Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed Nasiruddin el-Albani

Burimi: Silsiletul Ehadithis-sahihah, vëll. 7, fq. 1005, nr. 3336

 

 

سُبْحَـانَ اللهِ وَالْحَمْدُ للهِ وَلَا إِلٰهَ إِلَّا اللهُ وَاللهُ أَكْبَرُ، اللَّهُمَّ اغْفِرْ لِي، اللَّهُمَّ ارْحَمْنِي، اللَّهُمَّ ارْزُقْنِي

SubhanAllahi, uel-hamdu lil-Lahi, ue la ilahe il-lAllahu, uAllahu Ekber. Allahumme-gfir lii, Allahumme-rr'hamnii, Allahumme-rr'zuknii

 

“I Pastër nga të metat është Allahu, lavdia dhe falenderimet i takojnë vetëm Allahut, nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Allahu është më i Madhi. O Allah, më fal mua! Më mëshiro! Më furnizo!”

 

Transmeton Enes ibn Malik – radijAllahu anhu – i cili thotë: “Erdhi një beduin te Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – dhe i tha: O i Dërguari i Allahut, më mëso diçka të mirë! Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – e mori për dore dhe i tha: “Thuaj:

 

سُبْحَـانَ اللهِ، وَالْحَمْدُ للهِ، وَلَا إِلٰهَ إِلَّا اللهُ، وَاللهُ أَكْبَر

SubhanAllahi, uel-hamdu lil-Lahi, ue la ilahe il-lAllahu uAllahu Ekber

 

Beduini i përsëriti këto fjalë duke i numëruar me dorën e tij dhe iku! Më pas u mendua dhe u kthye përsëri! Ndërsa Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – buzëqeshi dhe tha: “U kujtua i gjori!”

 

Beduini erdhi dhe tha: O i Dërguari i Allahut, këto (SubhanAllahi, uel-hamdu lil-Lahi, ue la ilahe il-lAllahu uAllahu Ekber) janë lavde për Allahun! Po për vete çfarë lutjesh të bëj?! Atëherë Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – i tha:

 

“O beduin! Nëse thua: SubhanAllah, Allahu të thotë: Të vërtetën the!

Nëse thua: Elhamdulil-Lah, Allahu të thotë: Të vërtetën the!

Nëse thua: La ilahe il-lAllah, Allahu të thotë: Të vërtetën the!

Nëse thua: Allahu Ekber, Allahu të thotë: Të vërtetën the!

Ndërsa, nëse thua: Allahumme-gfir lii,  Allahu të thotë: Të kam falur!

Nëse thua: Allahumme-rr'hamnii,  Allahu të thotë: Të kam mëshiruar!

Nëse thua: Allahumme-rr'zuknii, Allahu të thotë: Të kam furnizuar!

 

Kështu, beduini i numëroi këto shtatë lutje me dorën e tij dhe u largua.

 

Përktheu: Servet Mata