Bismilah...

Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Rasail, 19/200-202

 

Pyetje: Cilat janë gjërat që e prishin agjërimin?

Përgjigje: Gjërat që e prishin agjërimin janë shtatë. Ato janë:

💎 E para: Marrëdhëniet intime. Nëse agjëruesi që e ka obligim agjërimin bën marrëdhënie intime gjatë ditës, atëherë e ka detyrë që ta shlyejë atë meqë ka bërë një shkelje të rëndë. Shlyerja për këtë shkelje të rëndë është lirimi i një robi. Nëse nuk mund të lirojë një rob, atëherë duhet të agjërojë dy muaj rresht. E nëse nuk mund ta bëjë as këtë, atëherë duhet t’i ushqejë 60 të varfër; ose t’ju jap drekë dhe darkë përnjëherë atyre 60 vetave, ose çdonjërit prej tyre i jep gjysmë sa’a grurë, apo oriz. Gjithashtu është mirë që t’i jepet edhe diçka tjetër që gatuhet bashkë me të, qoftë ai mish apo diçka tjetër.

💎 E dyta: Dalja e spermës kur ai është zgjuar, qoftë nëse ai masturbohet, ose nëse i del sperma nga fërkimet, apo puthja, apo përqafimet.

(Ai që e nxjerr spermën me epsh e ka detyrë që ta kompensojë vetëm atë ditë dhe nuk e ka detyrë që të bëjë shlyerje sikur ai që ka bërë marrëdhënie intime. Pra, shlyerja është vetëm për atë që bën marrëdhënie intime.) [1]

💎 E treta: Ngrënia dhe pirja, qoftë ajo që është e dobishme apo e dëmshme, siç është duhani.

💎 E katërta: Marrja e injeksioneve ushqyese të cilat kur njeriu i merr nuk ndjen nevojë për ushqim, meqë ato e zëvendësojnë ushqimin dhe pijen. Ndërsa injeksionet të cilat nuk janë ushqyese, nuk e prishin agjërimin, qoftë nëse i merr ato në muskuj apo damar, edhe në qoftë se e ndjen shijen e tyre në gurmaz apo nuk e ndjen.

💎 E pesta: Dalja e gjakut të menstruacioneve dhe lehonisë.

(Nëse gruas i fillojnë gjakrat e menstruacioneve apo të lehonisë qoftë një çast para perëndimit të diellit, agjërimi i saj është i prishur. E nëse i fillojnë gjakrat e menstruacioneve apo lehonisë pas perëndimit të diellit qoftë edhe për një çast të vetëm, agjërimi i saj është i saktë). [2]

💎 E gjashta: Nxjerrja e gjakut përmes bërjes së hixhames apo me ndonjë formë tjetër të ngjashme, siç është nxjerrja e një sasie të madhe të gjakut nga trupi e cila ndikon në trup ashtu siç ndikon hixhameja. Ndërsa dalja e gjakut nga hundët qe del vetvetiu apo dalja e gjakut që del nga nxjerrja e dhëmbit apo diçka e ngjashme, këto nuk e prishin agjërimin sepse nuk janë hixhame dhe nuk i përngjajnë hixhames.

💎 E shtata: Vjellja e stimuluar që bëhet me qëllim, e prish agjërimin. E nëse dikush vjell vetvetiu dhe nuk e stimulon atë, nuk e ka prishur agjërimin.

Vërejtje: Agjëruesi nuk e prish agjërimin nëse ha diçka nga harresa, apo nga padijenia, apo nëse detyrohet me zor. Nëse agjëruesi ha dhe pi nga harresa, nuk e ka prishur agjërimin. Gjithashtu, nuk prishet agjërimi nëse ha dhe pi duke besuar se dielli ka perënduar, apo nëse ha dhe pi duke menduar se agimi ende nuk ka dalë, edhe në këtë rast nuk e ka prishur agjërimin sepse është i paditur në këtë situatë. Gjithashtu, nëse shikon ëndrra erotike në gjumë dhe i del sperma, nuk e ka prishur agjërimin sepse kjo ka ndodhur pa zgjedhjen e tij.

_______________

[1] Mexhmu’u Rasail, 19/196

[2] Mexhmu’u Rasail, 19/197

Përktheu: Jeton Shasivari