Bismilah...

📖 Burimi: Menhexhu Salikin, Kitabul-Et’imeh uel-Xhinajat uel-Hudud uel-Kadaa 5-4, mësimi 35

 

Zinaja vërtetohet me njërën nga këto të dy gjëra dhe me çdo gjë tjetër përveç këtyre të dyjave nuk mund të vërtetohet.

(E para): Zinaja vërtetohet me dëshmi ose,

(E dyta): Vërtetohet me pohim.

Të fillojmë njëherë të flasim për pohimin. Zinaqari duhet të pohojë për veten e tij katër herë se ka bërë zina dhe duhet patjetër të pohojë qartë duke përshkruar veprimin që ka bërë. Ka njerëz që pohojnë se vepra që kanë bërë është zina, kurse ajo në realitet nuk është zina. Për këtë arsye, ai personi që erdhi te Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, pohoi se kishte bërë zina. Pejgamberi i tha: “A ke vepruar kështu?” duke aluduar në veprimin e qartë. “A mos ke bërë kështu e ashtu? Ndoshta vetëm e ke puthur apo e ke prekur?” Kur ai e shprehi qartë veprimin se ka bërë zina, atëherë Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, e ndëshkoi atë. Kështu që, personi duhet të pohojë për veten e tij që ka bërë zina dhe ky pohim duhet të jetë plotësisht i qartë.

E dyta: Pohimi duhet të jetë katër herë. Për këtë ka më shumë se një hadith. Një ndër to është hadithi kur Maizi pohoi herën e parë, ndërsa Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nuk i kushtoi vëmendje. Pastaj ai e pohoi për së dyti herë, Pejgamberi përsëri nuk i kushtoi vëmendje. Pastaj Maizi i doli përballë, deri atëherë kur ai pohoi katër herë para Pejgamberit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Duke u bazuar në këtë, dijetarët kanë thënë se pohimi duhet të përsëritet katër herë dhe argument për këtë është më shumë se një hadith që ka ardhur.

Mënyra e dytë me të cilën vërtetohet zinaja është...

Lexuesi: Apo të dëshmojnë për të katër njerëz të besueshëm duke dëshmuar qartazi në dëshminë e tyre.

Shejkhu: Autori thotë: “Duhet patjetër që të dëshmojnë katër njerëz të drejtë.”

Fjala e tij “të drejtë” do të thotë:

E para: Të jenë burra

E dyta: Të jenë të drejtë si nga ana e brendshme shpirtërore, po ashtu edhe nga ana e jashtme.

E treta: Dëshmitë e tyre duhet të jenë identike, që dëshmojnë se ku është bërë zinaja, si është bërë dhe kush e ka bërë atë.

Prandaj, dijetarët thonë: “Të dëshmojnë të gjithë për të njëjtën grua se ka bërë zina dhe nuk është kusht që t’ia përmendin emrin.” Nëse dëshmitarët kanë mospajtime në mendime dhe njëri nga ata thotë: “Filani ka bërë zina me filanen apo e përshkruan filanin kështu e kështu.”. Dëshmitari i dytë thotë: “Ai ka bërë zina me filanen duke e përshkruar ndryshe nga i pari.” Atëherë, nuk mund të vërtetohet ndëshkimi për të. Kjo ka të bëjë me përshkrimin se kush është ai apo ajo.

Pastaj mënyra sesi e kanë parë atë duke bërë zina dhe në ç’vend. Të gjithë dëshmitarët duhet të dëshmojnë për të njëjtin veprim dhe për të njëjtin vend. Nëse dëshmitë e tyre ndryshojnë, atëherë nuk mund të zbatohet dënimi mbi të.

Nëse një njeri bën zina dy herë dhe dy dëshmitarët e parë dëshmojnë vetëm për herën e parë, kurse dy dëshmitarët e tjerë dëshmojnë vetëm për herën e dytë, atëherë nuk mund të zbatohet ndëshkim mbi zinaqarin.

Gjithashtu, kusht tjetër për këtë dëshmi është që të bëhet brenda një seance, pra është për qëllim gjatë një seance të gjykatësit. Nëse dëshmojnë tre veta në këtë seancë dhe i katërti nuk është i pranishëm në seancën gjyqësore dhe vonohet deri nesër, atëherë ne themi se nuk pranohet dëshmia e tre të parëve dhe ajo refuzohet. Madje ata ndëshkohen me akuzën për shpifje, edhe nëse vjen i katërti pas seancës. Përderisa ka mbaruar seanca gjyqësore dhe nuk ka dëshmuar edhe i katërti, atëherë hidhet poshtë dëshmia e të treve edhe nëse vjen i katërti pas seancës.

Prandaj, të nderuar, këto dëshmi janë shumë të rralla dhe mund të thuhet se nuk ka ndodhur kurrë ndëshkim për zina përmes dëshmitarëve dhe këtë e ka thënë edhe Ibën Kethiri në “el-Bidajeh” duke thënë: “Nuk ka ndodhur kurrë (në historinë islame) kjo dëshmi.”

Gjithashtu edhe në gjykatat tona në Mbretëri – falë Allahut të Madhëruar dhe begative të Tij, këtë e them me gojën plot se gjykimi sheriatik po zbatohet dhe të gjitha ndëshkimet për veprat penale janë të bazuara në Sunet – nuk kanë patur asnjëherë as edhe një çështje gjyqësore që nga shteti i fundit i cili ka më shumë se 100 vite, që të vërtetohet zinaja me dëshmitarë, por zinaja është dëshmuar me pohim në shumicën e rasteve.

 

Përktheu: Jeton Shasivari