Autor: Shejkh Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: Silsiletu Sherh er-Resail, fq.151-157
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit.
Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe lavdërimi qoftë për Pejgamberin tonë Muhamedin, për familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij.
Allahu - i Pastri dhe i Larti nga çdo mangësi - ka thënë:
﴿إِنَّ اللَّـهَ لَا يَسْتَحْيِي أَن يَضْرِبَ مَثَلًا مَّا بَعُوضَةً فَمَا فَوْقَهَا فَأَمَّا الَّذِينَ آمَنُوا فَيَعْلَمُونَ أَنَّهُ الْحَقُّ مِن رَّبِّهِمْ وَأَمَّا الَّذِينَ كَفَرُوا فَيَقُولُونَ مَاذَا أَرَادَ اللَّـهُ بِهَـذَا مَثَلًا يُضِلُّ بِهِ كَثِيرًا وَيَهْدِي بِهِ كَثِيرًا وَمَا يُضِلُّ بِهِ إِلَّا الْفَاسِقِينَ ﴿٢٦﴾ الَّذِينَ يَنقُضُونَ عَهْدَ اللَّـهِ مِن بَعْدِ مِيثَاقِهِ وَيَقْطَعُونَ مَا أَمَرَ اللَّـهُ بِهِ أَن يُوصَلَ وَيُفْسِدُونَ فِي الْأَرْضِ أُولَـئِكَ هُمُ الْخَاسِرُونَ﴾
“Allahu nuk turpërohet që të marrë si shembull mushkonjë apo diçka edhe më e imët se ajo. Për sa u përket atyre që besuan, ata e dinë se ai (shembull) është i vërtetë nga Zoti i tyre, ndërsa ata të cilët mohuan do të thonë: “Çfarë deshi Allahu me këtë shembull?" Ai me të humb shumë, e po me të udhëzon në rrugën e drejtë shumë të tjerë, dhe nuk i humb vetëm se ata që janë të pabindur, ata që e thyejnë besën e dhënë Allahut pasi që ajo është lidhur, dhe e këpusin atë që Allahu ka urdhëruar që të vazhdojë, si dhe bëjnë shkatërrime në tokë; të tillët janë ata të humburit.” [el-Bekare, 26-27]
Allahu – i Plotfuqishëm dhe i Lartësuar – solli shembullin e atij që adhuron Allahun të vetëm, dhe atij që adhuron të tjerë pos Tij, pastaj Allahu – i Pastri dhe i Lartësuari nga çdo e metë – tha:
﴿ضَرَبَ اللَّـهُ مَثَلًا رَّجُلًا فِيهِ شُرَكَاءُ مُتَشَاكِسُونَ وَرَجُلًا سَلَمًا لِّرَجُلٍ هَلْ يَسْتَوِيَانِ مَثَلًا الْحَمْدُ لِلَّـهِ بَلْ أَكْثَرُهُمْ لَا يَعْلَمُونَ﴾
“Allahu solli një shembull: Një rob i cili është në posedimin e shumë padronëve, të cilët zihen me njëri-tjetrin dhe një rob që është në posedimin e një njeriu të vetëm. A janë këta të dy njësoj? Lavdërimi i takon vetëm Allahut, por shumica e tyre nuk e dinë.” [ez-Zumer, 29]
Mushriku ka shumë të adhuruar. Ai adhuron shumë idhuj dhe nuk e di se cilin prej tyre të kënaqë, njësoj si shembulli i një robi që e posedojnë shumë padronë. Secili e do atë për tekat e veta; secili ka dëshira që bien ndesh me dëshirën e tjetrit, kështu, ky rob i gjorë, bëhet i çoroditur, nuk di se cilit prej tyre t’i bëjë qejfin.
Kurse ai që është i kapur fort pas Teuhidit është si shembulli i atij robit që është nën posedimin e një padroni të vetëm; e di se çfarë kërkon dhe çfarë dëshiron ai. Pra, ai është rehat me të. Ky rob nuk grindet me padronin e tij, nuk dhunohet dhe nuk vuan nga ai. Ai është rob i një padroni. Kështu është edhe njeriu i kapur fort pas Teuhidit; ai është rob i një Zoti të Vetëm, që është Allahu – i Pastri dhe i Lartësuari nga çdo e metë –; ai i bindet Atij dhe nuk i kundërshton urdhrat e Tij.
﴿ وَرَجُلًا سَلَمًا لِّرَجُلٍ﴾
“...dhe një rob që është në posedimin e një njeriu të vetëm...” [ez-Zumer, 29]
Domethënë: robi i përkushtohet vetëm një njeriu, atë e posedon vetëm një njeri. Robi i cili ka shumë padronë a është i njëjtë me robin që ka vetëm një padron? Jo! Ky është shembulli i mushrikut.
﴿هَلْ يَسْتَوِيَانِ مَثَلًا ﴾
“A janë këta dy njësoj?” [ez-Zumer, 29]
Kjo është pyetje mohuese, që do të thotë se këta të dy nuk janë të barabartë.
Po ashtu, ky është një shembull të cilin Allahu e solli për shirkun dhe Teuhidin: Allahu solli një shembull tjetër për shirkun dhe kotësinë e tij, shembull i cili gjendet në Fjalën e Allahut të Lartësuar:
﴿حُنَفَاءَ لِلَّـهِ غَيْرَ مُشْرِكِينَ بِهِ وَمَن يُشْرِكْ بِاللَّـهِ فَكَأَنَّمَا خَرَّ مِنَ السَّمَاءِ فَتَخْطَفُهُ الطَّيْرُ أَوْ تَهْوِي بِهِ الرِّيحُ فِي مَكَانٍ سَحِيقٍ﴾
“E kush i bën shirk Allahut, ai është sikur po bie nga qielli dhe e rrëmben shpendi grabitqar, ose si ai të cilin e vërvit era në ndonjë vend të largët.” [el-Haxh, 31]
Ai që është i kapur fort pas Teuhidit është në një pozitë të lartë dhe në një gradë superiore, njësoj si ai që është në qiell që ka një pozitë dhe gradë të lartë tek Allahu – i Pastri dhe i Lartësuari nga çdo e metë. Kurse mushriku është sikur ai që bie nga lartë. Kur mushriku i bëri shirk Allahut, ai ra nga lartësia dhe grada në të cilën janë njerëzit e Teuhidit. Pra, ai ra nga kjo pozitë e ngritur dhe e lartë në të cilën janë njerëzit e Teuhidit. Mushriku kur i bën shirk Allahut, ai bie nga kjo pozitë që është shumë e lartë.
Si do jetë gjendja e tij kur të bjerë poshtë – Allahu na ruajttë? Ose do të përfundojë në kthetrat e shpendit grabitqar, i cili do t’ia shqyejë mishin dhe do ta hajë në ajër; ose do të shpëtojë nga kthetrat, mirëpo era do ta rrëmbejë dhe do ta vërtisë në ndonjë vend të largët ku s’ka njerëz, do ta gjuajë në ndonjë vend të shkretë dhe të egër ku s’ka as ujë e asgjë.
Kështu është mushriku; ai është gjithmonë në rrezikun e këtyre gjërave, këtyre epsheve, metodologjive dhe rrugëve, të cilat në fund e copëtojnë, e shkapërdajnë dhe e shkatërrojnë.
Pra, ky ishte shembulli për besimtarin që është i kapur fort pas Teuhidit. Besimtari ka një pozitë të lartë dhe të ngritur tek Allahu – i Plotfuqishmi dhe i Lartësuari – për shkak të Teuhidit dhe sinqeritetit të tij. Kurse mushriku ka rënë nga kjo pozitë e lartë, ka rënë nga Teuhidi dhe atij i kanoset çfarëdolloj shkatërrimi dhe devijimi. Kjo është gjendja e mushrikëve – Allahu na ruajttë – të cilët janë përherë në rrezikun e çdo fatkeqësie, shkatërrimi, epshi dhe shejtani. Çdo fatkeqësi është e rëndë për ata. A është i barabartë besimtari me mushrikun?!
Pastaj, në fund të sures, Allahu solli një shembull për pavërtetësinë e shirkut. Ai tha:
﴿يَا أَيُّهَا النَّاسُ ضُرِبَ مَثَلٌ فَاسْتَمِعُوا لَهُ إِنَّ الَّذِينَ تَدْعُونَ مِن دُونِ اللَّـهِ لَن يَخْلُقُوا ذُبَابًا وَلَوِ اجْتَمَعُوا لَهُ وَإِن يَسْلُبْهُمُ الذُّبَابُ شَيْئًا لَّا يَسْتَنقِذُوهُ مِنْهُ ضَعُفَ الطَّالِبُ وَالْمَطْلُوبُ﴾
“O ju njerëz, është dhënë një shembull, veni veshin pra: Vërtet ata që po i adhuroni ju në vend të Allahut, nuk do të krijojnë asnjë mizë, edhe nëse tubohen të gjithë për të. E nëse miza ua rrëmben atyre ndonjë send, ata nuk do të mund ta shpëtojnë atë prej saj. I dobët është edhe lutësi edhe i luturi.” [el-Haxh, 73]
Të gjithë idhujt dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë mizën. Atëherë, si adhurohen ata në vend të Allahut, kur ata nuk mund të krijojnë mizën, e cila është gjëja më e vogël dhe më e pavlerë? Nuk u kërkua nga ata që të krijojnë ndonjë vend, ndonjë mal, ndonjë deve, ndonjë lopë apo njerëz, por u kërkua nga ata që të krijojnë një mizë, gjënë më të vogël. Me këtë, Allahu – i Plotfuqishëm dhe i Lartësuar – tregon paaftësinë e idhujve të mushrikëve, se përderisa ata nuk mund të krijojnë mizën, atëherë si adhurohen përkrah Krijuesit, i Cili është Krijuesi i çdo gjëje – i Pastri dhe i Lartësuari nga çdo e metë? Allahu është Krijuesi i çdo gjëje, Krijuesi suprem, i Gjithëdijshmi, Ai i cili ka fuqi të bëjë çdo gjë. Andaj si mund të krahasohet Allahu me ata idhuj?
