِينَ) “Ai është udhërrëfyes për të devotshmit.”

Pra, ai është udhërrëfyes për të devotshmit, të cilët e mësuan atë, punojnë me të dhe adhurimet e tyre ia kushtojnë sinqerisht Allahut të Plotfuqishëm dhe të Madhëruar.

Fjala e Tij ku thotë: “Udhërrëfyes për njerëzit.” (هُدًى لِلنَّاسِ)Domethënë ai është argument për njerëzit, është argument në favor të tyre ose kundër tyre.

Është argument në favor të tyre nëse ata punojnë sipas udhëzimeve të tij dhe meditojnë në të, dhe është argument kundër tyre nëse e mësojnë atë por nuk veprojnë sipas udhëzimeve të Tij. Prandaj ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –:

الْقُرْآنُ حُجَّةٌ لَكَ أَوْ عَلَيْكَ

“Kur`ani është argument në favorin tënd ose kundra teje.”

Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org