Pyetje: Cili është udhëzimi juaj në lidhje me veprimin e disa Sahabëve, të cilët kanë refuzuar udhëheqësin në praninë e tij, përpara njerëzve?
Përgjigje: Mbrëmë u përgjigja për këtë dhe thamë që parimi bazë është ajo që ka vendosur i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem - dhe jo ajo që ka vendosur dikush tjetër: që këshillimi për udhëheqësin të bëhet në fshehtësi dhe të mos publikohet. Gjithashtu, kjo është e përshtatshme me edukatën që duhet patur me udhëheqësin, e pikërisht kështu kanë vepruar edhe Sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata, në këshillimin e udhëheqësit. Këtu përjashtohet veçse një rast i vetëm, me tre kushte:
1 - që të jetë udhëheqësi i pranishëm, ama nëse nuk është i pranishëm nuk përjashtohet asnjëherë nga ndalesa;
2 - çështja e dytë është që personi i cili refuzon udhëheqësin duhet të jetë dijetar me pozitë dhe influencë, në mënyrë që refuzimi i tij të mos shkaktojë shtypjen apo vrasjen e tij etj;
3 - çështja e tretë është që të sigurohet që s'do të shkaktohet fitne te njerëzit e thjeshtë. Nëse dijetari e di se po ta refuzojë udhëheqësin publikisht, atëherë do të irritohen kundër tij njerëzit e thjeshtë dhe do të ndodhin trazira me pasoja të papranueshme, atëherë nuk lejohet që ai ta refuzojë udhëheqësin publikisht.
Pra, pikërisht ky është refuzimi me këto tre kushte që ka ndodhur nga disa prej Sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata.
Përktheu: Alban Malaj