Ebu Hanife refuzoi që të bëhej gjykatës, pastaj e sprovoi Allahu. Ai u burgos dhe vdiq në burg, pikërisht për këtë shkak. Ai pati frikë nga Allahu, nuk donte që të bëhej gjykatës për udhëheqësit Abbasidë. Gjithashtu, ai nuk pranoi që të bëhej gjykatës sepse kishte frikë nga përgjegjësia që ka gjykatësi. Por megjithatë, Allahu kishte bërë kader që perandoria Abbaside të emëronte gjykatës dijetarët e medh`hebit të Ebu Hanifes.
Imam Shafi’u, Allahu e mëshiroftë, jetoi një moshë të vogël në krahasim me imamët e tjerë, por ama emri i tij mbushi tërë dynjanë!
Imam Malik ibën Enes në Medine, nuk udhëtoi për të kërkuar diturinë dhe as nuk kërkoi nga njerëzit që të vinin tek ai, por megjithatë, medh`hebi i tij u përhap në gjysmën e botës Islame!
Imam Ahmedit nuk i vinte mirë që të uleshin tek ai grumbuj njerëzish, as nuk donte që t’i shkonte nga mbas dikush, as nuk donte që njerëzit të shkruanin mendimet e tij në çështjet e Fik`hut. Por, ai pyetej nga nxënësit e tij më të afërt, të cilët ishin shumë; ata i bënin pyetje kurse ai përgjigjej. Por jo të gjitha ato ishin pyetje të drejtpërdrejta, siç e ka sqaruar Ibën Tejmijjeh në një vend, por e pyesnin atë për çështjet e dijetarëve të tjerë.
Për shembull, filan nxënës e ka pyetur për çështjet e Is`hakut, një tjetër e ka pyetur për çështjet e Euza’it, i treti e ka pyetur për çështjet e Ebu Hanifes, i katërti e ka pyetur për çështjet e Shafi’ut, ai tjetri e ka pyetur për çështjet e Malikut, po kështu për çështjet e Lejthit. Kështu i mblodhën ata pyetjet me këtë marifet nga Imam Ahmedit, Allahu i Lartësuar pastë mëshirë për të. Ama, ai shkroi librin e tij el-Musned dhe e donte shumë atë. Ai donte dy libra të tij; e donte Musnedin dhe Tefsirin e tij. Për sa i përket Musnedit, ai i ka thënë birit të tij ‘AbdUllahut: “O ‘AbdUllah, ruaje mirë këtë Musned sepse ai ka për të qenë udhërrëfyes për njerëzit!” Musnedi nuk ka asgjë nga fjalët e tij, Allahu i lartësuar pastë mëshirë për të. Por, ai është i gjithi i mbushur me hadithe nga Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Kurse libri tjetër i tij, Tefsiri, ishte tefsiri që kishte tubuar nga fjalët e Sahabëve dhe Tabi’inëve për të gjithë Kur`anin. Pra, ai e komentoi të gjithë Kur`anin, por sot nuk ka mbetur asgjë prej tij. Ibnul-Kajjim ka përcjellë fragmente nga ai Tefsir te libri i tij Beda’iul-Feua`id.
Përktheu: Alban Malaj