Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Përgëzim madhështor për ata që e veçojnë Allahun në adhurim
Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.
Ka thënë Muadh ibën Xhebel – Allahu qoftë i kënaqur me të –: Kisha hipur mbi gomar mbrapa Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – dhe ai më tha: “O Muadh! A e di se cila është e drejta e Allahut te robërit e Tij dhe cila është e drejta e robërve tek Allahu?”Unë i thash: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Ai tha: “Me të vërtetë e drejta e Allahut te robërit e Tij është që ta adhurojnë vetëm Atë pa i shoqëruar kënd në adhurim, ndërsa e drejta e robërve tek Allahu është që Ai të mos i dënojë ata nëse nuk i shoqërojnë Allahut kënd në adhurim.” Unë i thash: “O i dërguari i Allahut a t’i lajmërojë njerëzit?” Ai tha: “Mos i lajmëro se pastaj do të mbështeten tek kjo.”
Në këtë hadith ka sqarim për të drejtën e Allahut te robërit e Tij dhe çfarë ua ka bërë obligim atyre: që ta adhurojnë vetëm Atë dhe mos t’i shoqërojnë askënd në adhurim.
Ka thënë Allahu - Xhele ue Ala -:
وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ ﴿٥٦﴾ مَا أُرِيدُ مِنْهُم مِّن رِّزْقٍ وَمَا أُرِيدُ أَن يُطْعِمُونِ ﴿٥٧﴾
“Unë nuk i kam krijuar xhindët dhe njerëzit veçse të më adhurojnë Mua. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as dëshiroj që ata të ushqejnë (krijesat e Mia).” [Edh-Dharijat, 56-57]
Shpërblimi i kryerjes së kësaj të drejte dhe dobia e saj i kthehet robërve, kurse Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar është i Panevojshëm për robërit e Tij, porse shpërblimi i kryerjes së kësaj të drejte i kthehet atyre. Nëse ata e Adhurojnë ashtu siç i takon Atij, Ai do t’iu japë atyre mirësi të shumta, do t’i furnizojë, do t’u japë sukses, do t’i udhëzojë dhe do t’i ndihmojë. Kjo është e drejta e Tij tek ata dhe frytet u kthehen robërve të Tij.
Ndërsa për sa i përket të drejtës që kanë ata tek Ai, Allahut nuk i obligohet gjë porse Allahu ia ka bërë obligim Vetes së Tij dhe asnjë nuk i obligon gjë Allahut. Kjo është një e drejtë që Allahu ia ka bërë obligim vetes së Tij - SubhanneHu ue Teala -. E drejta e robërve tek Allahu është që Ai mos t’i dënojë ata që nuk i shoqërojnë asgjë në adhurim. Kjo është ajo që përmban ky hadith madhështor, që e transmeton Muadh ibën Xhebel - – Allahu qoftë i kënaqur me të –, në të cilin ka përgëzim të madh për besimtarët, veçuesit e Allahut me adhurim, se ata do të shpëtojnë nga dënimi, do shpëtojnë nga dënimi i përhershëm. Ndërsa dënimi i pjesshëm mund t’u ndodhë atyre në varësi të mangësimit që ia kanë bërë të drejtës së Allahut - SubhanneHu ue Teala -. Ata ose do të falen nga Allahu dhe nuk do t’i dënojë, ose Ai i dënon në varësi të asaj që meritojnë, e më pas do ta heqë dënimin Allahu - SubhanneHu ue Teala -. Nuk do ngelen përgjithmonë në zjarr përveçse mohuesi dhe idhujtari, ndërsa besimtari edhe po u dënua nuk do të dënohet përgjithmonë. Allahu mund t’i falë ata, dhe falja është më afër tek Allahu - SubhanneHu ue Teala -. Ky është hadith madhështor.
Tha Muadhi: “A t’i lajmëroj njerëzit o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Mos i lajmëro se pastaj do të mbështeten tek kjo.”
Tek ky hadith ka argument se lejohet fshehja e dijes për ndonjë dobi. Nëse në fshehjen e diturisë ka dobi atëherë ajo fshihet, por nëse në fshehjen e saj nuk ka dobi atëherë nuk lejohet fshehja e saj.
إِنَّ الَّذِينَ يَكْتُمُونَ مَا أَنزَلْنَا مِنَ الْبَيِّنَاتِ وَالْهُدَىٰ مِن بَعْدِ مَا بَيَّنَّاهُ لِلنَّاسِ فِي الْكِتَابِ ۙ أُولَـٰئِكَ يَلْعَنُهُمُ اللَّـهُ وَيَلْعَنُهُمُ اللَّاعِنُونَ
“Ata, të cilët fshehin argumentet dhe faktet që Ne i shpallëm, e pasi që ato ua sqaruam njerëzve në librin, të tillët i mallkon Allahu, i mallkojnë edhe ata që mallkojnë.” [el-Bakara 159]
Në parim fshehja e dijes është e ndaluar, madje duhet bërë sqarim për të, vetëm nëse ka ndonjë dobi në fshehjen e saj, atëherë fshihet për shkak të kësaj dobie.
Allahu e di më së miri. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.
Përktheu: Abdullah Beqiri