Autor: Abdur-Rezzak bin Abdul-Muhsin al-Abbad el-Bedër
Parimi i dytë: duaja është çelësi i pastrimit të shpirtrave sepse pastrimi i shpirtrave është në Dorën e Allahut, të Madhëruarit dhe të Lartësuarit.
(Thotë Allahu në Kuran):
﴿بَلِ اللَّـهُ يُزَكِّي مَن يَشَاءُ﴾
“Jo, nuk është ashtu, por Allahu e pastron atë që do...” En-Nisa, 49
﴿وَلَوْلَا فَضْلُ اللَّـهِ عَلَيْكُمْ وَرَحْمَتُهُ مَا زَكَىٰ مِنكُم مِّنْ أَحَدٍ أَبَدًا وَلَـٰكِنَّ اللَّـهَ يُزَكِّي مَن يَشَاءُ﴾
“...e sikur të mos ishte mirësia e Allahut mbi ju dhe mëshira e Tij, askush prej jush nuk do të ishte pastruar kurrë, por Allahu pastron atë që do...” En-Nur, 21
﴿لَـٰكِنَّ اللَّـهَ حَبَّبَ إِلَيْكُمُ الْإِيمَانَ وَزَيَّنَهُ فِي قُلُوبِكُمْ وَكَرَّهَ إِلَيْكُمُ الْكُفْرَ وَالْفُسُوقَ وَالْعِصْيَانَ ۚ أُولَـٰئِكَ هُمُ الرَّاشِدُونَ ﴿٧﴾ فَضْلًا مِّنَ اللَّـهِ وَنِعْمَةً ۚ وَاللَّـهُ عَلِيمٌ حَكِيمٌ﴾
“...por Allahu ua bëri të dashur juve imanin dhe ua zbukuroi atë në zemrat tuaja, dhe ua bëri të urryer kufrin, degjenerimin dhe mosbindjen (ndaj Allahut dhe Pejgamberit). Këta janë të udhëzuarit. Kjo është nga mirësia e Allahut dhe begatitë e Tij. Allahu është i Gjithdituri i Urti.” El-Huxhurat, 7
﴿وَلَوْلَا فَضْلُ اللَّـهِ عَلَيْكُمْ وَرَحْمَتُهُ لَاتَّبَعْتُمُ الشَّيْطَانَ إِلَّا قَلِيلًا﴾
“...dhe sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, ju do të pasonit shejtanin përveç një pakice prej jush.” En-Nisa, 83
﴿يَمُنُّونَ عَلَيْكَ أَنْ أَسْلَمُوا ۖ قُل لَّا تَمُنُّوا عَلَيَّ إِسْلَامَكُم ۖ بَلِ اللَّـهُ يَمُنُّ عَلَيْكُمْ أَنْ هَدَاكُمْ لِلْإِيمَانِ إِن كُنتُمْ صَادِقِينَ﴾
“Ata ta atribuojnë ty (o Muhamed) mirësinë që kanë pranuar Islamin. Thuaj (o Muhamed): “Mos ma atribuoni mua mirësinë për Islamin tuaj (që jeni bërë Muslimanë), përkundrazi, Allahut i atribuohet mirësia e udhëzimit tuaj në Iman (Islam), nëse jeni të vërtetë.” El-Huxhurat, 17
Çështjet janë në Dorën e Tij. Ai udhëzon kë të dojë, pastron kë të dojë dhe devijon kë të dojë. Të gjitha çështjet janë të Tijat dhe krijimi është i Tij.
Për këtë arsye, çelësi i pastrimit të shpirtit është: kthimi tek Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar. Mos u mbështet te vetja jote, as te kuptimi yt, as te dija jote, as te mençuria jote, as te zgjuarsia jote por kthehu tek Allahu, i Plotfuqishmi dhe i Madhëruari, duke kërkuar prej Tij që ta pastroje shpirtin tënd dhe të të begatojë ty me pastrim të shpirtit dhe udhëzim, sepse çështja është në Dorën e Tij.
Përktheu: Abdullah Beqiri