Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit
(Vlera e agjërimit)
Lavdia dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Sunduesit, të Pastërtit prej të metave, Shpëtuesit, i Cili na nderoi me Fenë Islame, dhe shpërblim e agjërimit e ka bërë falje për gjunahet. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i Cili gjithmonë e meriton të adhurohet, dhe dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij si mëshirë për krijesat. Salavatet më të pastra dhe selamet më të plota qofshin mbi të. Allahu qoftë i kënaqur me familjen dhe shokët e tij të mirë dhe kolosë.
Më pas:
Të nderuar vëllezër dhe motra, me të vërtetë që muaji i Ramazanit është muaji i garimit, i mirësive dhe i shtimit të veprave të mira. Veprat më të mira me të cilat afrohet robi tek Allahu - 'Azze ue Xhel - janë ato të cilat Allahu i ka bërë obligim, siç ka ardhur në hadithin që Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - e transmeton prej Zotit të tij, të Pastërtit prej të metave e të Lartësuarit, i Cili thotë:
"Robi im nuk mund të afrohet tek Unë me diçka që është më e dashur për Mua, përveç se me atë që ia kam bërë obligim."
Allahu - 'Azze ue Xhel - na e ka obliguar agjërimin e këtij muaji, prandaj ai është muaji i agjërimit të detyruar, thotë i Lartësuari:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ
"O ju që keni besuar, është bërë obligim për ju agjërimi ashtu siç ishte obligim për ata që ishin para jush!" [El-Bekareh, 183]
Allahu e ka bërë obligim agjërimin edhe për popujt e mëparshëm. Dijetarët thonë: “Nëse diçka ka qenë e përbashkët për të gjithë Pejgamberët, kjo tregon për dobinë e madhe të saj dhe se dobia e saj është e përhershme, shpërblimi i saj është shumë i madh dhe është më e mirë se të tjerat!” Agjërimi është prej gjërave të përbashkëta që ka umeti ynë me umetet e tjera, edhe pse e dimë se adhurimi më i plotë është ai që është ligjësuar për umetin e Muhammedit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem-.
Agjërimi është obligimi që e ka caktuar Allahu për ne në këtë muaj të bekuar; Allahu -'Azze ue Xhel – na ka obliguar që ta agjërojmë atë. Kështu që, ne e kemi detyrë që t’ia dimë vlerën e agjërimit, ta ruajmë atë, ta mbrojmë atë dhe të përpiqemi që ky të jetë prej veprave tona më të mira që na afron tek Zoti ynë, i Pastër nga të metat e i Lartësuar është Ai.
E lus Allahun - 'Azze ue Xhel - që të më bëjë mua dhe juve prej atyre që agjërojnë në mënyrën më të mirë dhe me sinqeritet!
Allahu i Lartësuar e di më së miri. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë!
Përktheu: Servet Mata
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org