Pra, ky është shembull i qartë për kotësinë e shirkut, për vërtetësinë e të cilit nuk ka asnjë argument, asnjë bazë e asnjë degë.
لَن يَخْلُقُوا
“...ata nuk do të krijojnë...” [el-Haxh, 73]
Shikoni me vëmendje fjalën “ata nuk do të krijojnë”, kjo vlen për të ardhmen, deri në Ditën e Gjykimit. Kjo dobësi vazhdon deri në Ditën e Gjykimit. Çdo mushrik që i lutet dikujt tjetër përveç Allahut, i thuhet: ky që adhuron ti, a mund të krijojë një mizë? Të gjithë këta që i adhurojnë, qofshin idhujt, statujat, njerëzit e mirë, njerëzit e devotshëm, varret, pemët, gurët, për të gjithë këta vlen ky shembull. Përderisa këta janë të paaftë të krijojnë një mizë, atëherë si mund të adhurohen?
أَفَمَن يَخْلُقُ كَمَن لَّا يَخْلُقُ أَفَلَا تَذَكَّرُونَ
“Atëherë pra, a është Ai që krijon njësoj si ai që nuk krijon? A nuk po merrni mësim?” [en-Nahl, 17]
﴿وَالَّذِينَ يَدْعُونَ مِن دُونِ اللَّـهِ لَا يَخْلُقُونَ شَيْئًا وَهُمْ يُخْلَقُونَ ﴿٢٠﴾ أَمْوَاتٌ غَيْرُ أَحْيَاءٍ وَمَا يَشْعُرُونَ أَيَّانَ يُبْعَثُونَ﴾
“Ata (mushrikët) u luten pos Allahut idhujve që nuk krijojnë asnjë send, por vet ata janë të krijuar. Ata janë të vdekur, të pajetë, që nuk e dinë se kur do të ringjallen.” [en-Nahl, 20-21]
﴿قُلْ أَرَأَيْتُمْ شُرَكَاءَكُمُ الَّذِينَ تَدْعُونَ مِن دُونِ اللَّـهِ أَرُونِي مَاذَا خَلَقُوا مِنَ الْأَرْضِ أَمْ لَهُمْ شِرْكٌ فِي السَّمَاوَاتِ﴾
“Thuaju (o Muhamed): Më tregoni për ndërmjetësit tuaj që i adhuroni pos Allahut, më bëni të shohë se ç'krijuan nga toka; a mos kanë pjesë ata në qiej.” [Fatir, 40]
Mushrikët nuk mund të thonë se idhujt e tyre kanë krijuar qoftë edhe një mizë, dhe nuk mund ta bëjnë këtë as edhe në të ardhmen, madje edhe në këtë kohë kur industria ka përparuar dhe është bërë e sofistikuar. Specialistët, shpikësit dhe mjekët e botës nuk mund të krijojnë as edhe një mizë.
Ata ndërtojnë aeroplanë, duke montuar pjesët e tyre, dhe ky aeroplan mbart udhëtarë. Këtë zanat njeriu mund ta mësojë dhe ta dijë, sepse Allahu është Ai që na i bëri të mundur, është Ai që na frymëzoi t’i përdorim dhe t’i kemi këto në shërbimin tonë, e kjo është mëshirë nga Allahu për ne. Njeriu mund të ndërtojë aeroplanë dhe anije, mirëpo krijesa nuk mund të krijojë një mizë, sepse kjo është veçori e Allahut – i Pastri dhe i Lartësuari nga çdo e metë.
Pra, adhurimin e meriton vetëm Krijuesi – i Pastër nga çdo e metë dhe i Lartësuar është Ai!
