Bismilah...

Autor: Shejkh Rabij’ Ibn Hadij el-Medkhalij – Allahu e ruajtë –

Burimi: SalafiPublications.com

 

Lavdërimet dhe falenderimet janë për Allahun; Salati dhe Selami qoftë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi këto që ndjek udhëzimin e tij.

E më pas:

Për shkak të fitnes që ndodhi midis të rinjve në Jemen, e cila është përhapur tashmë aq shumë saqë ka kaluar edhe në vendet e tjera, shumë njerëz filluan të kërkojnë të vërtetën dhe një shpjegim se kush është i saktë dhe kush i gabuar. Nga shkaqet e kësaj fitneje ishte se disa nga studentët e dijes akuzuan disa studentë të tjerë se kanë Menhexhin e Hadadive.

Kështu që, e kisha për detyrë që ta shpjegoja këtë Menhexh, e ndoshta kjo do ta bëjë më të qartë për shumë nga studentët e dijes në mënyrë që ata të bëjnë dallim midis Menhexhit të Ehli-Sunetit dhe Menhexhit të Hadadive. Pastaj, ndoshta kjo mund të ndihmojë deri diku për trajtimin e kësaj fitneje, megjithë premtimin tonë se do të vazhdojmë të shpjegojmë edhe çështje të tjera, në përgjigje të kësaj kërkese urgjente dhe në përpjekjen për t’i dhënë fund kësaj fitneje.

 

Menhexhi i Hadadive

 

1 – Ata kanë urrejtje për dijetarët e sotëm të Menhexhit Selefij, i poshtërojnë ata, thonë se janë injorantë, pretendojnë se janë të devijuar dhe shpifin kundër tyre, veçanërisht kundër dijetarëve të Medines. Ata i kalojnë kufijtë në këtë gjë me Ibn Tejmijen, Ibnul-Kajjim dhe Ibn Ebil-‘Izz, komentuesi i Tahauijes. Hadadijet flasin gjatë gjithë kohës kundër tyre me qëllim që ta shkatërrojnë pozitën që kanë ata dhe t’i hedhin poshtë thëniet e tyre.

2 – Hadadijet thonë se cilido që bie në bidat duhet deklaruar bidatçi (mubtedi) dhe Ibn Haxheri sipas tyre është më i rëndë dhe më i rrezikshëm sesa Sejjid Kutbi.

3 – Ata thonë se një person është bidatçi nëse ai nuk deklaron për atë që ka rënë në bidat se është bidatçi. Hadadijet tregohen armiqësor me të dhe luftojnë kundër tij nëse ai nuk vepron ashtu. Nuk është e mjaftueshme sipas tyre që të thuhet: se filan person për shembull ka diçka prej Esh’arive ose ai është Esh’ari, por duhet të thuash që ai është bidatçi se përndryshe do të përballesh me luftë, hexhër (bojkotim, braktisje) dhe do të deklarohesh bidatçi.

4 – Hadadijet janë të mendimit se është absolutisht e ndaluar të thuhet “Allahu e mëshiroftë” për njerëzit e bidatit. Ata nuk bëjnë dallim midis Rafidiut, Kaderiut, Xhehmiut dhe dijetarit që ka rënë në bidat.

5 – Ata e deklarojnë një person bidatçi nëse ai thotë “Allahu e mëshiroftë” për ata si puna e Ebu Hanifes, Sheukanit, Ibnul-Xheuzit, Ibn Haxherit dhe Neueuiut.

6 – Ata kanë armiqësi të ashpër kundër selefijinëve, pa marrë parasysh fare mundin e tyre, thirrjen drejt selefizmit dhe mbrojtjen e tij, pa marrë parasysh luftën që bëjnë ata (selefijinët) për të kundërshtuar bidatin, hizbijen dhe devijimin. Hadadijet përqëndrohen kryesisht tek dijetarët e Medines dhe Shejkhul-Albani – Allahu e mëshiroftë – ngaqë ai është nga dijetarët më të mëdhenj të Menhexhit Selefij dhe ai ka qenë nga dijetarët më të ashpër me hizbijen, njerëzit e bidatit dhe njerëzit e t’easubit (fanatizmit partiak apo medh’hebor). Një hadadij erdhi në një nga mexhliset e mia dhe akuzoi Ibn Uthejminin për shpifje më tepër se dhjetë herë. U inatosa aq shumë sa e nxorra jashtë nga mexhliset e mia.

Hadadijet shkruajnë libra, shpërndajnë kaseta dhe përhapin pretendime kundër dijetarëve. Ata i kanë mbushur librat, kasetat dhe pretendimet e tyre me gënjeshtra dhe mashtrime. Nga padrejtësisë e Hadadit është se ai ka shkruajtur një libër në të cilin sulmon Shejkhul-Albanin dhe shpif kundër tij. Ky libër është i përbërë nga 400 faqe me shkrim dore dhe sikur të botohej, ndoshta do t’i arrinte 1000 faqe. Ai e quajti atë “el-Khamis”, që do të thotë, një ushtri e stërmadhe që ka një pararojë luftarake dhe një mbrojtje nga krahët; ka edhe një zemër me barkushen e majtë dhe të djathtë.

Hadadi pretendonte se paralajmëronte kundër Ikhuanul-Muslimin, kundër Sejjid Kutbit dhe pasuesve të Xhuhejmanit, por ne nuk kemi asnjë libër të shkruajtur nga ai, madje as edhe ndonjë broshurë të vogël, e lëre më pastaj ndonjë tjetër si libri i tij “el-Khamis”.

7 – Ata kalojnë në ekstrem për sa i përket Hadadit dhe pretendimit të tyre për superioritetin e tij në dije, me anë të të cilit ata duhet të rrëzojnë njerëzit më të mëdhenj të dijes dhe Menhexhin Selefij. Hadadijet e ngrejnë shejkhun e tyre në gradën e një Imami të padiskutueshëm, njësoj si puna e ndjekësve të atij që e ka zënë babëzia për pushtet. Gjithashtu ata thonë për atë që ka arritur një gradë të lartë të dijes se ai duhet të ulet para këmbëve të Ebu Abdullah el-Hadadit dhe Umm Abdullahut (gruas së tij).

8 – Hadadijet përpiqen të ngrenë vetet e tyre mbi dijetarët e Selefizmit në Medine dhe në vende të tjera, duke i akuzuar ata për shpifje dhe duke thënë: “Filani dhe fulani janë gënjeshtarë.” Ata përpiqen të shfaqin në pamje të jashtme dashurinë për të vërtetën dhe përpjekjen për të, por kur shpifjet dhe gënjeshtrat e Hadadit u bënë të qarta me fakte dhe argumente dhe Allahu e nxorri në shesh gjendje e tyre dhe sherrin e madh që fshihnin ata, kjo vetëm sa ua shtoi atyre ngjitjen pas Hadadit dhe madhërimin e tij.

9 – Ata dallohen nga mallkimi që bëjnë, janë zemërgurë dhe të dhunshëm, deri aty sa i kërcënojnë Selefijinët me forcë dhe madje kanë arritur të rrahin edhe disa Selefijinë.

10 – Ata i mallkojnë disa njerëz, madje ka prej tyre që mallkojnë Ebu Hanifen dhe disa të tjerë bëjnë tekfir mbi të. Kur Hadadi shikon ndonjë thënie, qoftë ajo e saktë apo e pavërtetë, ai thotë: “Kjo është herezi” dhe kjo të krijon përshtypjen se ky njeri është një tekfirs i fshehur.

11 – Ata kanë fodullëk dhe kryeneçësi që i shpie në refuzimin e të vërtetës, njësoj si bidatçijtë e tjerë ekstremistë. Kështu, çdo gjë që kanë sqaruar njerëzit e dijes në Medine (Ehlul-Medine) lidhur me devijimet e Hadadit larg Menhexhit të Selefëve dhe refuzimin e tij të këtij Menhexhi, i ka bërë ata të jenë nga sektet më të këqia në Islam. Ata janë më të këqijtë në sjelljen dhe hizbijen e tyre.

12 – Ata kapeshin jashtëzakonisht shumë pas Imam Ahmedit dhe kur atyre iu bë e qartë kundërshtimi që i bënte Hadadi qëndrimit të Imam Ahmedit kundër Njerëzve të Bidatit (Ehlul-Bid’ah), ata e mohuan këtë gjë dhe filluan të akuzonin atë që ia kishte mveshur këtë Imam Ahmedit. Pastaj Hadadi tha: “Nëse kjo është e vërtetë për Imam Ahmedin, atëherë vërtet ne nuk e pasojmë atë verbërisht.”

Hadadijet nuk e duan të vërtetën dhe as nuk e kërkojnë atë, por ata duan fitne dhe duan t’i përçajnë Selefijinët. Përveç ekstremizmit të tyre, Selefijinët shohin se disa prej tyre kanë edhe lidhje me hizbijunët dhe disa të tjerë kanë lidhje me njerëzit e poshtër, kurse nga ana tjetër ata luftojnë kundër Selefijinëve dhe shfaqin urrejtjen kundër tyre, urrejtje e cila është shumë e rëndë. Ndoshta ata fshehin akoma më shumë ligësi dhe Allahu e di më së miri se çfarë kurthesh po ngrejnë.

Kështu, nëse Ebul-Haseni na sqaron me dëshmi të qarta se ata të cilët ky i akuzon për Hadadije janë vërtet ata të cilët i kanë këto cilësi, atëherë ne nuk do të rreshtim nga përpjekjet për t’i dënuar ata me Hadadijet, madje do t’i zmbrapsim ata duke shkruajtur kundër tyre, duke paralajmëruar kundër tyre dhe duke i rrasur ata me Hadadijet pa marrë parasysh kush janë ata. Dhe nëse Ebul-Haseni nuk është i aftë që ta bëjë këtë gjë, atëherë ai duhet të pendohet para Allahut Azze ue Xhel, të deklarojë hapur teuben (pendimin) e tij, përndryshe ne nuk do heqim dorë nga përpjekjet tona për t’i përkrahur njerëzit e tjerë (që akuzon Ebul-Haseni) dhe për ta nxjerrë fitimtar Menhexhin Selefij në të cilin ndodhemi. Ne do të mbrojmë Menhexhin dhe ata.

Është detyrë për Selefijinët e vërtetë që t’i nxjerrin ata (që akuzon Ebul- Haseni) fitimtarë dhe ta ndihmojnë Menhexhin që ndjekin ata, të distancohen nga ai që u bën padrejtësi atyre dhe Menhexhit të tyre dhe ruhuni, ruhuni se mos ndonjëri prej tyre bie aty ku kanë rënë Hadadijet apo bie në diçka nga ato ku kanë rënë ata. Dhe kjo fushë e dijes është për të qenë i aftë që të bësh dallim midis atij që thotë të vërtetën dhe gënjeshtarit, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:

الم (١) أَحَسِبَ النَّاسُ أَنْ يُتْرَكُوا أَنْ يَقُولُوا آمَنَّا وَهُمْ لا يُفْتَنُونَ (٢

 

وَلَقَدْ فَتَنَّا الَّذِينَ مِنْ قَبْلِهِمْ فَلَيَعْلَمَنَّ اللَّهُ الَّذِينَ صَدَقُوا وَلَيَعْلَمَنَّ الْكَاذِبِينَ (٣

“Elif, Lâm, Mîm. Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.” [el-Ankebut, 1-3]

Unë i lutem Allahut Bujar, Zotit të Arshit Madhështor që t’i ruajë Selefijinët kudo që janë që të mos bien në këto fitne, veçanërisht ata në tokat e Jemenit ku është shfaqur Suneti i të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) sipas Menhexhit Selefij.

 

Shkruajtur nga: Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij, 20 / 2 / 1423 Hixhrij

 

Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut. Salati dhe Selami qoftë mbi Pejgamberin e fundit Muhamed, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin udhëzimin e tij.

 

 

Përktheu: Alban Malaj