Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed bin Salih el-‘Uthejmin
Shkëputur nga tefsiri i sures Mutafifin

1. Mjerë për ata që hanë në peshë (dhe matje),

2. Ata të cilët kur masin për vete, e marrin masën të plotë,

3. ndërsa, kur u masin apo u peshojnë të tjerëve, u japin më pak nga ç’duhet.

4. A nuk mendojnë ata se do të ringjallen,

5. në një Ditë të madhe,

6. Ditën, kur të gjithë njerëzit do të dalin para Zotit të botëve?!

Shejkh Ibn ‘Uthejmini ka thënë në shpjegimin e këtyre ajeteve:

 

Mjerë”: Fjala mjerë përsëritet në Kur'an shumë herë dhe sipas mendimit më të saktë ajo është një fjalë kërcënuese me të cilën Allahu kërcënon ata që kundërshtojnë urdhërin e Tij apo që shkojnë mbas atyre gjërave të cilat Allahu ua ka ndaluar. Dhe ndalimi është përmendur në fjalinë që vijon mbas kërcënimit.

Kështu që, në këtë rast Allahu i Lartësuar thotë mjerë për Mutafifinët. Por kush janë këta Mutafifinët? Këta Mutafifinë janë shpjeguar në ajetin që vjen më mbas. Ai tha: Ata të cilët kur masin për vete, e marrin masën të plotë, ndërsa, kur u masin apo u peshojnë të tjerëve, u japin më pak nga ç’duhet.

Ata të cilët kur masin për veten, e marrin masën të plotë.” Domethënë, kur ata blejnë nga njerëzit gjëra që peshohen, ata u kërkojnë atyre të drejtën e peshës së plotë pa lënë gjë mangut.

ndërsa, kur u masin apo u peshojnë të tjerëve, u japin më pak nga ç’duhet.” Por nëse janë ata që peshojnë apo që shesin mish me peshë apo diçka që matet, atëherë ata e japin atë me peshë (apo masë) të mangët.

u japin më pak nga ç’duhet.” Domethënë, ata i kërkojnë fill e për pe të drejtat e tyre kurse të tjerëve ua lënë mangut. Pra, ata i përziejnë dy gjëra: përziejnë koprracinë me lakminë. Ata i kërkojnë të drejtat e tyre të plota kurse të tjerëve nuk ua japin të plota të drejtat që u takojnë

Pra, ata përziejnë dy gjëra: përziejnë koprracinë me lakminë. Koprracia është në kërkimin e të drejtave të plota pa lënë gjë mangut, kurse lakmia për arsye se ai nuk e jep të plotë peshën që ka detyrë ta japë.

Ky shembull që përmend Allahu i Lartësuar për peshën dhe masën është thjesht një shembull, prandaj ai zbatohet edhe për çdo situatë tjetër përveç kësaj.

Kështu që, ata të cilët i kërkojnë të plota të drejtat e tyre që u takojn por nga ana tjetër nuk i japin të plota të drejtat që u takojnë njerëzve, ata përfshihen tek këto ajete fisnike.

Një shembull për këtë është kur burri kërkon nga gruaja e tij që ajo t’i japë të drejta të plota dhe ai nuk lëshon pe në asnjë nga të drejtat e tij. Por kur vjen puna për t’i dhënë gruas të drejtat e saj, atëherë ai i cungon ato dhe nuk i jep aq sa i takojnë asaj.

Dhe ka shumë ankesa nga ana e grave për këta lloj burrash, Allahu na ruajt. Kjo arrin deri aty sa që shumë burra kërkojnë që gratë t’u japin të gjitha të drejtat e tyre, mirëpo ata nuk u japin grave të gjitha të drejtat që ato kanë. Ndoshta burrat as nuk arrijnë t’u japin grave të drejtat e tyre më themelore, siç është shpenzimi për to, të kalosh një jetë të mirë me to, etj.

Vërtet, të bësh padrejtësi kundër një personi tjetër është më e rëndë sesa t’i bësh padrejtësi vetes në të drejtat e Allahut, pasi padrejtësia që njeriu i bën vetes së tij në të drejtat e Allahut varet në Dëshirën e Allahut, çfarëdo gjynahu qoftë ai me përjashtim të Shirkut. Nëse Allahu do e fal personin dhe nëse Ai do e dënon atë.

Kurse sa i përket të drejtave të njerëzve, për to duhet dhënë shpagim. Prandaj Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) tha: “Cilin konsideroni ju të falimentuar?” Ata thanë: “Ai që nuk ka dirhem dhe nuk ka asgjë në zotërim.” Ai (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) tha: “Me të vërtetë, i falimentuar nga Umeti im është ai që do të vijë Ditën e Gjykimi me vepra të mira sa malet, mirëpo ai i ka bërë padrejtësi këtij personi, ka sharë këtë tjetrin, ka goditur këtë tjetrin, ka marrë pasurinë e atij tjetrit. Kështu që, personi të cilit ai i kishte bërë padrejtësi do të marrë nga veprat e tij të mira, edhe ai personi tjetër do të marrë nga veprat e tij të mira, edhe ai tjetri do të marrë nga veprat e tij të mira. Dhe nëse veprat e tij të mira mbarojnë përpara se ai të shlyejë ato që u detyrohet atyre, atëherë atij do t’i jepen gjynahet e atyre të cilëve u kishte bërë padrejtësi. Gjynahet e tyre do t’i hidhen mbi krye kurse ai do të hidhet në Zjarr.”

Andaj, këshilla ime për ata që lënë mangut apo që lënë mbas dore të drejtat e grave të tyre është që të kenë frikë Allahun ‘Azze ue Xhel sepse Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka këshilluar për këtë në tubimin më të madh që ka dëshmuar Bota Islame gjatë jetës së të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), në ditën e Arafatit, gjatë Haxhit të Lamtumirës. Ai tha: “Kijeni frikë Allahun në lidhje me gratë tuaja sepse ju i keni marrë ato si amanet nga Allahu dhe juve u është bërë e lejuar që të keni marrëdhënie intime me to nga Fjala e Allahut.”

Ai ka thënë gjithashtu: “Kijeni frikë Allahun në lidhje me gratë tuaja pasi ato janë ndihmëset tuaja.”

 

 

Përktheu Alban Malaj