Bismilah...

nga Shejkh Salih el-Feuzan

 

Shënim: Kjo është një kundërpërgjigje ndaj akuzave që janë lëshuar kundër Selefive gjoja ata po mohojnë ekzistencën e Xhihadit sot, ndërkohë që Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë se Xhihadi do të vazhdojë deri kur të vijë Kijameti! Sipas akuzuesve Xhihadi po kryhet sot në fronte të ndryshme luftimi (si në Irak, Afganistan, Palestinë, Çeçeni, Kashmir, Somali etj.) dhe rrjedhimisht Selefitë paskan mohuar një nga shtyllat e Islamit! Përderisa Allahu Subhanehu ue Te’ala na urdhëron që të pyesim Njerëzit e Dhikrit për atë që nuk e dimë dhe për çështjet madhore të Umetit, atëherë ne po i kthehemi Ulemave që ka vendosur Allahu në krye të këtij Umeti. Dhe pikërisht, më poshtë vijon pyetja që i është drejtuar Shejkhut të nderuar, Salih el-Feuzan (Allahu e ruajt) për vazhdueshmërinë e Xhihadit.

Pyetje:

 

Ka prej atyre që shohin hadithin e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), “Xhihadi do të vazhdojë deri kur të vijë Ora e Fundit” [1] dhe pastaj thonë: “Përse dijetarët thonë që Umeti nuk është i aftë që të bëjë Xhihad sulmues në kohën e tashme dhe se kjo kohë i ngjan periudhës së parë Mekase? Kurse Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Xhihadi do të vazhdojë deri kur të vijë Ora e Fundit”?

Përgjigje nga Shejkh Salih el-Feuzan:

“Po, Xhihadi është i vazhdueshëm. Nëse kushtet dhe bazat janë plotësuar atëherë ai është i vazhdueshëm. Ndërsa kur kushtet dhe bazat nuk janë plotësuar, atëherë duhet të pritet derisa të kthehet fuqia, mundësia dhe gatishmëria e Muslimanëve në mënyrë që ata të luftojnë kundër armiqve të tyre. Kështu, për shembull, nëse ke një shpatë apo një armë, a mundesh dot të dalësh para aeroplanëve, bombave dhe raketave?? Jo, sepse ky potencial ushtarak që kanë përgatitur ata ka për të sjellë një dëm shumë të madh. Nëse ke me çfarë të përballesh me përgatitjen e tyre (ushtarake), atëherë në këtë rast përballu me ata (në luftim). Ndërsa kur nuk ke asgjë për t’u përballur me ata, atëherë Allahu thotë:

Dhe mos e çoni veten në shkatërrim me duart tuaja.” [Bekare, 195]

Dhe kjo ka për t’i dëmtuar Muslimanët më shumë sesa do t’u bëjë dobi atyre, po qe se aty do të kishte patur me të vërtetë ndonjë farë dobie.”

Shejkh Feuzani tha gjithashtu:

“Sa e sa Muslimanë janë vrarë për shkak të aventurave injoranteske që kanë shkaktuar zemërimin e kufarëve, të cilët kanë qenë më të fortë sesa Muslimanët në këto raste dhe kështu që i çuan ata drejt vdekjes, dëbimit dhe shkatërrimit, la haule ue la kuvete il-la bil-lah (nuk ka ndryshim dhe pushtet përveç se me vullnetin e Allahut)! Ata pretendojnë gjithashtu se këto aventura janë Xhihad, ndërkohë që ato nuk janë Xhihad sepse kushtet e xhihadit nuk janë plotësuar dhe as shtyllat e xhihadit nuk janë arritur. Kështu që, aventura të tilla nuk janë xhihad, por ato janë veprime që kalojnë tej kufijve, të cilat nuk i ka urdhëruar Allahu.” [2]

Shejkh Feuzani tha gjithashtu:

“Është detyrë për xhahilin (injorantin) që të mos flasë, ta mbyllë gojën dhe të ketë frikë Allahun ‘Azze ue Xhel dhe të mos flasë pa dije. Allahu thotë:

Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.” [A’raf, 33]

Kështu që, nuk i lejohet xhahilit që të flasë për çështjet e dijes, veçanërisht për çështje madhore si tekfiri, xhihadi dhe el-uera uel-bera’ (miqësimi dhe armiqësimi). Kurse që të shpifësh e të marrësh në gojë nderin e pushtetarëve dhe nderin e dijetarëve, atëherë ky është nga lloji më i rëndë i përgojimit dhe prandaj është i ndaluar. Kurse për sa i përket ngjarjeve aktuale të cilat kanë kaluar apo ato që po ndodhin, atëherë këto çështje u takojnë atyre që janë në krye që të hulumtojnë dhe të këshillohen, ndërsa dijetarëve u takon që të shpjegojnë gjykimin Sheriatik. Kurse njerëzve të thjeshtë dhe nxënësave të dijes fillestarë nuk u takojnë këto çështje. Allahu thotë:

