Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit
Vlera e namazit të natës në Ramazan
Lavdia dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë, salavatet dhe selamet më të plota, më të përsosura qofshin mbi atë që është dërguar si mëshirë për njerëzimin, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij, më pas:
Të nderuar vëllezër dhe motra ju them: Esselamu alejkum ue rahmetull-Llahi ue berekatuHu!
Në këtë takim, për të cilin e lus Allahun që ta bëjë të bereqetshëm, do të flas për namazin e natës. Namazi i natës është prej veprave të mira madhështore, pozita e të cilave rritet në muajin e Ramazanit. Namazin që falim në netët e Ramazanit, na e ka ligjësuar Allahu edhe në netët e tjera jashtë Ramazanit. Por në netët e Ramazanit i shtohet vlera dhe i rritet shpërblimi. Prandaj Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - thotë:
"Kush falet në Ramazan, duke besuar dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, do t'i falen atij të gjitha gjynahet e mëparshme!"
Fjala e tij: "Kush falet në Ramazan", d.m.th. kush falet në netët e Ramazanit. Vini re, o vëllai im dhe oj motra ime, se Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - tha: "Kush falet në Ramazan", pra ai që u përpoq të falet gjatë gjithë muajit të Ramazanit, prej fillimit deri në fund.
Fjala e tij "...duke besuar...", d.m.th. duke besuar Zotin e tij, duke besuar në vlerën e faljes në muajin e Ramazanit, duke shpresuar në arritjen e këtij shpërblimi si dhe duke e bërë me sinqeritet për Allahun - 'Azze ue Xhel. E cili është shpërblimi i tij? Do t’i falen atij të gjitha gjynahet e mëparshme! Jo gjynahet e një viti, as gjynahet e dy viteve, por të gjitha gjynahet e mëparshme!
Shumica e dijetarëve thonë se këtu kihen për qëllim gjynahet e vogla, ndërsa për sa u përket gjunaheve të mëdha duhet patjetër pendim për to.
Sa gjë e bukur që është kjo o robi i Allahut! Sa bukur është që të falesh në netët e Ramazanit! Namazi nuk është i kufizuar me numër të caktuar rekatesh, edhe nëse ti, o robi i Allahut, fal dy rekate dhe një rekat vitër, atëherë ky është namaz nate. Ndërsa nëse shton më shumë se kaq, është më e mirë. Pra, nëse falesh në netët e Ramazanit, duke shpresuar shpërblim dhe duke besuar në këtë mirësi, atëherë do të të falen gjynahet e mëparshme.
Sa gjë e bukur është që ta bësh këtë vepër, duke ia bashkangjitur kësaj pendimin dhe vendosmërinë e sinqertë që muaji i Ramazanit të jetë ndarës mes teje dhe gjunaheve të mëparshme! Ajo që ka kaluar, ka kaluar tashmë. Kështu që, ti bën një ndarje nga gjunahet dhe tregohesh i vendosur se në ditët në vazhdim, nuk do të bësh gjynahe të mëdha që i bëje më parë, dhe nuk do t'i bësh gjynahet e tjera që i bëje më parë. Kështu, të falen të gjitha gjynahet. Gjynahet e mëdha të falen me pendim, ndërsa gjynahet e vogla të falen me namazin e natës në Ramazan.
E lus Allahun - 'Azze ue Xhel - që të më bëjë mua dhe juve prej atyre që dalin nga muaji i Ramazanit duke qenë të devotshëm dhe të pastër prej gjunaheve, dhe prej atyre që ua ka pranuar Allahu - 'Azze ue Xhel – adhurimet dhe pendimin e tyre!
Allahu i Lartësuar është më i Larti dhe më i Dituri. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë!
Përktheu: Servet Mata
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org