Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed ‘Alij Ferkus

Burimi: https://ferkous.com/home/?q=fatwa-470

 

 

Pyetje: Nëse gruaja shtatzënë dhe gjidhënësja nuk agjërojnë në Ramazan, a e kanë detyrë kompensimin apo shpagimin? Allahu ju shpërbleftë me të mira.

 

Përgjigje: Falenderimi dhe lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Lëvdata dhe shpëtimi qofshin për atë që Allahu e dërgoi mëshirë për njerëzit dhe xhinët, për familjen e tij, shokët e tij dhe vëllezërit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

 

Më tej:

Nëse shtatzëna dhe gjidhënësja mund të agjërojnë po në të njëjtën kohë duke bërë përpjekje dhe duke i përballuar vështirësitë, ose ato kanë frikë për veten e tyre apo për fëmijët e tyre, atëherë ato nuk e kanë detyrë kompensimin, për shkak të fjalës së tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:

 

إِنَّ اللهَ تَعَالَى وَضَعَ شَطْرَ الصَّلَاةِ ـ أَوْ: نِصْفَ الصَّلَاةِ ـ وَالصَّوْمَ عَنِ الْمُسَافِرِ، وَعَنِ الْمُرْضِعِ أَوِ الْحُبْلَى

“Allahu i Lartësuar e ka liruar udhëtarin nga gjysma e namazit dhe agjërimi, dhe e ka liruar nga agjërimi gjidhënësen dhe shtatzënën.”

 

Në një transmetim tjetër qëndron:

 

إِنَّ اللَّهَ عَزَّ وَجَلَّ وَضَعَ عَنِ الْمُسَافِرِ شَطْرَ الصَّلاَةِ وَعَنِ الْمُسَافِرِ وَالْحَامِلِ وَالْمُرْضِعِ الصَّوْمَ أَوِ الصِّيَامَ

“Vërtet Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar e ka liruar udhëtarin nga gjysma e namazit, dhe e ka liruar udhëtarin, shtatzënën dhe gjidhënësen nga agjërimi.” [1]

 

Kompensimi për agjërimin e udhëtarit është vërtetuar me Fjalën e Tij, të Lartësuarit:

 

فَمَن كَانَ مِنكُم مَّرِيضًا أَوْ عَلَىٰ سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِّنْ أَيَّامٍ أُخَرَ

“Kurse ai që është i sëmurë apo gjendet në udhëtim, (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” El-Bekare, 185

 

Po ashtu është vërtetuar shpagimi me ushqim për burrin e moshuar, gruan e moshuarën, shtatzënën dhe gjidhënësen me Fjalën e Tij, të Lartësuarit:

 

وَعَلَى ٱلَّذِينَ يُطِيقُونَهُۥ فِدْيَةٌ طَعَامُ مِسْكِينٍ

“Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.” El-Bekare, 184

 

Kurse gjykimi që thotë mos-agjërimin e shtatzënës dhe gjidhënëses duke dhënë shpagim në ushqim dhe duke mos e kompensuar agjërimin, është mendimi më i saktë i medh’hebeve. Këtë mendim e kishte Ibën Abbasi, Ibën Umeri – radijAllahu ‘anhu si dhe të tjerëve. Ka ardhur transmetim autentik nga Ibën Abbasi – radijAllahu ‘anhuma – se ka thënë: “Nëse gruaja shtatzënë ka frikë për veten dhe gjidhënësja ka frikë për fëmijën e saj gjatë Ramazanit, nuk agjërojnë, por në vend të tij ushqejnë për çdo ditë nga një të varfër.” [2]

 

Po ashtu është transmetuar nga Ibën Abbasi se pa robëreshën me të cilën kishte një fëmijë, e cila ishte shtatzënë apo gjidhënëse, dhe i tha: “Ti je në pozitën e atij që ka vështirësi për të agjëruar. Ti e ke për detyrë që të ushqesh një të varfër në vend të çdo dite.” [3]

 

Darektunij transmeton nga Ibën Umeri – radijAllahu ‘anhuma – se gruaja e tij e pyeti atë, ndërkohë që ishte shtatzënë, ai i tha: “Mos agjëro dhe për çdo ditë ushqe një të varfër, si dhe mos e kompenso agjërimin.” [4]

 

