Bismilah...

Poezia El-Haijjeh e Ibn Ebij Dauud es-Sixhistanij – rahimehullah – rreth Akijdes së Ehli-Sunetit dhe Xhematit

 

 

1 - Kapu pas Litarit të Allahut dhe ndiqe Udhëzimin,

E mos u bëj Bidatçi, që të arrish Ngadhënjimin,

 

2 - Le të jetë Feja jote Kur'ani dhe Suneti i Pejgamberit,

Kështu do të shpëtosh e do të arrish cakun e Fitimit,

 

3 - Mos thuaj Fjala e Mbretit tonë është krijim,

Se kështu besuan të Devotshmit që folën qartë pa dyshim,

 

4 - Mos ji si ata që për Kur'anin s’mbajnë qëndrim,

siç thanë ithtarët e Xhehmit, tek kjo bënë lëshim,

 

5 - E mos thuaj recitimi i Kur'anit është krijim,

Ngase Fjala e Allahut bëhet e qartë me shqiptim,

 

6 - Dhe thuaj Allahu do ta shfaqë Veten e Tij haptazi,

sikur Hëna e plotë që s’fshihet, do të duket Zoti yt qartazi,

 

7 - Ai s’është i lindur e nuk ka lindur fëmij,

Asgjë s’është si Ai, i Lartësuar është i Madhërishmi,

 

8 - E me të vërtetë këtë gjë e mohon Xhehmi,

Por për këtë që themi hadithin e qartë dëshmi e kemi,

 

9 - E transmetoi Xheriri nga fjalët e Muhamedit,

Andaj thuaj siç tha ai, të jesh në rrugën e shpëtimit,

 

10 - Dy Duart e Tij, Xhehmiu gjithashtu i mohon,

Por të Dy Duart e Tij janë të hapura, përherë dhuron,

 

11 - Dhe thuaj zbret Imponuesi çdo natë pa pyetur si,

I Lartësuar është Ai, i Vetmi që meriton çdo lavdi,

 

12 - Zbret në qiellin e Dunjasë, nga Bujaria e Tij dhuron pafundësisht,

Atëherë kur çelen portat e qiellit dhe hapen tërësisht,

 

13 - Thotë: A ka ndonjë që kërkon falje, që Unë ta mëshiroj,

A ka ndonjë që kërkon mirësi e furnizim, Unë t’i dhuroj,

 

14 - E transmetuan këtë njerëz, hadithi i të cilëve u pranua,

Mirëpo humbi ai që i përgënjeshtroi, dhe u poshtërua,

 

15 - Dhe thuaj: njerëzit më të mirë pas Muhamedit janë padyshim,

dy mëkëmbësit e tij të parë, pastaj Uthmani, ky është më i miri qëndrim,

 

16 - Dhe i katërti, më i miri pas tyre është Aliu,

të cilin e shoqëroi e mira dhe me të ngadhënjeu,

 

17 - Pastaj janë njerëzit, gradën e të cilëve askush nuk e dyshon,

Janë mbi Devet e Firdeusit që shkëlqejnë kudo shkojnë,

 

18 - Se’idi, Sa’di, Ibn ‘Aufi dhe Talha,

Amiri i Fihrit dhe Zubejri i cili ka shumë lëvdata,

 

19 - Ashtu edhe A’ishah, Nëna e Besimtarëve,

dhe Dajën tonë, Mu’auijen nderoje, të arrish cakun e mirësive,

 

20 - Dhe Ensarët me Muhaxhirët që shtëpitë e tyre i lëshuan,

Me ndihmën që i dhanë Pejgamberit nga Errësira e Zjarrit shpëtuan,

 

21 - Dhe pas tyre Tabi’unët, ata që i ndoqën në mirësi,

mbahu pas fjalëve dhe veprave të tyre, do të shpëtosh me lehtësi,

 

22 - Dhe për të gjithë Sahabët fjalët më të mira thuaj,

Mos u bëj kritikues i tyre, mos i përfol e mos i shaj,

 

23 - Zaten, Shpallja e Qartë ata i ka vlerësuar,

në suren el-Fet`h, në shumë ajete Sahabët janë lavdëruar,

 

24 - Dhe për Kaderin e Allahut ji më se i bindur,

ai është shtyllë e Fesë, e gjithë kjo Fe mbi të është ngritur,

 

25 - E Nekirin dhe Munkerin me injorancë mos i moho,

As Haudin me Peshoren, andaj merre këtë këshillë e mos refuzo,

 

26 - Thuaj: Allahu i Madhërishëm me Mirësinë e Tij do të nxjerr,

Trupat e shkrumbuar, të zhuritur në Zjarr,

 

27 - Hidhen në Lumin e Firdeusit, me ujin e tij ringjallen,

siç mbin fara që mbart rryma e ujit ashtu do të këndellen,

 

28 - Sigurisht, i Dërguari i Allahut për robërit do të ndërmjetësojë,

Dhe vërtetë dënimi i varrit është hak, kush mund ta mohojë,

 

29 - Dhe mos e bëj qafir namazliun edhe pse gjynahe bën,

Se të gjithë bëjnë gjynahe, e Zoti i Arshit i fal dhe i mëshiron,

 

30 - Dhe mos beso ashtu si Khuarixhët, se atë besim,

E ndjek pasuesi epshit, ai që shkon në rrënim e poshtërim,

 

31 - E mos u bëj Murrxhij që luan me fenë e tij,

E s’ka dyshim se me Fenë tallet ai Murrxhij,

 

32 - Dhe thuaj: Imani është fjalë dhe nijet dhe punë,

sikurse Pejgamberi qartazi e ka thënë,

 

33 - Nga gjynahet pakësohet dhe nga bindja shtohet,

Dhe në Peshoren e asaj Dite Imani rëndohet,

 

34 - Dhe qëndro larg mendimeve dhe fjalëve që thonë njerëzit,

Se fjala më e pastër e më e qartë është ajo e Pejgamberit,

 

35 - E mos u bëj si ata që me fenë e tyre luajnë,

Kurse Dijetarët e Hadithit i shajnë e i gjuajnë,

 

36 - E Nëse mbas këtij besimi fortë do të lidhesh,

do të jesh në mirësi kur ngrysesh e kur gdhihesh.

 

 

 

Përktheu: Alban Malaj