Bismilah...

 

 

Shejkh Salih Ali-Shejkh është pyetur ditën e Xhuma, 26 Mars, 2004 në Xhaminë Fejzal Ibn Fahad, në Rijad:

Si ka mundësi që pjesa më e madhe e shkrimeve të Imamëve të Dauetit (A’imetud-Daue) ishin të orientura drejt refuzimit (të kundërshtarëve)? Dhe a është e vërtetë që librat e refuzimit ta ngurtësojnë zemrën?


Përgjigje: Pikë së pari, duhet ditur se refuzimi i të pavërtetës dhe ngritja e argumenteve është diçka që gjendet në Kur'an. Allahu është Ai që i përmendi pretendimet e mushrikëve dhe argumentet që përdornin ata në çështjet e Akijdes dhe fik’hut. Në këtë mënyrë, Ai i refuzoi ata duke sqaruar qëndrimin e fesë rreth këtyre çështjeve. Për shembull, në çështjet e akijdes, siç është Teuhijdi, Ai përmendi thënien e tyre:

Dhe prijësit nga mesi i tyre silleshin vërdallë duke u thënë: “Vazhdoni dhe qëndroni të palëkundur tek të adhuruarit (Eliha) tuaj! Vërtet që kjo (që të adhuroni një Zot të vetëm) është një gjë e kurdisur (kundër jush)!
[Sad, 6]

 

Thuaju: Kush ju sjell furnizim nga qielli dhe nga toka dhe kush është Zotëruesi i të dëgjuarit dhe të shikuarit? Dhe kush e nxjerr të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Dhe kush është rregulluesi dhe sunduesi i të gjitha çështjeve? Ata do të thonë: “Allahu.”
[Junus, 31]

Dhe ajete të tjera të tilla që paraqesin argumentet e mushrikëve me të cilat ata kërkojnë të justifikojnë shirkun e tyre.

Për sa i përket çështjes së ndërmjetësimit, Allahu e refuzoi pretendimin e tyre:

…Ne i adhurojmë ata vetëm që të na afrojnë tek Allahu.
[Zumer, 3]

Poashtu, edhe në çështjet e fik’hut, Allahu e refuzoi pretendimin e tyre se:

Tregëtia është njësoj si kamata…
[Bekare, 75]

duke thënë se Allahu e ka lejuar tregëtinë dhe e ka ndaluar kamatën (fajdet).
(“Allahu do ta shkatërrojë kamatën (fajdet) dhe do të shtojë sadakanë (bamirësinë, lëmoshën). Dhe Allahu nuk do aspak asnjë mohues mëkatar.” [Bekare, 76])

E njëjta gjë është edhe për sa i përket mishit të therur, në Suren En-Am, kur ata thanë se ajo që është vrarë nga Allahu (d.m.th. ka vdekur nga shkaqe natyrore…) është më shumë hallall se ç’mund të jetë mishi që e therim vetë me duart tona. Allahu i refuzoi ata. (Këtu bëhet fjalë për ajetin e Kur'anit: “Mos e hani atë mish mbi të cilin nuk është përmendur Emri i Allahut (kur është therur kafsha), sepse me të vërtetë është fisk (gjynah dhe mosbindje ndaj Allahut). Dhe vërtet shejtanët i frymëzojnë miqtë e tyre nga mesi i njerëzve që t’ju kundërshtojnë juve.” [En-Am, 10])

Atëherë, parimi bazë i refuzimit është se ai është diçka i ligjëruar dhe i kërkuar (nga Sheriati) sepse ai e ngre argumentin ndërkohë që refuzohen ato pyetje apo ato argumente që ua paraqesin kundërshtarët e të vërtetës (mukhalifunët), mushrikët apo ata që janë të devijuar, çdonjëri prej tyre në varësi të gjendjes së tij.

Atëherë, nëse është kështu, bërja e refuzimeve është një Sunet që është i vazhdueshëm dhe ka libra me refuzime që kanë të bëjnë qoftë me çështje të fik’hut apo me ato të akijdes. Sa për çështjet e fik’hut, është një refuzim nga Imam Malik, refuzimi i Ebu Jusufit. Kurse për sa i përket çështjeve të akijdes, është refuzimi i Bishr el-Marisij, refuzimi i filanit, filanit… e kështu me rradhë. Gjatë kohës kur një person i dalaletit (devijimit) ka ndikim të madh tek të tjerët, atëherë duhet të bëhet refuzimi i të tillë personave/grupeve. Shejkhul-Islam Ibn Tejmije i refuzoi shumë grupe, siç ishin Shijat, Filozofët, Sufitë ekstremista e kështu me rradhë. Prandaj, nëse është nevoja, atëherë refuzimi i të devijuarve është një mjet për sqarimin e të vërtetës, ngritjen e argumenteve dhe ndalimin e të keqes.

Poashtu, gjatë kohës së Imamëve të daues, kur Imami, ripërtëritësi, Shejkh Muhamed Ibn Abdul-Uehhab, ngriti dauetin Selefij dhe refuzoi shumë nga kundërshtarët e tij, kjo u dha kurajon shumë ulemave të dauetit që të shkruanin refuzime me qëllim nxjerrjen në shesh të së vërtetës dhe sqarimin e ideve të gabuara që kishin njerëzit. Ky është një Sunet i vazhdueshëm.

Tani, preokupimi tej mase me refuzime duke i marrë ato si mënyrë apo rrugë për kërkimin e dijes nuk është nga veçoritë që kanë njerëzit e dijes. Dija kërkohet nga Kur'ani dhe Suneti, nga njerëzit e dijes, nga librat me shpjegime (shuruh), librat me fetva e kështu me rradhë. Kurse refuzimet, atëherë, ato lexohen sa për të larguar ndonjë dyshim ose që të mësosh se si të refuzosh një dyshim. Prandaj, librat me refuzime nuk duhet të refuzohen tërësisht, as nuk duhet theksuar jashtë mase rëndësia e tyre deri në atë pikë saqë refuzimi të jetë gjithçka që i intereson personit ose që personi të mos e marrë dijen (nga ndonjë burim tjetër) përveç se nga librat me refuzime. Kjo të krijon përshtypjen se një person i tillë nuk i kupton ashtu si duhet çështjet e fesë dhe ato të dauetit. Kështu që, merru me të (me refuzimin) për aq sa ke nevojë, sepse ai është një formë e urdhërimit për të mirë. Është njësoj sikur të vijë një person sot e të thotë: “Do ta vë në zbatim fenë vetëm në aspektin e ndalimit të së keqes”, dhe ai nuk thërret drejt asaj që është e mirë apo ta urdhërojë atë. Por, e gjithë ajo çfarë bën ai është preokupimi me ndalimin e të keqes. Ai mund të ketë shumë çështje të sakta, por megjithatë, në të njëjtën kohë ai nuk do të ketë njohuri për shumë aspekte të fesë. Kjo është arsyeja përse çdo gjëje i jepet vlera që i takon dhe peshimi (i çështjeve) është gjithmonë veçoria që kanë njerëzit e dijes dhe Selefus-Salih (të Parët tanë të Mirë).”

 

Përktheu Alban Malaj