Bismilah...

 

Tefsiri i Taberiut:

 

Allahu i Lartësuar thotë:

قُلْ يَا أَهْلَ الْكِتَابِ تَعَالَوْا إِلَىٰ كَلِمَةٍ سَوَاءٍ بَيْنَنَا وَبَيْنَكُمْ أَلَّا نَعْبُدَ إِلَّا اللَّهَ وَلَا نُشْرِكَ بِهِ شَيْئًا وَلَا يَتَّخِذَ بَعْضُنَا بَعْضًا أَرْبَابًا مِّن دُونِ اللَّهِ ۚ فَإِن تَوَلَّوْا فَقُولُوا اشْهَدُوا بِأَنَّا مُسْلِمُونَ

“Thuaj: “O ithtarët e Librave (Jehudë dhe të Krishterë), ejani te një fjalë që është e drejtë midis nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta marrim për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!” Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuajuni: “Dëshmoni se ne jemi Muslimanë!” Al-Imran, 64

 

Ebu Xhaferi ka thënë: me këtë (ajet) i Lavdëruari do të thotë: “Thuaj,” o Muhamed, ithtarëve të Librave, e që janë ithtarët e Teuratit dhe Inxhilit, “ejani,” bashkëngjituni “te një fjalë e drejtë.” Pra, te një fjalë e drejtë midis nesh dhe jush, e ajo fjalë e drejtë është: ta veçojmë vetëm Allahun në adhurim (Teuhidi) dhe të mos adhurojmë dikë tjetër, dhe të largohemi nga çdo i adhuruar përveç Atij. Pra, të mos i shoqërojmë Atij ndonjë gjë në adhurim.

 

Fjala e Tij “Nuk do ta marrim për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut.” Ai (Allahu) thotë: të mos adhurojmë njëri-tjetrin, me bindje ndaj njeriut, në mosbindje ndaj Allahut dhe të mos madhërojmë njëri-tjetrin duke rënë në sexhde ashtu siç i biem në sexhde Zotit.

 

“Nëse ata nuk pranojnë,” (Allahu) thotë se: nëse ata largohen nga ajo që i ke thirrur, e që është fjala e drejtë (Teuhidi) për të cilën të kam urdhëruar që t’i thërrasësh, dhe ata nuk i përgjigjen kësaj thirrjeje, “atëherë thuajuni” o ju besimtarë, atyre që largohen nga kjo (Teuhidi), “Dëshmoni se ne jemi Muslimanë”.

 

 

 

Tefsiri i Ibën Kethirit:

 

Allahu i Lartësuar thotë:

قُلْ يَا أَهْلَ الْكِتَابِ تَعَالَوْا إِلَىٰ كَلِمَةٍ سَوَاءٍ بَيْنَنَا وَبَيْنَكُمْ أَلَّا نَعْبُدَ إِلَّا اللَّهَ وَلَا نُشْرِكَ بِهِ شَيْئًا وَلَا يَتَّخِذَ بَعْضُنَا بَعْضًا أَرْبَابًا مِّن دُونِ اللَّهِ ۚ فَإِن تَوَلَّوْا فَقُولُوا اشْهَدُوا بِأَنَّا مُسْلِمُونَ

“Thuaj: “O ithtarët e Librave (Jehudë dhe të Krishterë), ejani te një fjalë që është e drejtë midis nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta marrim për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!” Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuajuni: “Dëshmoni se ne jemi Muslimanë!” Al-Imran, 64

 

Kjo e folur përfshin ithtarët e Librave, siç janë Jehudët dhe të Krishterët, dhe ata që ndjekin rrugën e tyre.

 

“Thuaj: “O ithtarët e Librave (Jehudë dhe të Krishterë), ejani te një fjalë që është e drejtë midis nesh dhe jush,” kurse (në gjuhën Arabe) “kelimeh – fjalë” quhet ajo fjali që është e plotë. Pastaj (Allahu) atë fjalë e përshkroi me Fjalën e Tij “...që është e drejtë midis nesh dhe jush,” pra, e drejtë dhe mesatare, që të jemi të barabartë ne dhe ju në atë fjalë.