Kur atyre u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin (pa e vërtetuar mirë). Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë, hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo). Sikur të mos ishte mirësia e Allahut dhe mëshira e Tij, ju të gjithë do të ndiqnit djallin, përveç një numri të vogël.” [Nisa, 83]

Kështu që, është detyrë që të mbahet gjuha e të mos flitet për çështje të tilla, veçanërisht për tekfirin dhe çështjen e miqësimit dhe armiqësimit (el-uela uel-bera’). Pjesa më e madhe e njerëzve janë injorantë rreth zbatimit të tij dhe mund ta zbatojnë ata në mënyrë të gabuar. Ata e gjykojnë njeriun për devijim dhe kufër dhe kështu që gjykimi mund t’i kthehet paditësit. Nëse personi i thotë vëllait të tij “O qafir, o fasik (i prishur)” dhe ai nuk është i tillë, atëherë gjykimi mund t’i kthehet atij që e tha, Allahu na ruajt. Kjo është një çështje shumë e rrezikshme, kështu që, ai i cili e ka frikë Allahun duhet të mbajë gjuhën e tij, përveç nëse ai është nga ata që janë të ngarkuar me trajtimin e këtyre çështjeve, që janë njerëzit me autoritet apo dijetarët. Këta janë njerëzit që duhet të shqyrtojnë këto çështje dhe të gjejnë zgjidhje për to, kurse ai që është nga njerëzit e thjeshtë apo nga nxënësat e vegjël të dijes (Islamike), këta nuk kanë të drejtë që japin gjykime mbi njerëzit dhe të nëpërkëmbin nderin e njerëzve ndërkohë që ai është një xhahil që bën gibet dhe flet për çështjet e tekfirit (t’i shpallësh Muslimanët mosbesimtarë), tefsikut (t’i shpallësh Muslimanët gjynahqarë dhe të prishur) dhe çështje të tjera. Kjo dëmton vetëm atë që i bën këto gjëra. Kështu që, është detyrë për Muslimanin që ta mbajë gjuhën dhe të mos fusë hundët në gjëra që nuk i interesojnë. Një person i tillë duhet të bëjë dua për Muslimanët që ata të dalin fitimtarë dhe të bëjë dua kundër kufarëve (mosbesimtarëve) që ata të dënohen, kjo është detyrë! Ndërsa, që të diskutohen gjykimet e Sheriatit, të biesh në gabime, të flasësh për nderin e njerëzve që janë në krye dhe dijetarëve dhe t’i gjykosh ata me kufër apo me devijim, kjo është një çështje shumë e rrezikshme për ty, o ti njeri që flet! Njerëzit për të cilët flet ti nuk do të dëmtohen nga fjalët e tua!”

Dhe Allahu e di më së miri.” [3]

 

Fundnota:
[1] Muhamed Ibn Fehd el-Husejn thotë për këtë hadith në redaktimin e librit të Shejkh Feuzanit, el-Xhihad ue Deuabituhu esh-Sher’ije, fq. 48 (Rijad, Mektebe er-Rushd, 1424 Hixhrij/2003 E.K.): “Unë nuk e kam gjetur këtë hadith me këtë tekst dhe ai që ka transmetuar Ebu Davudi me tekstin, “Xhihadi është i vazhdueshëm që nga kohë kur Allahu më dërgoi mua e deri kur pjesa e fundit e këtij umeti të luftojë kundër Dexhalit” ka në zinxhirin e transmetimit Jezid Ibn Ebi Tushbeh për të cilin Ibn Haxheri ka thënë në et-Takrijb se ai është “mexhul”. Për këtë arsye, ai tha në Fet’hul-Bari (vëll. 6, fq. 67) se në zinxhirin e tij të transmetimit ka dobësi. Teksti që përdorin dijetarët në librat e Akijdes është ajo që ka thënë et-Tahaui (rahimehullah): “Haxhi dhe Xhihadi janë të vahzdueshëm me prijësin e Muslimanëve, të mirë apo të këqij qofshin, derisa të vijë Ora e Fundit. Ata (Haxhi dhe Xhihadi) nuk anulohen dhe nuk u bie vlera aspak.” Sherh Akijdeh Tahauijeh, fq. 387.
[2] ‘el-Xhihad: Enua’uhu ue Ahkamuhu’, fq. 92 nga Hammad bin Ibrahim el-‘Uthman.
[3] ‘el-Ixhabaat el-Muhimmeh fil-Meshaakil el-Mulimmeh’ fq. 56-58, përpiloi Muhamed Ibn Fehd el-Husejn, Botimi i Dytë, Rijad: Mektebi el-Humejdi, 1425 Hixhrij/2004 E.K.

 

Përktheu Alban Malaj