Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

 

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

(Historia e burrit prej banorëve të xhenetit)

 

Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.

Muslimani duhet ta ketë zëmrën e pastër ndaj shoqërisë ku ai jeton, mos të nevrikoset dhe mos të ngushtohet nga  shqetësimet që ia shkaktojnë njerëzit, prandaj ai duhet të durojë dhe ta përmbajë veten. Një ditë Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ishte ulur me shokët e tij dhe tha: “Do ju vijë tani një burrë prej banorëve të Xhenetit.”

Erdhi ai burrë, kishte sandalet në dorë dhe mjekrra i pikonte ujë ngaqë kishte marrë abdes. Ai dha selam dhe u ul tek Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –. Ditën e dytë ndodhi e njëjta gjë. Ditën e tretë gjithashtu ndodhi e njëjta gjë. Vinte ai burrë me cilësitë dhe me pamjen e tij. Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – thoshte: “Do ju vijë tani një burrë prej banorëve të Xhenetit.”

Ibën Umeri – radijAllahu Teala anhuma - u ngrit dhe i tha atij (burrit): “Ka ndodhur një konflikt mes meje dhe babait tim, andaj dua që të vij me ty në shtëpinë tënde.” Ai e mirëpriti  dhe shkuan bashkë te shtëpia e tij dhe fjeti atje. Ai nuk pa që ky burrë të falte namaz nate apo të bënte adhurime të shumta, vetëm se sa herë që zgjohej një moment, ai përmendte Allahun e Ploftuqishëm e të Madhërishëm, drejtohej nga kibleja dhe i bënte dhikër Allahut të Ploftuqishëm e të Madhërishëm. Ndejti me të tre netë, pastaj i tha: “Nuk kishte ndodhur gjë mes meje dhe babait tim nga ato që përmenda, porse unë dëgjova nga Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – të thotë për ty: “Do ju vijë tani një burrë prej banorëve të Xhenetit.” Prandaj unë doja që të shoqëroja ty e të shoh se çfarë vepron. Por unë nuk pashë që të bëje shumë gjëra.” Ia ktheu burri: “Nuk ka gjë tjetër përveç asaj që ke parë. Vetëm se unë nuk mbaj në zemrën time inat për askënd.” Ai ia ktheu: “Ne nuk e mbajmë dot këtë që përmende ti, kjo që Allahu të ka begatuar ty, që ti nuk mban në zemër asgjë të keqe për askënd.”

Këtë gjë ne nuk e mbajmë dot, sepse njeriu ka njëfarë ashpërsie me kundërshtarin apo me ata që ka pranë. Ky është mësimi që përfitohet nga kjo ngjarje, mësojmë prej kësaj ngjarje se duhet të bëjmë durim. Bëj mirë dhe duro në të. Duroji njerëzit dhe mos u hakmerr për veten tënde. Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – nuk hakmerrej kurrë për veten e tij, edhe pse u përball me shqetësime të shumta nga njerëzit. Vetëm kur shkeleshin kufijtë e Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm, atëherë hakmerrej për Allahun. Por që të hakmerrej për veten e tij, kjo nuk ndodhte nga Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –, kurrën e kurrës. Muslimani gëzohet kur i ndodh vëllait të tij diçka e mirë, nuk e ka zili për këtë gjë. Këto janë cilësitë e muslimanit.

Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar thotë:

أَمْ يَحْسُدُونَ النَّاسَ عَلَىٰ مَا آتَاهُمُ اللَّـهُ مِن فَضْلِهِ

“A i kanë zili ata njerëzit për atë që ua ka dhënë Allahu nga mirësia e Tij?” [En-Nisa, 54]

Kur të marrësh vesh se dikujt prej muslimanëve i është dhënë ndonjë mirësi, ti duhet të lutesh për të që ai të ketë begati në të, dhe jo ta kesh zili për këtë gjë. Nuk ka ndonjë të keqe që të dëshirosh edhe ti atë që Allahu ia ka dhënë atij, kjo nuk është prej zilisë por prej lakmisë së lejuar, siç e kanë përmendur dijetarët. Nëse dëshiron që të të japë Allahu edhe ty siç i ka dhënë atij tjetrit, kjo është prej lakmisë së lejuar dhe jo prej zilisë.

Allahu e di më së miri. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org