Pastaj e shpjegoi atë me Fjalën e Tij “se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim),” pra të mos adhurojmë as put, as idhull, as kryq, as tagut, as zjarr e as ndonjë gjë tjetër. Por, ta adhurojmë vetëm Allahun, të Vetmin dhe të Pashok. Kjo është thirrja e të gjithë të Dërguarve.

Allahu i Lartësuar thotë:

وَمَا أَرْسَلْنَا مِن قَبْلِكَ مِن رَّسُولٍ إِلَّا نُوحِي إِلَيْهِ أَنَّهُ لَا إِلَـهَ إِلَّا أَنَا فَاعْبُدُونِ

“Ne nuk dërguam asnjë të Dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, përveç Meje, pra më adhuroni vetëm Mua!” el-Enbija, 25

 

Dhe i Lartësuari ka thënë:

وَلَقَدْ بَعَثْنَا فِي كُلِّ أُمَّةٍ رَّسُولًا أَنِ اعْبُدُوا اللَّـهَ وَاجْتَنِبُوا الطَّاغُوتَ

“Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni tagutit.” En-Nahl, 36

 

Pastaj tha: “...dhe se nuk do ta marrim për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!” Ibën Xhurejxhi ka thënë: do të thotë që t’i bindemi njëri-tjetrin duke i bërë mëkat Allahut. Ikremeh ka thënë: do të thotë që të mos i bëjmë sexhde njëri-tjetrit.

 

“Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuajuni: “Dëshmoni se ne jemi Muslimanë!” do të thotë: nëse ata ia kthejnë shpinën kësaj barazie (fjale të drejtë) dhe kësaj thirrjeje, atëherë të dëshmojnë se ju vazhdoni të qëndroni në Islam, të cilin e ka ligjësuar Allahu për ju.

 

Përmendëm në shpjegimin e Buhariut ku transmeton nga Zurhij, nga Ubejdullah bin Abdullah bin ‘Utbeh bin Mes’ud, nga Ibën Abbasi, nga Ebu Sufjani, në lidhje me ngjarjen e tij kur hyri te Cezari (Herakliu) dhe ai e pyeti Ebu Sufjanin për prejardhjen e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –  cilësitë, tiparet e tij, dhe për atë në të cilën thërret ai. Kështu ai ia tregoi të gjitha qartazi, edhe pse Ebu Sufjani në atë kohë ishte mushrik dhe nuk ishte bërë Musliman; kjo ngjarje ndodhi pas marrëveshjes së Hudejbijes dhe para Çlirimit të Mekes, siç tregohet qartë në hadith. Ngase kur Herakliu e pyeti Ebu Sufjanin se a mashtron ai (Pejgamberi – ‘alejhi salatu ue selam)? Ai tha: “Jo!  Ka kohë që ne jemi larg tij dhe nuk dimë se çfarë ka bërë ai në këtë periudhë.” Ai (Ebu Sufjani) tha: Nuk pata mundësi të shtoj më shumë përveç se kësaj fjale. E rëndësishme është se ai tha: Pastaj i sollën letrën e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – dhe ai e lexoi atë. Në atë letër shkruante:

 

Me emrin Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit.

Nga Muhamedi i Dërguari i Allahut, deri te Herakliu i Madhi i Romakëve (i të Krishterëve).

Shpëtimi (Selami) qoftë për atë që ndjek udhëzimin.

 

Më tej:

Hyr në Islam, që të shpëtosh. Hyr në Islam, që Allahu të të shpërblejë dyfish. E nëse heq dorë, do t’i mbartësh gjynahet e pasuesve të tu.

قُلْ يَا أَهْلَ الْكِتَابِ تَعَالَوْا إِلَىٰ كَلِمَةٍ سَوَاءٍ بَيْنَنَا وَبَيْنَكُمْ أَلَّا نَعْبُدَ إِلَّا اللَّهَ وَلَا نُشْرِكَ بِهِ شَيْئًا وَلَا يَتَّخِذَ بَعْضُنَا بَعْضًا أَرْبَابًا مِّن دُونِ اللَّهِ ۚ فَإِن تَوَلَّوْا فَقُولُوا اشْهَدُوا بِأَنَّا مُسْلِمُونَ

“Thuaj: “O ithtarët e Librave (Jehudë dhe të Krishterë), ejani te një fjalë që është e drejtë midis nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta marrim për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!” Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuajuni: “Dëshmoni se ne jemi Muslimanë!” Al-Imran, 64

 

Muhamed ibën Is’hak dhe të tjerë, kanë thënë: “Fillimi i sures Ali-Imran, e deri te ajeti 80 e ca, kanë zbritur për delegacionin e Nexhranit (rajon në jug të Arabisë Saudite).”

Zuhrij ka thënë: Banorët e Nexhranit janë të parët që e dhanë xhizjen (taksë që i paguhet shtetit Islam).” Nuk ka mospajtime se ajeti i xhizjes (et-Teubeh, 29) ka zbritur pas çlirimit të Mekes. Atëherë, si bëhet harmonizimi i teksteve midis shkrimit të këtij ajeti në letrën që iu dërgua Herakliut dhe asaj që përmend Muhamed Ibën Is’hak dhe Zuhrij?

 

Përgjigja është në disa këndvështrime:

E para: ka gjasa që ajeti të ketë zbritur dy herë; një herë para Hudejbijes dhe një herë tjetër pas Çlirimit të Mekes.

E dyta: ka të ngjarë që fillimi i Sures Ali-Imran, të ketë zbritur për delegacionin e Nexhranit, e deri te ky ajet; dhe ky ajet i bie që të ketë zbritur para se të vinte ky delegacion. Kështu që, fjala e Ibën Is’hakut “deri në ajetin 80 e ca,” i ka kundërshtuar ata që janë më të saktë në transmetim se Ibën Is’haku, për shkak të argumentimit të hadithit të Ebu Sufjanit.

E treta: ka të ngjarë që ardhja e delegacionit të Nexhranit, ka ndodhur para Hudejbijes dhe ajo që ata ofruan, ishte pajtimi ne vend të mallkimit (mubahaleh – mallkimi midis dy palëve që të bjerë mallkimi i Allahut mbi gënjeshtarin), dhe kjo jo nga këndvështrimi i xhizjes (taksën), porse nga këndvështrimi i pajtimit dhe i paqes (mos-luftmit). Pas këtij pajtimi, zbriti ajeti i xhizjes që përputhet me atë që u tha Pejgamberi atyre (delegacionit). Siç zbriti ajeti për obligueshmërinë e ndarjes së një të pestës së plaçkës së luftës (për Pejgamberin) dhe katër të pestat (për luftëtarët), gjë që është e njëjtë me atë që bëri Abdullah bin Xhahsh me atë njësi ushtarake para së të bëhej beteja e Bedrit. Pas kësaj, zbriti obligimi i ndarjes së plaçkës së luftës në pajtim me këtë që bëri Abdullah bin Xhahsh.

E katërta: mundet që, kur i Dërguari i Allahut të ketë urdhëruar të shkruhej kjo fjalë në letrën e tij për Herakliun, nuk qe zbritur si ajet. Pastaj, zbriti Kurani në pajtim me atë që shkroi, ashtu siç zbriti Kurani në pajtim me atë që thoshte Umer ibën Khattabi – radijAllahu ‘anhu – në lidhje me hixhabin (mbulesën), robërit e luftës dhe mos-faljen e namazit ndaj munafikëve. Po ashtu edhe ajetet në vazhdim:

وَاتَّخِذُوا مِن مَّقَامِ إِبْرَاهِيمَ مُصَلًّى

“Merreni për vend-falje mekamin (vendin) ku qëndroi Ibrahimi.” El-Bekare, 125

 

عَسَى رَبُّهُ إِن طَلَّقَكُنَّ أَن يُبْدِلَهُ أَزْوَاجًا خَيْرًا مِّنكُنَّ

“Në qoftë se ai ju ndan, Zoti i tij me siguri se do t’ia zëvendësojë me gra më të mira se ju.” Et-Tahrim, 5

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari