Bismilah...

Autor: Shejkh Salih Ibn Gusun (Allahu e mëshiroftë)

Burimi: Revista ‘Sefinetu en-Nexhah’ (n. 2, Janar 1997)

 

 

Pyetje: Këto ditët e fundit kemi dëgjuar për disa thirrësa që flasin rreth rrugëve të ndryshme në thirrjen e njerëzve (tek e vërteta) dhe në ndalimin e të keqes. Disa nga këto rrugë përfshijnë demonstratat, vrasjet dhe marrshimet politike. Dhe ndoshta ka prej atyre i konsiderojnë këto si forma të Xhihadit Islamik madje.

 

  1. Ne shpresojmë nga ju që të na sqaroni se a janë këto gjëra prej rrugëve që i ka ligjëruar Islami apo ato konsiderohen si bidate fetare që janë të dënueshme dhe rrugë të ndaluara.
  2. Ne shpresojmë gjithashtu një shpjegim rreth rrugës së saktë se si të sillemi me këta njerëz që ftojnë drejt këtyre veprimeve, i përhapin dhe thërrasin drejt tyre.

 

Përgjigje: E gjithë lavdia dhe falenderimet janë për Allahun. Dihet mjaft mirë se urdhërimi i të mirës, ndalimi i të keqes, thirrja drejt të vërtetës dhe udhëzimi i njerëzve, të gjitha këto janë nga bazat e Fesë së Allahut. Megjithatë, Allahu Xhel-le ue ‘Ala thotë në Librin e Tij madhështor:

 

ادْعُ إِلَى سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ وَجَادِلْهُمْ بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ

 

Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!” [Nahl, 125]

 

Dhe kur Ai dërgoi Musanë dhe Harunin tek Faraoni, Ai u tha:

 

فَقُولا لَهُ قَوْلا لَيِّنًا لَعَلَّهُ يَتَذَكَّرُ أَوْ يَخْشَى (٤٤)

 

Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet (nga Allahu).” [Ta-Ha, 44]

 

Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) erdhi me urtësi dhe ai i mësoi thirrësit dhe predikuesit që të përdorin urtësinë dhe të jenë të duruar. Kjo është gjithashtu në Kur'an në suren el-‘Asr:

 

وَالْعَصْرِ (١)إِنَّ الإنْسَانَ لَفِي خُسْرٍ (٢)إِلا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ (٣)

 

Pasha kohën! Me të vërtetë njerëzimi është në humbje. Përveç atyre që besojnë dhe punojnë vepra të mira, si dhe këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën dhe për të qenë të duruar.” [el-‘Asr, 1-3]

 

Kështu, personi që thërret për tek Allahu ‘Azze ue Xhel dhe ai që urdhëron të mirën dhe ndalon të keqen duhet ta zbukurojë veten e tij me durim, me shpresë për shpërblimin e Tij si dhe duke i bërë ballë me durim çdo gjëje që dëgjon apo has gjatë predikimit.

 

Kurse sa i përket atij që zgjedh rrugën e ashpërsisë ose - Allahu na ruajt - një rrugë që i shkakton njerëzve dëm, trazira, grindje, debate, apo që i ndan njerëzit nga njëri-tjetri, atëherë këto janë rrugë djallëzore dhe janë bazë e thirrjes së Khauarixhëve. Ata janë njerëzit që e kundërshtojnë të keqen ushtarakisht duke rrëmbyer armët. Ata refuzojnë çdo gjë me të cilën ata nuk pajtohen dhe e bëjnë këtë me anë të luftimit dhe gjakderdhjes, si dhe duke i shpallur njerëzit qafira mes shumë gjërave të tjera. Dhe në këtë mënyrë ata (që thërrasin drejt këtyre rrugëve) bënë dallim midis thirrjes dhe predikimit të shokëve të Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe Selefëve tanë të mirë dhe midis thirrjes së Khauarixhëve dhe atyre që ndjekin metodologjinë dhe rrugët e tyre (dhe zgjodhën këtë të fundit). Thirrja e Sahabëve ishte me urtësi, këshillim, sqarim të së vërtetës, durim dhe metoda fisnike, ndërkohë që shpresonin për shpërblim. Kurse thirrja e Khauarixhëve është me luftimin e njerëzve, derdhjen e gjakut të tyre, shpalljen e tyre qafira dhe ndarjen e Muslimanëve në sekte që kundërshtojnë njëri-tjetrin. Këto janë vepra të këqia, të huaja dhe të shpikura (bidate).

 

Gjëja më e mirë që mund të bëhet me këta njerëz është që t’u shmangesh atyre, të qëndrosh larg prej tyre dhe kurrë të mos u japësh mundësinë që të të fusin dyshime. Ata njerëz shkaktojnë përçarje mes Muslimanëve. Një grup i bashkuar është mëshirë dhe përçarja është mosmarrëveshje dhe dënim - dhe Allahu na ruajt nga kjo gjë. Nëse njerëzit e një shteti të vetëm do të kishin qenë të bashkuar në mirësi, të bashkuar në një mendim dhe një qëllim të përbashkët, ata do të kishin patur dinjitet dhe autoritet.

 

Sot, qytetarët e pjesës më të madhe të shteteve janë të ndarë në fraksione dhe parti rivale. Ata janë ndarë dhe kanë mosmarrëveshje, dhe në këtë mënyrë armiqtë e tyre - qofshin brenda apo jashtë rradhëve të tyre - kanë depërtuar midis tyre. Kjo është një rrugë e shpikur, një rrugë e fëlliqtë - është po ajo rrugë që morën ata (Khauarixhët) të cilët u ndanë befasisht dhe luftuan prijësin e besimtarëve. ‘Ali Ibn Ebi Talib (radij-Allahu ‘anhu) dhe ata që ishin me të, shokët e Pejgamberit dhe ata që i dhanë besën Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Ata (Khauarixhët) luftuan kundër tij me pretendimin se ata kërkonin vetëm përmirësim, ndërkohë që ata ishin shtylla e shkatërrimit, qëndronin në majë të bidatit dhe në kulmin e grindjes. Ata janë po të njëjtit që i përçajnë Muslimanët dhe i dobësojnë ata. Madje edhe ai që thjesht thotë idetë e tyre duke i marrë ato dhe duke i zbukuruar ato (para të tjerëve) - edhe ky gjithashtu është i keq në besimin e tij dhe duhet qëndruar larg prej tij.

 

Dhe mësojeni - Allahu na ruajt - dallimin midis një personi që i shkakton dëm krej Umetit dhe ata që thjesht ulen me të, dhe midis atij që është në të vërtetën. Ai (që është në të vërtetën) duhet të jetë një Musliman që punon, ndërton, thërret drejt asaj që është e mirë dhe urdhëron për mirësi. Ai duhet të flasë vetëm të vërtetën dhe të ftojë drejt të mires në një mënyrë të mirë dhe me edukatë, duke patur mendim të mirë për vëllezërit e tij. Ai e di se arritja e përsosmërisë (në shoqëri) është tej mase e vështirë, dhe se i vetmi që ka qenë i pastër nga gabimet ishte Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).

 

[blockquote]Dhe dijeni se sikur këta njerëz të largohen, nuk do të thotë se njerëz më të mirë do të vijnë; nëse njerëzit që janë tani - qofshin ata udhëheqësa, njerëz me autoritet, studentë të dijes, apo edhe thjesht njerëzit e një shteti në përgjithësi - nëse largohen të gjithë ata, njerëz akoma më të këqinj se ata kanë për të ardhur. Çdo vit që do të vijë, viti tjetër që e pason atë do të jetë në përgjithësi akoma më i keq.[/blockquote]

 

Kështu që, kush pret nga njerëzit që ata të arrijnë një gradë të përsosmërisë ose që të jenë plotësisht të pastër nga gabimet apo gjynahet, atëherë personi i tillë është budalla. Këta janë Khauarixhët, ata të cilët i përçajnë mendimet e njerëzve duke u shkaktuar atyre pasoja. Pikërisht këto janë qëllimet e atyre që luftojnë kundër njerëzve që kapen fort pas Sunetit dhe Xhematit të Muslimanëve - duke i luftuar me bidatet e tyre, qofshin ata Shijat ekstremistë, Khauarixhët, Mu’tezilët apo të gjithë njerëzit e tjerë me ngjyrat, ligësitë dhe bidatet e ndryshme që kanë ata.

 

 

 

Përktheu: Alban Malaj