Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Gruaja muslimane e ka detyrë që të mbulojë veten e saj
Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.
E më pas:
Gruaja është e njëjtë me burrin dhe ajo është e ngarkuar me detyra siç është i ngarkuar burri me obligime. Gjithashtu, kërkohet prej saj që ta shtojë bindjen dhe veprat e mira.
إِنَّ الْمُسْلِمِينَ وَالْمُسْلِمَاتِ وَالْمُؤْمِنِينَ وَالْمُؤْمِنَاتِ وَالْقَانِتِينَ وَالْقَانِتَاتِ
“Nuk ka dyshim se për muslimanët dhe muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset...”
E deri në fund të ajetit:
وَالذَّاكِرِينَ اللَّـهَ كَثِيرًا وَالذَّاكِرَاتِ أَعَدَّ اللَّـهُ لَهُم مَّغْفِرَةً وَأَجْرًا عَظِيمًا
“...ata që e përmendin shumë Allahun dhe ato që e përmendin shumë Allahun, Allahu ka përgatitur për ta falje dhe shpërblim të madh.” [el Ahzab, 35]
Gruaja është sikur burri në ato që kryen dhe në detyrat e saj. Ajo duhet të ketë frikë Allahun - Azze ue Xhel-le - dhe të angazhohet me gjëra që i bëjnë dobi, si dhe të largohet nga gjërat që e dëmtojnë, qofshin fjalë apo vepra. Duhet të kujdeset për mbulesën e saj:
يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ قُل لِّأَزْوَاجِكَ وَبَنَاتِكَ وَنِسَاءِ الْمُؤْمِنِينَ يُدْنِينَ عَلَيْهِنَّ مِن جَلَابِيبِهِنَّ
“O ti Pejgamber, thuaju grave të tua, bijave të tua dhe grave të besimtarëve, le të hedhin xhilbabët e tyre mbi vetet e tyre...”
Xhilbabi është mbulesë e madhe, si pelerinë e madhe.
يُدْنِينَ عَلَيْهِنَّ مِن جَلَابِيبِهِنَّ
“...le të hedhin xhilbabët e tyre mbi trupin e tyre.”
U pyet Ibën Abbasi: çfarë ka për qëllim ajeti: “...le të hedhin xhilbabët e tyre mbi trupin e tyre.” Ai mori cepin e rrobës së tij e hodhi sipër vetes së tij derisa mbulojë fytyrën e tij me të, e me këtë gjest e shpjegoi këtë ajet.
Pra, shpjegimi i ajetit: “...le të hedhin xhilbabët e tyre mbi trupin e tyre.” - domethënë le të mbulojnë fytyrën e tyre dhe të mbulojnë trupin e tyre për të mënjanuar shfaqjen e diçkaje prej trupit të tyre. Sidomos kur del nga shtëpia, ajo duhet të mbulohet, madje edhe kur shkon në xhami. Ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –: “Mos i ndaloni robëreshat e Allahut nga shtëpitë e Allahut, porse shtëpitë e tyre janë më të mira për to.”
Pra, ai sqaroi se namazi që kryen ajo në shtëpi është më i vlefshëm sesa namazi që kryen ajo në xhami. Ngase kur e fal namazin në shtëpi, ajo mbulohet dhe është e ruajtur nga shikimet e njerëzve. Nuk është e ndaluar që ajo të falet në xhami, s’ka ndalesë që të dalë por me kusht që të mbulohet, të dalë me turp e me dinjitet. Ashtu siç dilnin gratë e Shokëve të Pejgamberit që falnin namazin në xhami mbas Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ndërkohë që ishin të mbuluara e të mbështjella me rrobat e tyre, sikur të ishin korba të zinj mbi kokat e tyre, për shkak të mbulimit të tyre. Gruaja muslimane mbulohet kur del. E nëse ajo tregohet e shkujdesur në mbulesën e saj, atëherë do ta ndjekë shejtani dhe do ta shohin atë shejtanët prej njerëzve dhe xhindëve. Njerëzit e prishur lakmojnë vetëm gruan që është e zbuluar. Ama nëse ajo është e mbuluar, ata e lënë dhe nuk e shikojnë atë. Kështu ajo nuk do të dëmtohet nga ata.
Ka thënë i Lartësuari:
يُدْنِينَ عَلَيْهِنَّ مِن جَلَابِيبِهِنَّ ۚ ذَٰلِكَ أَدْنَىٰ أَن يُعْرَفْنَ فَلَا يُؤْذَيْنَ
“...le të hedhin xhilbabët e tyre mbi trupin e tyre, se kjo është më afër që ato të njihen (që nuk janë të prishura) e të mos dëmtohen.”
Pra, ajo që nuk mbulohet, do të dëmtohet dhe të ngacmohet nga njerëzit e shthurur. Ndërsa ajo që mbulohet, nuk e ngacmojnë atë të shthururit.
Ka thënë i Lartësuari:
وَإِذَا سَأَلْتُمُوهُنَّ مَتَاعًا فَاسْأَلُوهُنَّ مِن وَرَاءِ حِجَابٍ ۚ ذَٰلِكُمْ أَطْهَرُ لِقُلُوبِكُمْ وَقُلُوبِهِنَّ ۚ
“E kur t’u kërkoni atyre (grave të Pejgamberit) ndonjë send, kërkoni pas perdes, se kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të tyre.”
Pra, mbulesa është pastrim për zemrën dhe është mbulim për femrën që mos ta lakmojë askush. Të shthururit nuk lakmojnë vetëm se të zbuluarat, kurse të mbuluarat nuk i lakmojnë të shthururit.
Gruaja kështu ka pozitë e vlerë tek njerëzit, plus shpërblimit dhe sevapet që do ketë tek Allahu – Subhanehu ue Te’ala -. Pra, gruaja muslimane duhet të ketë frikë Allahun - Azze ue Xhel-le -. Kur të dalë për në xhami, ajo duhet të jetë e mbuluar tamam, e si është puna nëse del ne treg apo në rrugë? Atëherë ajo e ka obligim akoma më shumë që të mbulohet në këtë rast.
Allahu i Lartësuar e di më së miri.
Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.
Përktheu: Abdullah Beqiri
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org