Kjo çështje është kështu ngase fjala e Ibën Abbasit dhe Ibën Umerit – radijAllahu ‘anhum – ishte e përhapur në mesin e Sahabëve dhe nuk dihet që dikush nga Sahabët t’i ketë kundërshtuar ata. Kështu që, ky mendim është argument dhe ixhm’a (njëzëshmëri) te shumica e dijetarëve, dhe njihet tek usulijunët (dijetarët e specializuar në bazat e shkencës së jurisprudencës Islame) si ixhma’ sukutij (njëzëshmëri e aprovuar me heshtje) [5]. Sepse komentimi i Ibën Abbasit për këtë çështje – radijAllahu ‘anhuma – lidhet me shkakun e zbritjes së ajetit dhe sipas rregullave të shkencave të hadithit është se, komentimi i një Sahabij që ka lidhje me shkakun e zbritjes së ajetit, merr gjykimin e hadithit merf’u (që është transmetuar nga i Dërguari – alejhi salatu ue selam) [6]. Dhe përderisa kjo çështje është kështu, ky mendim është më i saktë se mendimet tjera që bazohen në opinion dhe analogji (kijas).

 

Vërejtje:

1 – Gjidhënësja gjatë kohës së lehonisë, duhet t’i kompensojë më vonë (ditët që nuk ka agjëruar), e nuk jep shpagim (në ushqim). Sepse lehonia është pengesë për agjërimin, sepse paraqet një rast që është më i veçantë se justifikimi i gjidhënëses dhe shtatzënës në lidhje me mos-agjërimin dhe shpagimin. Dhe ajo që është e veçantë, është më parësore që t’i jepet përparësi. Ndryshe nga koha kur ajo është e pastër (nga menstruacionet dhe lehonia), sepse nuk ka kundërshtim mes kohës dhe pengesës. 

 

2– Nëse gruaja i jep fëmijës qumësht me shishe, e ka detyrë të agjërojë, ngase ajo është gjidhënëse në kuptimin figurativ e jo në kuptimin e vërtetë. 

 

3– Kur fëmija mbush pesë muaj e sipër, dhe e ka të lehtë që të konsumojë gjëra tjera përveç qumështit, siç janë llojet e ndryshme të perimeve dhe fruteve, në këtë rast gjidhënia natyrale nuk është justifikim për mos-agjërim. Përkundrazi, ta ushqejë fëmijën me gjidhënie artificiale.

 

Allahu është më i Dituri. Lutjet tona të fundit janë se i gjithë lavdërimi dhe falenderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut është për Pejgamberin tonë Muhamedin, për familjen e tij, shokët dhe vëllezërit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

 

 

Fundnotat:

[1] E ka nxjerrë Ebu Daudi (2408), Tirmidhiu 715, Nesaiu (2275), Ibën Maxheh (1667) nga hadithi Enes ibën Malik el-K’abij el-Kushajrij – radijAllahu ‘anhu – dhe ky nuk është el-Ensarij. Këtë hadith e ka saktësuar Albani në “Sahih Ebi Daud,” 2083.

[2] E ka nxjerrë Taberiu në tefsirin e tij (2/136). Shejkh Albani në “el-Iruau” (4/19) ka thënë: “Zinxhiri i tij është i saktë sipas kushtit të Muslimit.”

[3] E ka nxjerrë Taberiu në tefsirin e tij (2/136), Darekutnij [2382] dhe ka thënë: “Zinxhiri i tij është i saktë (sahih).” Shejkh Albani ka thënë: “Zinxhiri i tij është i saktë sipas kushtit të Muslimit.” Shiko në “el-Iruau” (4/199)

[4] E ka nxjerrë Darekutnij (2388). Shejkh Albani në “el-Iruau el-Galil” (4/20) ka thënë se zinxhiri i tij është i mirë (xhejjid).

[5] Shiko në “el-Misu’uedeh” (335) të Al Tejmijes, “Ilamul-Muaki’in” të Ibën Kajjimit (4/120).

[6] Shiko në “Mukaddimetu Ibni Salah” (24), “Tedribu Raauij” të Sujutit (1/157), “Teuhidul-Efkaar” të San’anit (1/270), “Aduaul-Bejaan” të Shenkitit (1/144).

 

 

Algjeri, 10 Ramazan 1427 H, që përkon me 30 Tetor 2006 G 

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari