Bismilah...

nga Shejkhu i nderuar, Muhamed bin ‘Umer bin Salim Bazmul

Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=139785

1.1 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve arroganca ndaj njerëzve, ngase ata (që ndjekin Menhexhin Selefij) janë thirrësat e mirësisë dhe butësisë.

1.2 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve argumentimi me çdo ajet apo hadith, derisa ajeti të jetë i qartë (muhkem) dhe hadithi të jetë një sunet i cili pasohet.

1.3 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve refuzimi i hadithit nëse atë nuk e percepton dot mendja dhe bie në kundërshtim me të, përkundrazi, Menhexhi i tyre është pasimi dhe dorëzimi, ne i besojmë atij, çdo gjë është prej Zotit tonë.

1.4 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve animi kah dynjaja dhe lënia e veprave për ahiretin.

1.5 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve heshtja në dhënien e këshillës për Allahun, për të Dërguarin e Tij, për Librin e Tij, për prijësat e Muslimanëve dhe për njerëzit e thjeshtë të tyre.

1.6 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve të kushtuarit rëndësi plotësisht shkencave logjike, porse dija e tyre ishte: “Ka thënë Allahu, ka thënë i Dërguari i Tij dhe kanë thënë Sahabët.”

1.7 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve kërkimi i famës dhe ngritja mbi njerëzit, ngase dashuria për t’u shfaqur ta thyen kurrizin, e nëse del në krye i riu, atëherë, atij i ka humbur një mirësi e madhe.

1.8 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve që të njihet haku me burra, kështu që, çdo gjë që vjen nga filani i bie që të jetë hak, porse motoja e tyre ishte: “Njihe të vërtetën, do t’i njohësh pasuesit e saj.”, “Njihe të vërtetën, që të jesh me pasuesit e saj.”.

1.9 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve risia dhe shpikja (në Fe), porse motoja e tyre ishte: “Pasoni, e mos shpikni (në Fe) se kjo u mjafton, dhe kapuni pas çështjes së vjetër.”

2.0 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve rënia në përçarje, mosmarrëveshje dhe urrejtje ndaj njëri-tjetrit, kurse motoja e Selefëve ishte: “Mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, dhe bëhuni - o robër të Allahut - vëllezër.”

2.1 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve ndjekja e fitneve dhe zhytja në to, përkundrazi, ata i mënjanonin ato dhe paralajmëronin kundër tyre.

2.2 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve sharja e Sahabëve apo sharja e ndonjërit prej tyre.

2.3 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve pasimi i verbër (taklid) dhe fanatizmi (te’assub) pa patur argument.

2.4 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve që ta kufizosh fenë në një çështje, kush pajtohem me mua (në atë çështje) është Selefij, e kush më kundërshton në atë çështje, atëherë, ai nuk është Selefij. Pra, Selefizmi është Menhexh e nuk është një çështje.

2.5 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve armiqësia vetem për shkak të një mospajtimi që ka ndodhur. Ata (Selefët) bënin dallim në të (mospajtim) sipas gjendjes së njeriut dhe realitetit të çështjes. Kështu që, mospajtimi me nijet të pastër nuk e prish dashurinë për shkak të një çështjeje.

2.6 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve fanatizmi pas një mendimi (të caktuar) dhe mburrja me të, kështu që njëri prej tyre thoshte: “Ajo që mendoj unë është e saktë mirëpo ka gjasa që të jetë e gabuar, kurse ajo që mendon kundërshtari im është gabim por që ka gjasa të jetë e saktë.”

2.7 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve sulmimi i dijetarëve, të folurit kundër tyre, flakja e dijes dhe librave të tyre, thirrja për djegien dhe shkatërrimin e tyre, si dhe mos-referimi tek ata për shkak të një gabimi në të cilin kanë rënë ata.

2.8 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve braktisja e kërkimit të dijes që është obligim, dhe neglizhimi i kërkimit të dijes që është e pëlqyeshme (mustehab).

2.9 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve nxitja e njerëzve kundër prijësave dhe provokimi i tyre që të rebelohen dhe të dalin në demonstrata dhe revolucione, apo kritikimi haptazi i prijësave, apo ministrave të tyre apo punonjësve të tyre.

3.0 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve organizimi në parti, aleanca dhe grumbullime fshehurazi, pa dijeninë e njerëzve, sepse është transmetuar [nga Selefët] se: “Nëse e sheh dikë që mblidhet në një xhami pa e ditur njerëzit, atëherë, dije se ai është në devijim.”

3.1 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve trajtimi i gabimeve të pasuesve të Sunetit ashtu siç i trajtojnë pasuesit e bidatit, ngase të gjithë bijtë e Ademit gabojnë. Kështu që, shikohet Menhexhi i njeriut dhe trajtohet gabimi në të cilin ai ka rënë në bazë të menhexhit.

3.2 Nuk është prej Menhexhit të Selefëve marrja (e dijes) prej çdonjërit, përveç se pas hulumtimit të gjendjes reale të tij duke e peshuar me Sunetin, sepse është thënë: “Vëretet, kjo dituri është fe, prandaj shikoni se prej kujt e merrni fenë tuaj.”

Përktheu: Jeton Shasivari