Autor: Shejkh ‘Abdullah en-Nexhmij
Të gjitha lavdet i takojnë Allahut, lavdërimet dhe shpëtimi i Allahut qofshin për më të mirin e të gjitha krijesave të Allahut, si dhe për Familjen e tij, Shokët e tij, Tabi’inët dhe për të gjithë ata që i pasuan me mirësi deri në Ditën e Kijametit.
E më pas:
O ju vëllezër të nderuar, thotë Allahu – Xhel-le ue ‘Alaa -:
وَٱتَّقُواْ فِتۡنَةٗ لَّا تُصِيبَنَّ ٱلَّذِينَ ظَلَمُواْ
“Ruajuni nga fitnet, të cilat nuk i godasin vetëm ata që bëjnë zullum.” [el-Enfal, 25]
Dhe thotë Allahu i Lartësuar:
وَٱلۡفِتۡنَةُ أَشَدُّ مِنَ ٱلۡقَتۡلِۚ
“Fitneja është më e rëndë sesa vrasja.” [el-Bakarah, 191]
Dhe fitneja më e rëndë është: t’i bësh shirk Allahut – Xhel-le ue ‘Alaa. Kjo është fitneja më e madhe. Po ashtu, prej fitneve është vrasja, që është derdhja e gjakut të njerëzve që nuk lejohet të preken; prej tyre është bidati, janë gjërat e ndaluara dhe epshet; prej tyre janë pasuritë që kanë njerëzit, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:
وَٱعۡلَمُوٓاْ أَنَّمَآ أَمۡوَٰلُكُمۡ وَأَوۡلَٰدُكُمۡ فِتۡنَةٞ وَأَنَّ ٱللَّهَ عِندَهُۥٓ أَجۡرٌ عَظِيمٞ
“Ta dini se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë fitne dhe se vetëm tek Allahu është shpërblimi i madh.” [el-Enfal, 28]
Dhe na ka udhëzuar Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – që të kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga dënimi i Xhehenemit, nga dënimi i varrit, nga fitneja e jetës dhe e vdekjes, si dhe nga fitneja e Mesihut të Rrejshëm, Dexhallit. Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – na ka porositur gjithashtu që të kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga fitnet, nga ato që duken dhe nga ato që janë të padukshme. E prej atyre fitneve është fitneja e Mesihut të Rrejshëm, Dexhallit.
Prandaj, unë u këshilloj juve dhe këshilloj veten time që të qëndrojmë larg fitneve. U pyet Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –: “Cila është rrugëzgjidhja për fitnet?” Tha: “Libri i Allahut.”
Pra, Libri i Allahut të Lartësuar është rrugëzgjidhja për fitnet, kurse Suneti Pejgamberik është sqaruesi për atë që është e përgjithshme në Kur`an dhe është shpjeguesi i Kur`anit. Të kapurit fort mbas Kur`anit dhe Sunetit, sipas kuptimit të Selefëve të Devotshëm, kjo është rruga e shpëtimit nga fitnet. Kurse devijimi nga Kur`ani dhe Suneti është sebep i shkatërrimit dhe i fitneve. Prandaj thotë Allahu i Lartësuar:
فَلۡيَحۡذَرِ ٱلَّذِينَ يُخَالِفُونَ عَنۡ أَمۡرِهِۦٓ أَن تُصِيبَهُمۡ فِتۡنَةٌ أَوۡ يُصِيبَهُمۡ عَذَابٌ أَلِيمٌ
“Le të kenë shumë kujdes ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i godasë ndonjë fitne ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm.” [en-Nuur, 63]
Dhe ka thënë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
تركتم على مثل البيضاء ليلها كنهارها. لا يزيغ عنها إلا هالك
“Unë ju kam lënë në një rrugë të bardhë, nata në të është po aq e qartë sikur dita e saj. Nuk devijon nga ajo rrugë përveç se ai që është i shkatërruar.”
Po mjaftohem me kaq.
Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin për Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Alban Malaj