﴿أَفَمَن يَخْلُقُ كَمَن لَّا يَخْلُقُ أَفَلَا تَذَكَّرُونَ﴾
“Atëherë pra, a është Ai që krijon njësoj, sikurse ai që nuk krijon? A nuk po merrni mësim?” [en-Nahl, 17]
Pastaj ka thënë:
﴿وَإِن يَسْلُبْهُمُ الذُّبَابُ شَيْئًا﴾
“E nëse miza ua rrëmben atyre ndonjë send.” [el-Haxh, 73]
Miza që është gjëja më e dobët, nëse do të merrte diçka nga ky idhull që adhurohet, nëse do merrte diçka nga sendet që vendosen tek idhujt, si parfum, apo flori – ngaqë mushrikët vendosnin tek idhujt gurë të çmuar, flori, parfume, temjan – miza vjen dhe merr diçka të imët nga këto gjëra që janë mbi idhuj, a mund ta kthejnë idhujt atë që mori miza? Këta idhuj nuk i mbrojnë dot vetet e tyre nga miza!
﴿وَإِن يَسْلُبْهُمُ الذُّبَابُ شَيْئًا لَّا يَسْتَنقِذُوهُ مِنْهُ ضَعُفَ الطَّالِبُ وَالْمَطْلُوبُ﴾
“E nëse miza ua rrëmben atyre ndonjë send, ata nuk do të mund ta shpëtojnë atë prej saj. I dobët është edhe lutësi edhe i luturi.” [el-Haxh, 73]
“Lutësi dhe i luturi” janë mushriku (lutësi) dhe idhulli, i cili adhurohet në vend të Allahut – të Madhëruar dhe të Lartësuar. Një mizë i mund të gjithë ata. Pra, ky është nga shembujt më madhështorë që tregon kotësinë e shirkut që i bëhet Allahut – të Plotfuqishëm dhe të Lartësuar.
Ata mund të thonë: “ne nuk themi që të adhuruarit tanë krijojnë bashkë me Allahun. Allahu është Krijuesi i Vetëm dhe ne e pranojmë këtë, Ai është Krijuesi, Furnizuesi, Dhënësi i jetës dhe vdekjes, Sistemuesi i çdo gjëje në univers, ne e besojmë këtë, mirëpo ata janë robër të devotshëm dhe ne duam nga ata që të ndërmjetësojnë për ne tek Allahu. Ne i bëjmë ata ndërmjetës. Pra, ne i adhurojmë ata që të na afrojnë tek Allahu, përndryshe ne e dimë që ata nuk krijojnë dhe nuk furnizojnë, por meqë janë të devotshëm, ata kanë një pozitë tek Allahu, prandaj ne duam prej tyre që të na afrojnë dhe të ndërmjetësojnë për ne tek Allahu, që ata të jenë ndërlidhës mes nesh dhe Allahut.” Kështu, ata therin kurban për të adhuruarit e tyre, zotohen në ta, bëjnë tauaf dhe qëndrojnë nëpër varret e tyre dhe u dedikojnë forma të adhurimit atyre, ndërkohë që e pranojnë se ata as nuk mund të krijojnë as të furnizojnë dhe as të sistemojnë ndonjë çështje, porse kërkojnë nga ata vetëm që të bëhen ndërmjetës tek Allahu – i Plotfuqishëm dhe i Lartësuar.
Allahu – i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar – e ka shpallur të pavlefshëm (këtë pretendim të tyre) me shembullin:
﴿ضَرَبَ لَكُم مَّثَلًا مِّنْ أَنفُسِكُمْ هَل لَّكُم مِّن مَّا مَلَكَتْ أَيْمَانُكُم مِّن شُرَكَاءَ فِي مَا رَزَقْنَاكُمْ فَأَنتُمْ فِيهِ سَوَاءٌ تَخَافُونَهُمْ كَخِيفَتِكُمْ أَنفُسَكُمْ كَذَلِكَ نُفَصِّلُ الْآيَاتِ لِقَوْمٍ يَعْقِلُونَ﴾
“Ai ju ka sjellë një shembull nga vetë jeta juaj: A janë skllevërit (shërbëtorët) tuaj pjesëtarë të barabartë me ju në pasurinë që Ne ju kemi dhënë juve, dhe a u frikësoheni atyre njësoj siç i frikësoheni njëri-tjetrit? Ja, kështu Ne ua shpjegojmë hollësisht shenjat Tona njerëzve që kanë intelekt.” [err-Rrum, 28]
Përderisa ju nuk doni që ndonjë nga shërbëtorët tuaj të jetë pjesëtar i barabartë me ju, atëherë si doni që të jetë ortak i barabartë me Allahun një rob prej robërve të Tij? Si e cilësoni Allahun me atë që ju e mohoni nga vetet tuaja?!!
Mushrikët thoshin në telbijen e haxhit të tyre: “Të përgjigjem Ty që s’ke asnjë ortak, përveç ortakut që ke zgjedhur Ti. Ti e posedon atë dhe çdo gjë që posedon ai.” Prandaj Allahu ua solli mushrikëve këtë shembull.
Prej Allahut vjen suksesi. Lëvdata dhe paqja e Allahut qofshin për Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij.
Përktheu: Jeton Shasivari