Imami i Vendit të Hixhretit në kohën e tij, Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, është përcjellë nga ai se u pyet për fjalën e Allahut të Lartësuar:

الرَّحْمَٰنُ عَلَى الْعَرْشِ اسْتَوَىٰ

“I Gjithëmëshirshmi u lartësua mbi Arsh.” Ta-ha, 5

Si u lartësua?

Ai u zemërua fort nga kjo pyetje, Allahu e mëshiroftë! Në këtë rast, ai tha fjalën e tij të famshme e cila u bë metodologji e Ehli Sunetit dhe Xhematit në kapitullin e emrave dhe cilësive të Allahut:

“Lartësimi (el-istiua) është i njohur, mënyra se si është e panjohur, besimi në të është obligim, kurse pyetja për mënyrën e lartësimit është bidat.” Gjithashtu i tha pyetësit: “Unë mendoj se ti s’je tjetër përveçse një bidatxhi!”

Pastaj urdhëroi që të nxirret nga xhamia, nga xhamia e Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. E kërkuan atë person dhe kur debatuan me të, zbuluan se ai ishte bidatxhi që donte të shkaktonte fitne duke përhapur dyshime.

Kjo fjalë e Malikut, Allahu e mëshiroftë, me këtë formën që u përmend apo formën tjetër, e cila thotë: “Istiuaja nuk është e panjohur, mënyra se si është e paimagjinueshme.” Siç vazhdon më tej, është vërtetuar se Imam Maliku këtë fjalë e ka mësuar nga mësuesi i tij Rabijah er-Raji, Allahu e mëshiroftë. Rabiah er-Raji e ka mësuar nga Nëna e Besimtarëve, Ummu Selemeh, radijAllahu anha, kurse Ummu Selemeh e ka mësuar nga Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Kjo fjalë u bë parim i Ehli Sunetit për kapitullin e emrave dhe cilësive të Allahut.

Istiuaja dhe çdo cilësi tjetër e Allahut është e njohur. Do të thotë se domethënia e saj është e njohur nga ana gjuhësore me të cilën gjuhë ka zbritur Kurani i Madhërishëm dhe me të ka folur i Dërguari fisnik, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe me këtë gjuhë u është folur Sahabëve, radijAllahu anhum.

Atë që Sahabët e kuptuan dhe e mësuan, ajo u aprovua nga Pejgamberi, kurse atë që ata nuk e kuptonin dhe nuk e kishin të qartë, e pyesnin Pejgamberin, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

 

Përktheu: Jeton Shasivari