Bismilah...

Autor: Shejkh Salih el-Feuzan

Burimi: el-Mulakhasul Fikhij, fq. 17

 

 

Enët janë mjete në të cilat mbahet ujë apo gjëra të tjera, qofshin enë prej hekuri, druri, lëkure apo të tjera. Përdorimi i enëve në origjinë është i lejuar. Kështu që, lejohet të përdoret dhe të mbahet çdo enë e pastër, përveç dy llojeve:

 

1 – Enët e arit dhe argjendit, si dhe enët që kanë diçka prej arit dhe argjendit, qofshin ato të lyera (të zbukuruara) apo të praruara, apo me ndonjë metodë tjetër që i bëjnë enët me ar dhe argjend, përveç enës që ka plasaritje të lehtë dhe që riparohet me argjend për shkak të nevojës për ta riparuar atë.

 

Argumenti për ndalesën e përdorimit të enëve të arit dhe argjendit është fjala e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:

 

لَا تَشْرَبُوا فِي آنِيَةِ اَلذَّهَبِ وَالْفِضَّةِ, وَلَا تَأْكُلُوا فِي صِحَافِهَا فَإِنَّهَا لَهُمْ فِي اَلدُّنْيَا, وَلَكُمْ فِي اَلْآخِرَةِ

“Mos pini prej enëve të arit dhe argjendit dhe mos hani në to, sepse ato janë për ta (pabesimtarët - kufarët) në dunja dhe janë për ne në ahiret.” [1] 

 

Dhe fjala e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:

 

‏ الَّذِي يَشْرَبُ فِي إِنَاءِ الْفِضَّةِ إِنَّمَا يُجَرْجِرُ فِي بَطْنِهِ نَارَ جَهَنَّمَ ‏‏

“Ai që pi prej enëve të argjendit, vërtet në barkun e tij gërgërit zjarri i Xhehenemit.” [2]

 

Kur vjen një ndalesë për ndonjë gjë, ajo përfshin atë enë që është bërë vetëm nga ari dhe argjendi apo atë që është bërë pjesërisht prej tyre. Kështu që, ena që është e lyer apo e praruar me ar ose argjend, ose ndonjë enë tjetër që ka diçka prej arit dhe argjendit, është e ndaluar të përdoret, përveç enës që është e ngjitur paksa me argjend – siç u tha më lart – duke u argumentuar me hadithin e Enesit – radijAllahu ‘anhu:

 

أَنَّ قَدَحَ النَّبِيِّ صلى الله عليه وسلم انْكَسَرَ، فَاتَّخَذَ مَكَانَ الشَّعْبِ سِلْسِلَةً مِنْ فِضَّةٍ‏

“Gota e të Dërguarit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – u thye, kështu ai e ngjiti vendin ku ishte çarë me një zinxhir të argjendtë.” [3]

 

Neueuiju – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:

“Ka ixhma për ndalesën e ngrënies dhe pirjes nga enët e arit dhe argjendit si dhe ndalohet përdorimi i të gjitha llojeve të tyre që kanë të bëjnë me ngrënien dhe pirjen.” [4]

 

 

Përdorimi dhe mbajtja e këtyre enëve përfshin meshkujt dhe femrat për arsye të teksteve të përgjithshme që kanë ardhur për këtë dhe mosdallimit midis femrave dhe meshkujve, porse ari dhe argjendi është lejuar për gratë për shkak të nevojës së tyre për t’u zbukuruar për burrat e tyre.

 

 

Po ashtu lejohen enët e pabesimtarëve të cilat i përdorin ata nëse dihet që janë të pastra, e nëse dihet që nuk janë të pastra, atëherë i lan ato dhe pastaj i përdor.

 

 

2 – Ndalohet përdorimi i lëkurave të cofëtinave, përveç nëse janë të regjura.

 

Dijetarët kanë rënë në mospajtime rreth lejimit të përdorimit pas regjjes, por mendimi më i saktë është se ato lejohen, e që është mendimi i xhumhur-it (shumicës së dijetarëve) për shkak se janë transmetuar hadithe të sakta për lejimin e përdorimit të lëkurës pas regjjes së saj; si dhe për arsye se papastërtia e tyre është e përkohshme, gjë që largohet me regjjen e lëkurës, siç ka thënë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:

 

يُطَهِّرُهَا الْمَاءُ وَ الْقَرَظُ

(Lëkurën e cofëtinës) e pastron uji dhe el-karadh (lloj regjjeje që bëhet me gjethet e pemës së quajtur ‘es-Selem.’) [5]

 

 

Dhe fjala e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:

 

دباغ الأديم طهوره

“Regjja e lëkurës së cofëtinës është pastrim për të.” [6]

 

 

Lejohet përdorimi i rrobave të pabesimtarëve nëse dihen që janë të pastra, sepse në origjinë rrobat e tyre janë të pastra dhe kjo pastërti nuk hiqet për shkak të ndonjë dyshimi.  

 

Po ashtu, lejohet përdorimi i rrobave që i kanë qepur apo i kanë ngjyrosur pabesimtarët, sepse Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe shokët e tij i vishnin ato rroba që i qepnin dhe i ngjyrosnin pabesimtarët.

 

Allahu i Lartësuar e di më së miri.

 

 

Fundnotat:

 

[1] Bukhariu (5426), Muslimi (2067), Tirmidhiu (2067), Nesaiju (5301), Ebu Daudi (3723), Ibën Maxheh (3414), Darimiu (2130).

[2] Bukhariu (5634), Muslimi (2065), Ibën Maxheh (3413), Imam Ahmedi (6/301), Imam Maliku (1717), Darimiu (2129).

[3] Bukhariu (2942), Imam Ahmedi (3/259).

[4] Shih el-Mexhmu’u (1/306), Sherhu Sahihil Muslim (7/255).

[5] Nesaiu (4248), Ebu Daudi (4126).

[6] Muslimi (366), Tirmidhiu (1727), Nesaiju (4235), Ebu Daudi (4120), Ibën Maxheh (4210), Imam Ahmedi (1/372), Imam Maliku (1078), Darimiu (1985).

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari